PNUD: Taksa progresive “varfëroi” shtresën e mesme

Një raport i PNUD Albania, i publikuar së fundmi, ka analizuar mënyrën sesi ka ndryshuar varfëria në vend, kush ka hyrë e ka dalë nga kjo kategori dhe si ka qenë në konsum efekti i taksimit mbi të ardhurat, i cili ndryshoi në fund të vitit 2013, duke kaluar në sistemin progresiv në 13% për pagat deri 130 mijë lekë, nga 10% që ishte më parë (në të dy rastet pagat deri në 30 mijë lekë kishin tatim zero). “Ekuacioni i konsumit përfshin variablat mbi moshën dhe vitet e shkollimit për kreun e familjes, rajonin dhe statusin e punësimit me të ardhura të plotësuara nga burimet e të hyrave jashtë punës në të tilla si remitancat, të ardhurat nga kapitali dhe çdo transferim social që merr familja. Konsumi i parashikuar për vitin 2008 dhe 2014 u krahasua me konsumin e sotëm dhe shpërndarjen e familjeve sipas grupit të konsumit. Konsumi u vlerësua me dhe pa nivelin e ri të taksës mbi të ardhurat e aplikuar në vitin 2013”, thuhet në raport. Rezultatet tregojnë se shpërndarja agregate e popullsisë sipas grupit të konsumit (të varfër, në nevojë dhe klasa e mesme) nuk ka ndryshuar shumë nga 2008-2014, ku familjet në nevojë janë tkurrur me 3.4%. Përqindja e kryefamiljarëve që jetojnë në varfëri në vitin 2014 u rrit me 1% krahasuar me vitin 2008, ndërsa klasa e mesme u zgjerua me rreth 2.8% gjatë kësaj periudhe. Nëse nuk do të kishte pasur një ndryshim nga taksa e sheshtë tek tatimi progresiv, konsumi i parashikuar në krahasim me konsumin aktual tregon se varfëria do të kishte rënë dhe klasa e mesme do të zgjerohej me 2.5% më shumë”. Pra nëse në fuqi do të ishte taksa e sheshtë dhe jo ajo progresive parashikimi tregon se do të kishim një rënie të varfërisë dhe një zgjerim akoma edhe më të madh të shtresës së mesme. “Pavarësisht faktit se në përgjithësi nuk ka ndryshime thelbësore mes grupeve të ndryshme të konsumit, lëvizja nga 2008 në 2014 është e dukshme. Duket se shumica e kësaj lëvizjeje ka zbritur familjet në kategorinë e të qenët në nevojë ose të varfër në 2014. Gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit në 2008 kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në 2014. Ndërkohë që 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë u bënë të varfër në 2014”, vlerëson PNUD.