Pjetër Beleshi: Niveli i rekomandimeve dëshmon efektivitetin e KLSH-së

372

Intervistë/ Flet Pjetër Beleshi, Auditues i Lartë dhe Koordinator i KLSH-së pranë Njësive të Përbashkëta Hetimore, të këshilluara nga Misioni OPDAT i USAID në Shqipëri

Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i auditimit ekonomik e financiar  i përcaktuar në nenin 162 të Kushtetutës. “Kur gjykohet se parregullsitë, apo shkeljet e disiplinës financiare kanë qenë me efekte të rëndësishme për fondet publike apo punonjës të caktuar gjatë punës së tyre kanë kryer veprime që konsiderohen vepër penale, çështjet i kalojnë Prokurorisë për ndjekje penale” shprehet në një intervistë për “Telegraf” z. Pjetër Beleshi, Auditues i Lartë dhe Koordinator i KLSH pranë Njësive të Përbashkëta Hetimore, të këshilluara nga Misioni OPDAT i USAID në Shqipëri.  Z. Beleshi tregon se në përgjithësi, institucionet e audituara janë treguar korrekte me respektimin e detyrimeve të tyre ligjore dhe zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së. Ndërsa për ndërgjegjësimin e institucioneve që ato të zbatojnë rekomandimet dhe masat disiplinore e administrative që propozon KLSH, z.Beleshi thotë se Parlamenti mund të bëjë shumë në këtë drejtim, pasi KLSH, sipas ligjit për KLSH-në, i paraqet Kuvendit në tremujorin e parë të vitit pasardhës raportin vjetor të veprimtarisë së tij në të cilin pasqyrohen të gjitha rekomandimet e KLSH-së të lëna për zbatim në subjektet e audituara.

 A është thelbësore për punën tuaj si institucion kushtetues, zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së nga institucionet që ju auditoni (kontrolloni)?

 Po, është shumë e rëndësishme, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i auditimit ekonomik e financiar  i përcaktuar në nenin 162 të Kushtetutës dhe  kryen auditime të përputhshmërisë (ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare), auditime të performancës  dhe auditime financiare në subjektet që administrojnë funde publike. Për parregullsitë dhe shkeljet e dispozitave ligjore si dhe për rastet e përdorimit pa efektivitet të fondeve buxhetore në subjektet e audituar, KLSH rekomandon masa për përmirësimin e gjendjes, të cilat janë rekomandime për përmirësimin ndryshimin apo shfuqizimin e dispozitave ligjore të caktuara, rekomandime të karakterit organizativ që shërbejnë për përmirësimin e gjendjes financiare apo për miradministrimin e pasurive publike, masa për shpërblimin e dëmeve të shkaktuara me dashje apo nga pakujdesia  nga punonjës të administratës publike si dhe masa disiplinore dhe administrative për punonjësit që kanë kryer shkeljet. Kur gjykohet se parregullsitë, apo shkeljet e disiplinës financiare kanë qenë me efekte të rëndësishme për fondet publike apo punonjës të caktuar gjatë punës së tyre kanë kryer veprime që konsiderohen vepër penale, çështjet i kalojnë Prokurorisë për ndjekje penale. Është domethënës fakti që dy vitet e fundit numri i çështjeve që KLSH ka kaluar për ndjekje penale është rritur mbi dy herë krahasuar me tre vitet 2009-2011 të marra së bashku. Institucionet e audituara kanë detyrimin ligjor që të njoftojnë KLSH-në brenda 20 ditëve nga marrja dijeni për masat që kanë marrë për zbatimin e tyre.

 Si ka  ecur niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve tuaja në vitet e fundit?

 Niveli i zbatimit të rekomandimeve tona nga institucionet e audituara është një tregues shumë i rëndësishëm dhe tregon se sa efektive ka qenë puna e KLSH-së, sa të drejta kanë qenë rekomandimet, sa dhe si kanë shërbyer këto rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe ruajtjes e fondeve publike. Në përgjithësi institucionet e audituara janë treguar korrekte me respektimin e detyrimeve  të tyre ligjore dhe kanë hartuar programe të veçanta për zbatimin e rekomandimeve. Ato kanë njoftuar brenda afateve ligjore KLSH për masat që kanë marrë për zbatimin e rekomandimeve: Kështu për vitin 2012, niveli i zbatimit të rekomandimeve paraqitet 75.6 % ose nga 2194 rekomandime janë zbatuar plotësisht 1659 rekomandime, pjesa tjetër përbën ato që janë zbatuar pjesërisht, janë në proces zbatimi apo nuk janë zbatuar.  Një nivel e tillë i zbatimit të rekomandimeve tona konsiderohet i kënaqshëm krahasuar me institucionet tona homologe. Për 6 mujorin e parë të këtij viti niveli i zbatimit të rekomandimeve sipas raportimeve të subjekteve të audituara  paraqitet  rreth 40% pasi, verifikimi i zbatimit të tyre nga KLSH bëhet në tremujorin e katërt të vitit dhe mendoj se do të jetë më e lartë. Këtu ndikojnë edhe afatet e kërkuara në rekomandimet tona  dhe që e tejkalojnë periudhën që raportohet, pra 6 mujorin.

 Çfarë mund të bëjë Parlamenti, apo opinioni publik, për ndërgjegjësimin e institucioneve që ato të zbatojnë rekomandimet që ju jepni dhe masat disiplinore dhe administrative që ju propozoni?

Mendoj se Parlamenti mund të bëjë shumë në këtë drejtim, pasi KLSH, sipas ligjit për KLSH-në, i paraqet Kuvendit në tremujorin e parë të vitit pasardhës raportin vjetor të veprimtarisë së tij në të cilin pasqyrohen të gjitha rekomandimet e KLSH-së të lëna për zbatim në subjektet e audituara duke evidentuar edhe nivelin e zbatimit të tyre dhe subjektet që nuk i kanë zbatuar. Mendoj se Komisioni për Ekonominë dhe ai i Financave mund të ndikojë  shumë, veçanërisht duke i ngarkuar me përgjegjësi ato institucione që nuk i kanë zbatuar rekomandimet tona. Ndikim ka edhe opinioni publik i cili përgjithësisht informohet nëpërmjet shtypit që duhet thënë se është partneri jonë kryesor në publikimin e konstatimeve tona.

 A keni ju brenda KLSH një strukturë të posaçme që ndjek zbatimin e rekomandimeve tuaja?

 Jo, KLSH nuk ka një strukturë të posaçme për këtë çështje, pasi mbajtja e një strukture të përhershme për këtë qëllim do të kishte  kosto për institucionin, por kontrollin e zbatimit të rekomandimeve ne e realizojmë nëpërmjet kontrolleve tematike që organizojmë në tremujorin e fundit të vitit gjatë të cilit dokumentojmë të gjitha masat që kanë marrë institucionet për zbatimin e tyre. Po kështu në të gjitha auditimet(kontrollet) pasardhëse që kryejmë në këto institucione një pikë e programit të punës është për këtë qëllim.

 A keni kërkuar apo do të kërkoni masa më të forta ndëshkuese – duke ndryshuar ndoshta edhe kuadrin ligjor – për institucionet që në mënyrë të përsëritur nuk zbatojnë rekomandimet tuaja?

 Kuadri ligjor ekzistues është i qartë. Ai i detyron institucionet të marrin masat e duhura për zbatimin e tyre. Po kështu për zbatimin e rekomandimeve tona kanë dalë dy urdhra të Kryeministrave të mëparshëm z. Nano dhe e z. Berisha  që i urdhërojnë institucionet publike të zbatojnë rekomandimet tona. Kjo besoj se do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Qeveria e re përballet në fundvitin e 2013-ës, me 30 miliardë lekë më pak në buxhet

 Qeveria në ikje i ka “larë” duart nga përgjegjësitë e saj financiare. Dhe këtë e ka bërë para institucioneve ndërkombëtare, duke ia hedhur gjithë atë çfarë pritet t’i ndodhë qeverisë së re. Përgjigjet e dhëna nga qeveria në ikje për specialistët e FMN-së kur ishin në Shqipëri për të “skanuar” financat shqiptare, kanë qenë një delegim i të gjithë përgjegjësive për qeverinë e re, duke cilësuar si “sukses” të tyre lehtësimin e taksave për biznesin edhe pse ky ka një efekt negativ deri në 5 miliardë lekë. Në këtë mënyrë pritshmëritë e financave shqiptare, sipas Ridvan Bodes, janë tashmë në dorë të qeverisë së re, por nuk ka harruar të thotë se deri në fund të vitit buxhetit do t’i mungojnë 30 miliardë lekë nga parashikimi i bërë. Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk kanë mundur në këtë mënyrë të zgjidhin shumë pikëpyetje që shqetësojnë ekonominë shqiptare, pasi pjesa më e madhe e përgjigjeve kanë mbetur pezull nga qeveria në ikje, edhe pse ajo vazhdon të jetë në detyrë, ku pse nuk e kishte parashikuar largimin e saj nga pushteti, duket se nuk kishte asnjë strategji veç rritjes së borxhit publik për të mbajtur “në këmbë” ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër qeveria e re, ende pa marrë detyrën e saj gjendet përballë presioneve të asaj çka ka premtuar në fushatën e saj zgjedhore, por me këtë buxhet që gjen, i mbetet thuajse asgjë për të bërë.

 Pyetësori i FMN-së

 Ekspertët e FMN-së kanë qenë të qartë në kërkesat e tyre për të marrë përgjigje për ekonominë shqiptare. Përmes pyetësorit, ata kanë dashur të dinë rreth ndryshimeve të bëra për taksat dhe efektet e tyre në buxhet, çfarë po bëhet për ekonominë informale, si do të jetë në të ardhmen ecuria e borxhit, deficiti, epo kështu nuk kanë harruar ta pyesin ministrin në ikje as për energjinë, apo për privatizimet të mundshme në këtë periudhë. Vetëm nga ulja e taksave, efekti në buxhet do të jetë negativ, me të paktën 5 miliardë lekë, megjithatë vendimet fiskale të qeverisë në ikje janë marrë. E përgjigja për privatizimet nga qeveria në ikje është interesante. “Në vitin 2013 nuk mendohet se do të materializohet ndonjë privatizim shtesë, përveç atyre që janë kryer tashmë (privatizimi i katër hidrocentraleve). Lidhur me periudhën e vitit 2014 dhe më tej, një pikëpamje më e saktë për privatizimet gjithashtu dhe për politikat e privatizimeve për periudhën afatmesme do të mund të jepet vetëm në shtator, nga qeveria e ardhshme”. Duke “shpëtuar” me argumentin e qeverisë së re të shtatorit, kjo qeveri ka “larë” përgjegjësitë e saj para faktorit ndërkombëtar, por nuk e ka bërë atë para shtetasve të saj. Pasi në çdo mbledhje të fundit të Qeverisë, kryeministri në ikje nuk ka lënë privatizim apo dhënie me koncension HEC-esh.