Pilo Andoni/ Banka Botërore dhe politikanë shqiptarë vjedhin me profesionalizëm pronat e bregdetit jugor

1055
Sigal

Maratona për vjedhjen e territoreve në bregdetin e sipërm që vazhdon nga qafa e Llogorasë e deri në Ksamil

Mos harroni se jemi në lufte me sojsëzët, të cilët qeverisin vendin në Atdheun Amë. Në Shqipërinë tonë të dashur, sojsëzi nuk bëhet kurrë Fisnik e Sojli.

Lidhur me replikat e zonjës Kseniya Lovovski, Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri:

1. Ka pasur për detyrë nga eprorët e saj, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, të mbulojë vjedhjet e fondeve, që Banka Botërore i ka akredituar Qeverisë Shqiptare, me Kryeministër Z.Sali Berisha.

2. Të mbulojë veprimtarinë e zonjës Camile Naumah, ishte Drejtoresha e Bankës Botërore në vitet 2006, 2009; shumë e përfolur, për korrupsion financiar, me Qeverinë Shqiptare, të fondeve që Banka Botërore i akreditonte Qeverisë Shqiptare. Znj. Kseniya, gjatë mandatit tuaj si përfaqësuese (drejtoreshe) e Bankës Botërore, nuk ju pamë të prezantoheshit para mediave Shqiptare të deklaronit se sa miliona euro dhe dollarë i kini akredituar qeverisë shqiptare dhe si kjo qeveri i ka përdorur këto para, ju duhet ta kishit bërë një transparencë për taksapaguesit shqiptarë. Sot në ikje deklaroni se qeveria Berisha ka punuar shumë mirë. Ju e dini se korrupsioni është shtrirë në të gjitha institucionet e larta shtetërore dhe vrasjet për çështje të pronësisë e kanë kaluar shifrën mbi 6000 njerëz, që do të thotë një luftë civile e pa deklaruar. Zonja Kseniya. E keni informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës Botërore mbi sa thamë më lart??!!

-Çfarë ka ndodhur në ato vite që znj. Camile Naumah ka qenë përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri?

Ndodhën përplasje dhe debate të forta me banorët e bregdetit kundra Bankës Botërore dhe Qeverisë shqiptare për veprimet e padrejta në dëm të pronarëve ligjorë. Qeveria shqiptare me Kryeministër z.Sali Berisha dhe Ministria e Turizmit, me Ministër z.Ylli Pango, kishin ngarkuar me detyrë Agjencinë për Studim e Zhvillim Turistik, të bënte studimin e masterplanit; të zonës bregdetare Qafa e Llogorasë, Kakome. Kjo Agjenci ishte institucionalizuar në ambientet e Ministrisë së Energjetikës dhe privatizimit, me pronar privat “Arkitektin” Jamarbër Malltezin dhe bashkëshorten Argita Sali Berisha, në këtë studim merrnin pjesë dhe dy specialistë të deleguar nga Banka Botërore. 

Në pranverën e viti 2007, Policia e Shtetit, rreth 200 policë të armatosur, lundruan me një anije natën drejt gjirit të Jalës ndërsa nga Vlora rrugëton policia ndërtimore e Prefekturës me në krye drejtorin e pajisur me mjete të renda për prishje objektesh dhe në mëngjes, pa zbardhur dita, takohen në Jalë, në fshatin Vuno. 

Policia e Shtetit bllokoi rrugët e hyrjes në Jalë, duke ngritur tre postblloqe me policë të armatosur dhe në secilin postbllok kishin vendosur mitraloza të rëndë. Kur zbardhi mirë dita, të gjitha shtëpitë e banorëve autoktonë, që banonin në trojet e tyre ishin rrethuar me policë. Drejtori i policisë ndërtimore, foli me megafon, të gjithë të dilnin jashtë, të nxirrnin pajisjet elektro-shtepiake dhe orenditë e tjera sepse do të fillonte prishja e objekteve. Pronarët, pas këtij lajmërimi mbyllën dyert e dritaret dhe u ngujuan në shtëpitë e tyre; me të gjitha përpjekjet që beri Policia e Shtetit për të hyrë në brendësi të shtëpive nuk dha rezultat.

Filloi ndërhyrja, mjetet e rënda në veprim, duke goditur e rrënuar shtëpitë e banorëve të fshatit Vuno. Njerëzit në rrezik për jetën, hidheshin nga dritaret, dilnin nga të çarat e mureve për të shpëtuar jetën. Operacioni përfundoi me sukses. Populli replikonte me Policinë e Shtetit dhe policinë ndërtimore. Aty u tha: Ky territor është pronë shtetërore. Banka Botërore ja ka blerë Qeverisë Shqiptare me një shumë 35 milion euro,  e cila ka bërë dhe një studim për të ndërtuar objekte turistike për elitën. Në këtë aksion blic ishte dhe Ministri i Turizmit, Zotëria i tij Ylli Pango, i cili ju shmang replikave me banorët e dëmtuar, ndërsa Arkitekti Jamarbër Malltezi, fërkonte duart dhe nuk e fshinte gëzimin për arritjet me sukses të këtij operacioni blic.                                                                                                                                         Të dëmtuarit filluan ankesat pranë Bashkise Himarë, e cila heshti sepse nuk dinte për këtë dhe nuk kishte dorë. “Doktor” Andon Koka në pension, në krye të dëmtuarve, kërkonte nga Ekzekutivi dhe Gjyqësori drejtësi, por heshtja e Kryeministrit dhe korrupsioni i Gjykatave beri që, të lajmërohej drejtori i përgjithshëm i Bankës Botërore në Nju Jork. Gjithashtu u lajmëruan me shkrim të gjitha organizmat e Komitetit Europian për prishjen e shtëpive të tyre dhe vjedhjen që Qeveria Shqiptare ju bëri shtetasve. U dërguan dy përfaqësues nga qendra e Bankës Botërore në Shqipëri për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ata shkuan në Jalë, në Vuno, panë masakrën e rrënimit të objekteve dhe në fund thanë: “S’është ndonjë gjë e madhe. Të vlerësohet, të paguhen dëmet më vonë”.

 Erdhi dhe drejtori i Bankës Botërore për Europën Lindore, i cili tha se, neve nuk kemi blerë territore apo troje por, kemi kredituar Qeverinë Shqiptare në miliona euro sipas marrëveshjes kontratore që shumat e kredituara do t’i kthehen Bankës Botërore me të gjitha interesat brenda afateve të përcaktuara në kontrate. Ky veprim që u krye në Jalë akoma nuk është zgjidhur. “Doktor” Andon Koka ju mbeti si halë peshku në fyt,  Kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij, Bankës Botërore dhe Ministrisë së Turizmit. Në Jalë shkoi dhe një grup gazetarësh, të cilët patën një takim me zonjën Camily Nauhman. Ajo u mundua të shmangte çështjen, por një gazetare i bëri një pyetje: “Znj. Camylie, përse shkuat në Jalë? Çështja vazhdon…

-Shtëpitë në Jalë u prishën në mënyrë selektive

Policia ndërtimore, prishi banesat e banoreve te fshati Vuno, të cilët janë autoktonë, banorë që në kohën e Kaonëve e në vazhdimësi të rrjedhës së shekujve e në ditët e sotme. Por nuk i prishi ndërtimet pa leje të personave që kanë ardhur dhe kanë ndërtuar në Jalë, të cilët nuk janë banorë autoktonë dhe vetë ata nuk e dinë se nga janë dhe nga e kanë origjinën, dhe kanë ndërtuar pa leje në tokat private të Vunoit. 

Ky operacion blic, i organizuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore kishte për qëllim:                     

1. Vjedhjen e trojeve private të banorëve legjitim për tu pasuruar për vete së bashku me grupet e interesit, me korrupsion. 

2. Terrori që u ushtrua në prishjen e banesave në Jalë, nën forcën e uniformave blu kishte për qëllim gjenocid. Banorët e fshatit Vuno të braktisnin vendin, të largoheshin nga Shqipëria, kështu qeveritarët i kishin duart e lira për të realizuar programet e tyre fitimprurëse, shumë të majme. Në atë kohë nga militantët e dy partive të mëdha nëpër rrugë e kafene të Tiranes demonstronin se, tokat në bregdetin e Himarës duke filluar nga vija e ujit buzë detit e në brendësi janë toka shtetërore. Ata banorë duhet të largohen që të mos përballohen me forcën e shtetit pronar. 

Të shumta kane qenë organizimet e rinisë në Vlorë, të nxitur nga dy klane politike mafioze, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, solidare njëra me tjetrën e nxisin rininë dhe militantët për të shkuar në zonën e bregdetit të Himarës për tu përballur forcërisht e të tregojnë terror, krim e force kundra banorëve të vendit, të cilët banojnë ndër shekuj në trojet e tyre, hanë bukën me xhepin e tyre dhe ngrohen në pjesën e diellit që ju takon.             

-Maratona për vjedhjen e territoreve në bregdetin e sipërm vazhdon

Ishte fillimi i muajit Tetor 2007. Ministria e Turizmit me ne krye Ylli Pango në bashkëpunim me Bankën Botërore, e përfaqësuar nga zonja Camile Nauhman dhe Personeli i Agjensisë për studime Turistike, me në krye Drejtorin e kësaj Agjensie ‘Arkitektin” Jamarbër Malltezi me Argita Berishën dhe dy specialistë të deleguar të Bankës Botërore, në Qytetin jugor në Sarandë organizuan një seminar për studimin e masterplanit, për zhvillimin turistik si një e vetme, e ardhur e garantuar e shume fitimprurëse dhe punësim, seminari vazhdoi tre ditë në Sarandë. Organizatorët, të ardhur nga Tirana, kanë shtruar sofrën e qorrave për të ftuarit nga rrethet. Investitorët ishin, Qeveria Berisha, Banka Botërore Znj. Camile, Ministria e Turizmit, Ylli Pango dhe Agjensia e studimit, Jamarbër Malltezi.

Në këtë kohë Bashkia e Himarës kishte nxjerrë urdhëresën që do kthehen Kullotat, Pyjet e livadhet, të interesuarit të paraqesin e të dorëzojnë dokumentet. Ndodhesha në Tiranë, shkova në Himarë për të dorëzuar dokumentet për të më kthyer pronën (kullotë).

U paraqita në zyrën e menaxhimit. Drejtori i menaxhimit ishte një specialist shumë i përgatitur Z.Marko Daflla, pasi u prezantova dhe ai më dëgjoi me urtësi i dhashë dokumentet e pronësisë, si i pa me tha, ta gëzosh është e jotja. Kisha një titull pronësie të regjistruar në hipotekën e bashkise Himarë të vitit 1937 dhe dy urdhra ekzekutimi, me vendime gjykate të formës së prerë. Kjo zyrë për menaxhim nuk funksionoi, me urdhëresat që Kryeministri i jepte Prefekturës Vlorë dhe Prefekti i gatshëm të urdhëronte Bashkinë e Himarës. Në zbatim të ligjit për administrimin dhe kthimin e kullotave, pyjeve dhe livadheve, të cilat administrohen nga pushteti vendor dhe të përcaktuara në ligjin 7917, data 13.4.1995 “Për Kullotat dhe Livadhet (1faqe).

Ligji është i plotë, por në Bregdetin e Himarës nuk zbatohet, dhe çështja e pronësisë në këtë territor ka ngecur në një ngërç, që e shkaktojnë politikanët mafiozë të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, në bashkëpunim me grupet e interesave gjeopolitike të fqinjëve dhe të Rusisë. Në këtë rast Qeveria me këto veprime në kundërshtim me ligjin dhe interesat ekonomike shkakton një dëm ekonomik dhe një krim financiar në dëm të pronarit legjitim e të ekonomisë së vendit. Megjithëe ankesat e kallëzimet në Prokurori, prokuroria e krimeve ekonomike i ka mbyllur sytë dhe veshët i ka zënë me shtupë.

Lind pyetja, çfarë po behet dhe çfarë do të bëjmë? Ku po shkojmë? Kësaj pyetje asnjë nuk i përgjigjet, por të shikojnë me urrejtje, të shikojnë me inat sikur tu kesh ngrënë bukën!!!

Ishte data 7.9.2007. Rrija në verandë para një hoteli, kisha porositur një kafe, më afrohet një vajzë, e njihja ishte nga Fieri dhe banonte në Vlorë. Pasi thamë fjalët e përshëndetjes porosita dhe kafe për zonjushën, i thashë se përse ndodhej këtu, ajo më tha se, jam me gjithë shefin tim, një inxhinier, dhe kemi ardhur të bëjmë përgatitjet për të bërë një seminar për masterplanin e ndërtimeve turistike në tokat shtetërore në zonën e Himarës. I them unë: “Moj zonjushë unë jam nga ky vend dhe nuk di që qeveria shqiptare të ketë pronësi të tundshme këtu. Ky vend në shekuj, që kur njihet njerëzimi ka qenë pronë private, por pa më thuaj nga ju vjen ideja se kjo zonë ka qenë pronë shtetërore? Zonjusha tha se, përcaktimin e bëjnë Kryepleqtë e fshatrave me Kryebashkiakun Vasil Bollano, në koordinim me ne. Po në Vuno me kë mbani lidhje? Zonjusha M. Puka tha, me kryeplakun Nardi Bala dhe zëvendësen e tij, një zonjë e dërguar nga Tirana, është nga familja Nushi është shumë e aftë dhe e shkathët, Vunjotësit e duan dhe e respektojnë. Po shefin tënd si e quajnë? Po për punën që bëni kush ju paguan? Është inxhinier z. P.Cenko me origjinë nga Erseka, ndërsa pagesa na bëhet nga Agjencia për studimet turistike. Na erdhi zoti P.Cenko, pasi bëmë prezantimet dhe fjalët e çastit zonjusha M.Puka më pyeti, po ju përse ndodheni këtu? I thashë se, pres të marr vendimin për kthim prone, një kullotë në territorin e fshatit Vuno. Pasi më dëgjuan dhe më shikuan në sy më thanë, më parë do të ndërtohen objektet turistike sipas studimit, pastaj do shikohet çështja e pronësisë. Për një gjë neve jemi të qartë se, toka në të gjithë territorin juridik të Bashkisë Himarë, duke filluar nga buza e detit e në brendësi është tokë shtetërore dhe asnjëherë nuk ka qenë private këtë e tregon dhe muri rrethues i ullishtave. Po kjo sipërfaqe ka qenë kullotë dhe pronarë ka pasur barinjtë që mbarështonin bagëti të imëta. Kryepleqtë dhe kryetari i Bashkisë Himarë ju kanë treguar ndonjë dokument hipotekor se është tokë shtetërore, ju thashë. Atëherë foli zotëria i tij, P.Cenko. Po ka dokumente, është Kushtetuta e vitit 1976 dhe urdhëresa e Kryeministrit Enver Hoxha e vitit 1945 ku urdhëron pushtetin lokal që të marri në dorëzim kullotat, pyjet e livadhet, t’i japi me qira e të vjelë taksat. Unë di që e kam përjetuar dhe e mbaj mend mirë, Qeveria aso kohe me Kryeministër Enver Hoxhën më datë, 29.11.1944 nxori urdhëresën ku thuhet se, të gjitha kullotat, livadhet dhe pyjet shtetëzohen për nevoja të shtetit shqiptar. Komitetet Ekzekutive të rretheve të organizojnë inventarin e blegtorisë për çdo familje dhe më datën, 1. 01.1945 të vendoset taksa, mish, qumësht, lesh dhe vezë.

Kullotat, livadhet dhe pyjet do të jenë pronë e shtetit dhe do të administrohen nga Këshillat Popullore të çdo fshati, lokaliteti dhe do të varen direkt nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit përkatës. Pasi më dëgjuan Z. P.Cenko më tha, këtë muhabet po e bëjmë konfidencialisht, ndërsa unë i thash, por ti me zonjushën përse nuk kini shkuar në seminarin që organizohet në Sarandë, me sa di unë Ministri i turizmit, z. Pango dhe drejtoresha e Bankës Botërore znj. Camile, për pjesëmarrësit në seminar, kanë shtruar sofrën e qorrave, me bollëk.

Ne qëndruam këtu për të bërë organizimin e seminarit që do të bëhet pasnesër, presim sot të vijnë kryepleqtë e fshatrave, që së bashku me Kryetarin e bashkisë të fillojmë përgatitjet e seminarit. Foli z.P.Cenko, po Kryeplaku i fshatit Vuno para katër ditësh ka shkuar në Sarandë ku ishte ftuar në një kuvend tepër të rëndësishëm që do të shpaloset studimi i masterplanit për zhvillim turistik. Më dëgjuan por në fytyrat e tyre dallova nervozizëm.  

Të nesërmen pasdite erdhën organizatorët nga Saranda dhe të pasnesërmen në ora 10.00 filluan punimet e seminarit për studime turistike. Kryetari i Bashkise Z.V.Bollano beri përshëndetjet e rastit dhe fjalën ja dha përfaqësuesit të Ministrisë së Turizmit, dhe më pas e morën fjalën specialistët e deleguar nga Banka Botërore në mbështetje të Agjencisë për studime turistike në territorin juridik të Bashkisë Himarë. Këshilli Bashkiak u shpreh se më parë duhet të ndajmë pronat pastaj bisedojmë për këto që thuhen këtu, ne nuk jemi dakord. Aty u tha se, në muajin Nëntor të këtij viti në Tiranë do të organizojmë një seminar ku do të marrin pjesë nëpunës të lartë të institucioneve, shtetërore, intelektuale dhe të ftuar të tjerë nga shoqëria civile dhe diplomatike. Aty nga data 15 Tetor u largova nga Himara pa mbarur punë, se sektori i menaxhimit të tokës Kullotë u pezullua me urdhër të Prefektit të Vlorës. U largova nga Himara, shkova në Tiranë. Ishte në ditët e para të muajit Nëntor 2007, një i njohuri im më thotë se në Hotel Sheraton do të bëhet një seminar për studimet turistike në bregdetin e sipërm që fillon nga qafa e Llogorasë e deri në Ksamil. (Vijon nesër)