Perspektiva Evropiane e Shqipërisë

2233
Sigal

Instituti i Studimeve Ndërkombëtare boton studimin “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë

 Instituti i Studimeve Ndërkombëtare për të nëntin vit radhazi boton studimin “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë: Perceptime dhe Realitete”, bazuar tek rezultatet e sondazhit të kryer me 1200 qytetarë shqiptarë në 10 qytete të vendit. ISN është organizata me eksperiencën më të gjerë në matjen e perceptimeve dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë në lidhje me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Objektivi kryesor i këtij studimi vazhdon të jetë rritja dhe konsolidimi i pronësisë lokale të procesit të integrimit, pasqyrimi i shqetësimeve të qytetarëve, si dhe përqafimi i politikave lokale dhe evropiane në mënyrë që ato të jenë më efektive në kontekstin e integrimit.

Mbështetja dhe rëndësia: thikë me dy presa

86.5 për qind e shqiptarëve do të votonin pa asnjë mëdyshje në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa vetëm 7 % do të votonin kundër. Niveli i mbështetjes është rritur me 6% krahasuar me vitin e kaluar dhe vazhdon të jetë dëshmi e faktit se Shqipëria ka faktorin më të lartë mbështetës në perceptimet e popullatës në rajon. Për më tepër, për 57.5 për qind e atyre që u përgjigjën, integrimi evropian është shumë i rëndësishëm në dimensionin personal, ndërsa për 1/3 e kampionit është goxha i rëndësishëm, por jo një prioritet. Vetëm 6 për qind nuk i japin asnjë lloj rëndësie procesit, duke përfaqësuar kështu një kategori të vogël. Nuk ka asnjë dilemë mbi faktin se, mbështetja e lartë për anëtarësimin në BE është pikë së pari pozitive dhe duhet të inkurajojë politikanët vendorë dhe partitë politike ta përdorin këtë mbështetje. Anëtarësimi në BE ka qenë forca kryesore nxitëse për rindërtimin e shtetit shqiptar, në mënyrë të ngjashme me vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore, të cilat janë frymëzuar nga e njëjta shtysë. Është e rëndësishme të përmendim faktin se ajo ka shërbyer gjithashtu si një platformë për ndërtimin e paqes, për të nxitur ribashkimin dhe forcimin e besimit midis shteteve në Ballkan, përfshi këtu dhe Shqipërinë. Kjo paqe dhe ky ribashkim është ende i papërfunduar në Ballkan dhe në Shqipëri, pavarësisht se nuk kemi pasur përvojën negative të konflikteve etnike, të cilat lanë shenjë në vendet e ish-Jugosllavisë. Këto vende duhet ende të bien dakord me të kaluarën dhe të bëjnë një ndarje të qartë me ato cilësi të kaluara, të cilat nuk i përkasin themeleve të kulturës europiane.

Ky proces vazhdon të shihet më së shumti si i jashtëm, i lidhur me politikën e jashtme, si një marrëdhënie me një aktor të jashtëm dhe jo si një proces transformues për vetë Shqipërinë. Për ta ilustruar këtë, mund të shihen pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për sa i përket asaj që ata besojnë se do të vijë (në vend që t’i paraprijë) me anëtarësimin: zgjedhje të lira dhe të ndershme, sistem gjyqësor funksional, më pak korrupsion, më shumë sundim ligji etj. Të gjitha këto çështje janë në fakt parakushte dhe probleme strukturore madhore, të cilat Shqipëria duhet t’i trajtojë shumë më përpara se të bëhet i mundur anëtarësimi. Si rrjedhojë, kur shikojmë arsyet për mbështetje, 28 për qind thonë se presin që standardet e jetës të rriten, ndërsa 18 për qind presin vende të reja pune. Rreth 13 për qind presin ose më pak korrupsion, ose më tepër drejtësi. Kombinimi i ngadalësimit ekonomik në vend, duke konsideruar edhe krizën e gjerë në Evropë, ka influencuar mbi perceptimet, duke vendosur shqetësimin dhe pritshmëritë ekonomike në vend të parë. Për 40 për qind të skeptikëve (ata që do të votonin kundër) arsyeja primare është inflacioni i pritshëm ndërsa për pak më shumë se çereku i tyre, rreziku ndaj identitetit kombëtar janë arsyet për të qenë kundër.

Progresi: vlerësimi i luhatjeve

Gjysma e kampionit të pyetur (49.1 për qind) beson se Shqipëria nuk është ende gati për t’u futur në BE, ndërsa më pak se 1/3 (30.1 për qind) besojnë se ajo është gati. 1/5 e atyre që u përgjigjën nuk mund t’i japin një përgjigje kësaj pyetjeje duke treguar një lloj konfuzioni. Shqiptarët shfaqen më pak të vendosur kur flitet për faktin nëse BE do të duhet ta anëtarësojë Shqipërinë pavarësisht gatishmërisë së saj. Si rrjedhojë, 38% thonë se BE nuk duhet ta bëjë këtë përpara se Shqipëria të jetë gati, por një numër i ngjashëm me 37.3% mendojnë se BE duhet ta pranojë Shqipërinë edhe më përpara se ajo të jetë plotësisht e gatshme për të qenë anëtare. Edhe një herë, 1/3-ta e kampionit nuk i përgjigjet pyetjes. Kur u kërkohet të vlerësojnë progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj drejt integrimit krahasuar me një vit më parë, shumica e kampionit duket se beson se progresi ka qenë ose mesatar, ose I pakët. Ndërsa 13.4 për qind besojnë se progresi ka qenë goxha thelbësor, pjesa tjetër me 14.4 për qind, nuk shikon asnjë lloj progresi. Një përqindje e kombinuar prej 68 për qind e vlerëson progresin mesatar ose të pakët. Të pyetur për pritshmëritë e tyre për këtë vit në veçanti, si dhe për statusin e vendit kandidat, shqiptarët anonin lehtazi nga ana optimiste. 39.2 për qind prej tyre thanë se përgjigja për statusin kandidat do të ishte pozitive (pyetësori nuk bëri asnjë specifikim mbi status të kushtëzuar). 1/3-ta e kampionit (33.5 për qind) nuk besonin se Shqipërisë do t’i jepej statusi kandidat. Përgjigja e plotë dhe e saktë e kësaj pyetjeje do të jepet në dhjetor, meqenëse rekomandimet e KE-së kanë qenë pozitive, por të kushtëzuara. 27.2 për qind nuk mund t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje ose thanë se nuk e dinin. 40 për qind e shqiptarëve presin që viti i anëtarësimit në BE të jetë viti 2020, një datë që është përmendur shpesh në sondazhet e mëparshme. 1/3-ta e kampionit, që është shumë optimiste, mendon se anëtarësimi do të ndodhë në dy vitet e ardhshme. 12 për qind mendojnë se anëtarësimi do të ndodhë pas vitit 2020 dhe 18 për qind nuk e dinë. Numri i njerëzve që besojnë se Shqipëria nuk do të bëhet asnjëherë anëtare e BE-së ka rënë në mënyrë të ndjeshme nga viti I kaluar deri në një grup të vogël të papërfillshëm me 3 për qind.

Faktorët dhe institucionet: nga partitë te ekzekutivi, kthimi te normaliteti

Tre faktorë kyç janë veçuar nga rreth 40 për qind e të intervistuarve duke i dhënë atyre rëndësinë më të madhe mbi influencën që kanë mbi vetë procesin e integrimit si dhe të ritmeve të tij. Politika shqiptare (44 për qind), ekonomia shqiptare (40 për qind) dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme (41 për qind) janë në krye të listës së perceptimeve të qytetarëve kur pyeten për faktorët që ndikojnë mbi integrimin evropian. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme i rikthehen vlerësimit, pasi vitin e kaluar nuk u përmendën dhe aq shpesh. Afrimi i vitit elektoral e ka rritur ndjeshmërinë e qytetarëve drejt zgjedhjeve përpara se KE t’i vendoste ato si një parakusht për hapjen e negociatave për anëtarësim. Faktorët, të cilët konsiderohen si më pak të rëndësishëm për këtë proces vazhdojnë të jenë të njëjtët si në vitet e kaluara: përbërja fetare e shqiptarëve dhe konteksti rajonal, të zgjedhur nga 14 dhe 13 për qind si faktorë tejet të rëndësishëm. Kur analizohen institucionet, qytetarët duket se janë të ndërgjegjshëm për konsensusin e arritur midis dy kampeve kryesore politike, duke dalë kësisoj nga kriza politike. Si rrjedhojë, ndërsa vitin e kaluar qytetarët u jepnin rëndësi të madhe partive politike si institucione për integrimin evropian, këtë vit 42.3 për qind e caktojnë përgjegjësinë dhe rëndësinë atje ku dhe duhet, te ekzekutivi, pra, te qeveria. 21 për qind zgjedhin Parlamentin si institucionin më të rëndësishëm, ndërsa vetëm 18 për qind vazhdojnë të mendojnë se partitë politike janë ato të cilat kanë më shumë rëndësi në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Partnerët ndërkombëtarë: vlerësimet e qëndrueshme – një lajm i mirë

Niveli i vlerësimit që shqiptarët kanë për marrëdhëniet me BE-në, SHBA-në dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare si NATO dhe OKB, nuk ka ndryshuar shumë. Vit pas viti, Bashkimi Evropian rikonfirmohet si partneri strategjik dhe këtë vit mendohet i tillë nga 79.8 për qind e të intervistuarve. Ai ndiqet nga afër nga SHBA, me 78.8 për qind e të intervistuarve, që besojnë se marrëdhëniet me SHBA-në janë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Shqiptarët mbajnë të njëjtën nivel mbështetjeje për NATO-n dhe OKB-në, me 61 për qind, duke iu dhënë rëndësi strategjike marrëdhënieve me të dyja. Përveç marrëdhënieve me organizatat dhe aleancat e mëdha si dhe SHBA, ky pyetësor synon të masë dhe vlerësimin për marrëdhëniet me fqinjët vende anëtare të BE, vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe vende të tjera të cilat në një mënyrë përfaqësojnë qendra të ndryshme gjeopolitike (Turqia, vendet arabe, Rusia). Kur merren në konsideratë fqinjët, Italia udhëheq me 52 për qind të përgjigjeve që i japin rëndësi marrëdhënieve me fqinjin tone perëndimor. Në perceptimin e qytetarëve shqiptarë duket se gjërat për Greqinë shkojnë keq. Vetëm 25 për qind e qytetarëve i japin rëndësi të madhe marrëdhënieve me Greqinë, shifër kjo jo shumë e ndryshme nga viti i kaluar, por gjithsesi një shifër e ulët, veçanërisht duket konsideruar faktin se 23 për qind thonë të njëjtën gjë për vendet arabe. Pothuajse 36 për qind e qytetarëve i japin rëndësi primare marrëdhënieve me Turqinë, e perceptuar gjerësisht si një aleate miqësore, veçanërisht për shkak të qëndrimit të saj të kaluar dhe të tanishëm për Kosovën. Në perceptimet e shqiptarëve vendi më pak strategjik ndaj Shqipërisë duket se është Rusia, e cila ka marrë 17 për qind të përgjigjeve. Partnerët rajonalë: vlerësimi mesatar, përveç Kosovës.