Politika fiskale, sipas parimit “vrite, pastaj pyete për emrin”

Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, analizon taksat dhe tarifat e reja, ndikimin në ekonomi, biznes e buxhetet familjare, si dhe lakun që po shtrëngohet nga koncesionet

Dritan Shano, ekspert i ekonomisë, shprehet në intervistën e tij për “Telegraf” se zhvendosja e politikës fiskale në këto tri vitet e fundit nga qeveria tek pushteti lokal, me rritjen galopante të tarifave, ka bërë që pushteti të marrë nga xhepat e shqiptarëve, jo vetëm para që krijohen në ekonominë e brendshme, por edhe para të emigracionit. Për Shanon, një nga koordinatorët dhe hartuesit e programit të PD-së, kjo është varfëruese për familjet shqiptare. Në intervistë, ai analizon taksat dhe tarifat e reja, ndikimin e tyre në ekonomi, biznes e buxhetet familjare, si dhe lakun që po shtrëngohet nga Partneriteti Publik-Privat.

Muaji prill 2018 do të shtojë edhe 2 pagesa të reja (TVSH për biznesin e vogël dhe taksën për pasuritë e paluajtshme), ndërkohë që debati publik është ndezur edhe tarifën e përdorimit të Rrugës së Kombit. Është një rastësi vendosja e këtyre taksave e tatimeve në të njëjtën kohë?
“Tendenca patologjike për të taksuar dhe gjobitur nuk ndalet. Nuk besoj se është rastësi. Përkundrazi e shoh si një strategji për të për çfokusuar dhe dobësuar aksionin qytetar dhe politik, për t’i kundërshtuar ato veç e veç. Politika e taksave që ka ndjekur qeveria deri më sot nuk ka ndihmuar qytetarët dhe ekonominë e vendit, por një grup të kufizuar njerëzish. Ndërsa zhvendosja e politikës fiskale në këto tri vitet e fundit nga qeveria tek pushteti lokal, me rritjen galopante të tarifave, ka bërë që pushteti të marrë nga xhepat e shqiptarëve, jo vetëm para që krijohen në ekonominë e brendshme, por edhe para të emigracionit. Kjo është varfëruese për familjet shqiptare. Nga ana tjetër më duhet të precizoj se heqja e përjashtimit të TVSH-së për biznesin e vogël nuk është një taksë mbi biznesin, por mbi konsumatorin – është një masë që synon konsolidimin e sistemit të TVSH-së. Përjashtimi nga TVSH është për mua një politikë, e cila në këto 21 vjet që aplikohet nuk ka sjellë as zgjerim të biznesit, as rritje të punësimit, mirëqenies, inovacionit. Përkundrazi është një politikë, e cila fsheh shëndetin e vërtetë të biznesit, deformon sinjalin e tregut dhe e maskuar si dashuri e kujdes ndaj biznesit të vogël, në fakt ka garantuar indiferencën e politikanëve ndaj biznesit të vogël dhe zhvillimit të tij, si dhe fshehur paaftësinë dhe mungesën e vullnetit të tyre për të hartuar dhe avancuar politika ekonomike që e nxisin biznesin që nga i vogël të bëhet i mesëm e pastaj i madh”.

Shoqatat e biznesit të vogël kanë deklaruar se do të ketë mbyllje të shumë sipërmarrjeve të vogla. Mendoni se është real një kërcënim i tillë?
“Mund të verifikohet një situatë e tillë, por nuk mendoj se kjo do ketë efekt të përhershëm. Qytetarët dhe bizneset kanë edhe votën në dorë për ta ndryshuar këtë gjendje. Por politika e taksave e ndjekur në këto vite i ka rritur shumë kostot e të bërit biznes në Shqipëri, kur duhet të bënte të kundërtën. Ka shtuar paqartësinë dhe pasigurinë e të bërit biznes, kur duhet të bënte të kundërtën. Është eliminuar transparenca dhe konsultimi i qeverisë me bizneset. Sot politika fiskale zhvillohet sipas parimit ‘vrite dhe pastaj pyete për emrin’”.

Familjet do të ndeshen me një mënyrë dhe vlerë të re të pagesës së taksës për banesat. A është normale nisja e këtij procesi pa pasur një kadastër fiskale?
“Jam kundër aplikimit të taksës mbi pronën për shtëpinë e parë dhe po ashtu kundër aplikimit të kësaj takse mbi vlerën e saj. Përllogaritja e saj mbi vlerën është arbitrare. Është një çmim reference, njësoj si ato çmime që po luftojmë t’i heqim nga doganat. Nevoja e kadastrës është kusht “sine qua non” për aplikimin e kësaj takse, sepse vetëm kështu mund të garantohen kushte të ndershme dhe të barabarta për të gjithë ne. Por në 1 prill këtë taksë do ta paguajnë ata budallenjtë që paguajnë gjithnjë, që respektojnë rregullat dhe duan shtetin e ndershëm. Shqiptarët e tjerë, që kanë thyer ligjet dhe rregullat, duke ndërtuar pa leje ku i ka dashur qejfi, nuk do preken nga kjo masë. Bashkitë ku do aplikohet do vjelin para nga xhepat e qytetarëve të ndershëm dhe do favorizojnë të pandershmit, kundravajtësit dhe shkelësit e ligjit, duke mos u marrë asnjë lek nga xhepi dhe duke i lënë të vazhdojnë ta përdorin pronën ende të palegalizuar. Kjo taksë do duhej të aplikohej vetëm në kushtet e një kadastre të konsoliduar”. 

Gjithashtu, Rruga e Kombit është kthyer në qendër të vëmendjes me nisjen e tarifës së përdorimit. A duhet vendosur tarifë në një rrugë të ndërtuar me financime të buxhetit dhe mund të konsiderohen të larta tarifat?
“Është e thjeshtë për shtetin të vendosë para faktit të kryer qytetarët e vet; të bllokojë një rrugë dhe të detyrojë këdo që kalon atje të paguajë një tarifë. Edhe një budalla mund të ta presë rrugën dhe të të kërcënojë se do të ta hapë kokën me gurë, po nuk i këndove këngën që atij i pëlqen. Por nuk është dhe aq e thjeshtë për shtetin të garantojë se secili paguan për aq sa kilometra përdor, sidomos kur bëhet fjalë për popullsinë më të varfër të Shqipërisë që preket drejtpërdrejt; nuk është e thjeshtë të arsyetojë se a duhet të shtojë një tarifë tjetër mbi një rrugë për të cilën ndërkohë paguajmë dy herë – edhe tek karburanti dhe tek interesat e borxhit publik; nuk është e thjeshtë të diskutojë me grupet e interesit për masën e tarifës; nuk është aq e thjeshtë të vendosë a ka prioritet turizmin (kosovarët janë kontributor kryesorë) apo të zhvillojë biznesin (biznesi zhvillohet duke ia ulur kostot publike dhe jo duke ia rritur ato); a synon qeveria mirëmbajtjen e rrugëve apo thjesht po i shërben oligarkut të vet të preferuar… apo… apo… Qeverinë e paguajmë dhe i kemi dhënë detyrë të na zgjidhë këto problemet më pak të thjeshta, se ato të thjeshtat fare i zgjidhim vetë. A i kishte kryer Qeveria këto detyra? Përgjigjen për këtë e dhanë banorët e Kukësit. Politika arrogante dhe arbitrare e ndjekur nga qeveria në lidhje me këtë i nxori njerëzit në rrugë. Është e qartë se taksimi i shfrenuar fillimisht merr lirinë e çdonjërit prej nesh, pastaj shkatërron pasurinë dhe fuqinë e kombit. Ky veprim i qeverisë nuk mund të mos prodhojë pashmangshmërisht një produkt që karakterizohet me kufizim të lirisë, varfërim, evazion dhe protesta të njerëzve sikundër e pamë të shtunën në Kukës, në mes të Rrugës së Kombit. Siç thuhet në këto raste, lind detyra ndaj çdo patrioti të mbrojë vendin nga qeveria e vet”.

Cili është vlerësimi juaj për ngarkesën fiskale që përballojnë familjet shqiptare? Si është ajo në raport me vendet e tjerë?
“Ngarkesa fiskale që ne kemi është nga më të lartat në rajon me 37.3 %. Më të lartë se ne e ka vetëm Serbia. Kjo ngarkesë fiskale nuk na bën konkurrues. Investimet e huaja shkojnë tjetërkund, nuk vijnë në Shqipëri të krijojnë punësim dhe mirëqenie. Në kushtet kur të ardhurat për fryme janë më të ulëtat dhe të ardhurat reale janë ulur për disa vite rresht, kjo ngarkesë është mjaft penalizuese për familjet shqiptare. Ajo do rritet edhe më, tashmë që taksa e pronësisë do aplikohet mbi vlerën arbitrare që vendosin burokratët. Ulja e ngarkesës fiskale do duhej të ishte prioritet i qeverisë”. 

PPP-të apo koncesionet kanë marrë kritika të ashpra edhe nga FMN, BE apo SHBA. A do të jenë ato laku në fytin e qeverive edhe për shumë vite apo mund të sjellin efektet pozitive të deklaruara?
“Dua të ndalem pak këtu. Sikur PPP-të të ishin laku në fytin e qeverive do ishte gjysma e së keqes. Por ky lak është që tani duke shtrënguar fytin e njerëzve dhe bizneseve që paguajnë taksa. Ky lak do vazhdojë të ngushtohet edhe më tej. Efektet e PPP-ve janë një çështje për t’u diskutuar dhe vlerësuar në vijim. Teoria dhe praktika jo gjithnjë përputhen, ndërsa qeveritë mund të gjykohen vetëm nga rezultati i qeverisjes dhe jo nga qëllimet e mira të qeverisjes. Të gjithë ekonomistët seriozë vendas janë shprehur të shqetësuar për përdorimin e PPP-ve. Ky shqetësim është konfirmuar edhe nga FMN, SHBA dhe së fundmi vetë BE nuk i sheh më PPP-të si një mundësi ekonomike e suksesshme për të mbështetur infrastrukturën publike. PPP-të ulin konkurrueshmërinë e biznesit, sepse ky i fundit mësohet të fitojë, jo përmes konkurrencës, por përmes financimeve nga buxheti i shtetit – taksa apo borxh. PPP-të deformojnë konkurrencën dhe gjithë ekonominë e vendit, pasi favorizojnë përzgjedhjen selektive të pak njerëzve të besuar të qeverisë, siç kemi parë të ndodhin. PPP-të janë një mundësi e mirë për pastrim parash, për shkak të mungesës së transparencës në dhënien dhe menaxhimin e tyre. I qëndroj vlerësimit tim se për Shqipërinë ato përbëjnë një borxh të mirëfilltë me risk shumë më të lartë se borxhi grek, për shkak se ekonomia jonë nuk ka asnjë bazament që të përballojë shlyerjen e interesave të borxhit. Ne, shqiptarët do të jemi përjetë të gjunjëzuar në këmbët e atij që do të zotërojë këtë borxh tonin që po e rrisim, apo synojmë ta rrisim ndjeshëm përmes skemës së PPP-ve. Sot, kemi rreth 286 miliardë lekë në Parternitete Publik-Privat, ose rreth 17% të GDP-së. Për të gjitha sa rreshtova më lart, heqja dorë nga PPP-të është për ne shqiptarët, përveç një nevoje për menaxhim më të mirë, më transparent dhe të përgjegjshëm të financave publike, edhe një detyrë patriotike. Më shumë se të merremi me PPP-të, ne na duhet të rishohim prioritetet e zhvillimit”.

Në aspektin ekonomik, për çfarë do ta vlerësonit dhe për çfarë do ta qortonit qeverinë “Rama”?
“Të ardhurat reale të familjes shqiptare kanë rënë. Vendi u mboll i gjithi me marijhuanë dhe financat publike dhe vendim-marrja shtetërore janë në shërbim të pak oligarkëve. Shqipërisë i janë larguar në këto vite rreth 13% e qytetarëve. Mbi 56% e shqiptarëve shprehen se duan të ikin nga vendi një orë e më parë. Numri i lindjeve ka rënë nga 82,125 në vitin 1990 në 30,800 lindje në vitin 2017. Njerëzit nuk duan as të rrojnë dhe as të shtohen në këtë vend. Ky është aspekti ekonomik i vetëm që unë njoh si ekonomist. Të gjitha të tjerat janë pallavra”. 

“Telegraf”