PPP e dializës i mer shtetit 1 milion USD, pas gjyqit

504
Sigal

Koncensioni PPP i dializës, DiaVita fiton gjyqin me qeverinë i merr 1 mln USD në një muaj

Të hartuara me shpejtësi dhe mungesë të plotë transparenca kontratat koncesionare me Partneritet Publik -Privat kanë nisur të marrin para ekstra nga buxheti përtej fondeve të përcaktuara në kontrata, që në vitet e para të zbatimit. Koncesionari i shërbimit të Dializës, kompania DiaVita ka fituar një gjyq me qeverinë shqiptare prej të cilit ka marrë pagesa ekstra në një muaj 115 milionë lekë, ose rreth 1 milionë dollarë, lidhur me faturimet e koncesionarit në rrethet Korçë e Elbasan, për të cilat Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor coi në gjyq kompaninë. Procesi gjyqësor ka rezultuar pozitiv në favor të kompanisë së cilës buxheti i shtetit duhet t’i paguajë të ardhura shtesë koncesionarit në më shumë se 115 milionë lekë. Ministria e Financave referoi se në muajin maj të këtij viti pati një pagesë ekstra rreth 115 milion lekë për vendimin gjyqësor në favor të kompanisë ofruese të “Shërbimit të dializës”, pagesë e cila përbën 16.8 për qind e totali të pagesave për muajin Maj dhe rreth 18 për qind të planit total vjetor për këtë kontratë. Të dhëna të tjera bëjnë të ditur se nga 1250 pacientët që u trajtuan me hemodializë vitin e kaluar, vetëm 30 për qind prej tyre morën shërbimin nga koncesionari i Partneritetit Publik-Privat (PPP) nëpërmjet kompanisë Dia-Vita. Sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në muajin dhjetor 2018, numri total i pacientëve që janë trajtuar me dializë në institucionet shëndetësore publike dhe private, është 1,250, nga të cilët 737 pacientë në spitalet private, 143 pacientë janë trajtuar në spitalet publike, dhe 370 pacientë në qendrat e dializës të koncesionarit Dia Vita. Në vitin 2018, nga institucionet shëndetësore publike dhe private të kontraktuara nga FONDI për ofrimin e shërbimit të hemodializës, u kryen 176,911 seanca hemodialize në total, nga të cilat 18,304 seanca nga institucionet shëndetësore publike dhe 158,607 seanca nga institucionet shëndetësore private. Shërbimi i paketës së Hemodializës vitin e kaluar është ofruar nga spitalet publike dhe private, si dhe nga 5 qendra të shoqërisë koncesionare. Çmimi i paguar për një seancë hemodialize nga fondi i programuar për këtë paketë ndaj institucioneve shëndetësore që ofrojnë këtë shërbim ishte 12,106 lekë. Sipas kontratës kompania do të investonte 8.5 milionë euro. Vlera e investimit tashmë është rikuperuar me pagesat që Dia -Vita ka marrë nga buxheti i shtetit. Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita me vlerë 8.6 miliardë lekë. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në vitin 2025, kur parashikohet të përfundojë afati i koncesionit.