Pesë kandidatët për Këshillin Mbikëqyrës të BSH paraqesin platformat tek Ekonomia

614
Sigal

Pesë kandidatura për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë kanë prezantuar këtë të martë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat platformat e tyre. Nga anëtarët e propozuar nga Kuvendi dhe që kanë siguruar firmat e 28 deputetëve të mazhorancës ishin Luljeta Minxhozi dhe Artan Hoxha ndërkohë që Arben Malaj është lënë për t’u dëgjuar në një moment të dytë për shkak se nuk ndodhej në Shqipëri. Në një orar të dytë komisioni ka vijuar seancën dëgjimore edhe me anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa dhe Edlira Luçi si propozime që vijnë nga Këshilli i Ministrave. Kandidatët kanë parashtruar në fjalën e tyre para deputetëve pikat ku do të vendosin theksin në detyrën e tyre si pjesë e Këshillit Mbikëqyrës.

Kandidati Ridvan Bode u shpreh se kontributi i tij do të jetë në përmbushje të detyrimeve ligjore të BSH. “Eksperienca ime, kontribut në një debat të dobishëm. E marr ftesën i zhveshur nga të gjitha ngarkesat” tha Bode.

Kandidatet Popa dhe Luçi kanë nënvizuar gjithashtu aspektet ku kërkohet më shumë vëmendje lidhur me organin më të lartë vendimmarrës brenda bankës qendrore. “Banka e Shqipërisë ka vijuar të ndjekë politikat e veta në bashkëpunim për përmbushjen e politikës. Nëse do të kisha nderin misioni im do fokusohej në konsolidimin e politikave makro ekonomike” nënvizoi Popa.

Kandidaturat janë përzgjedhur nga një listë me 38 aplikantë të cilët shfaqën interesin e tyre pas njoftimeve për vakancat që u bënë nga ana e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Propozimet që vijnë nga dy institucionet i nënshtrohen dëgjesave dhe pas përzgjedhjes kalojnë në votim në Kuvend. Mandati për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është 7 vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Lidhur me propozimet të paktën pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar nga vetë Këshilli Mbikëqyrës. Në total janë nëntë anëtarë ku Kryetari është Guvernatori i Bankës së Shqipërisë./monitor