Përkeqësohet besimi tek ekonomia, Treguesi i Tendencës Ekonomike ra me 4 pikë gjatë tremujorit të tretë

826
Sigal

Teksa ekonomia dhe punësimi rritet, treguesi i besimit ka thelluar rënien në tremujorin e tretë. Banka e Shqipërisë raportoi sot se, Treguesi i Besimit në Ekonomi (TNE) rezultoi në vlerën 102.1, duke shënuar një rënie me 4.0 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Ecuria e treguesit reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve. Me gjithë këtë zhvendosje, TNE vazhdon të qëndrojë mbi mesataren e tij afatgjatë. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) rezultoi 0.1 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet 6.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Rritja me 6.1 pikë përqindje e balancës së inventarëve ndikoi në rënien e TBI-së. Ndërkohë, dy komponentët e tjerë formues të treguesit, prodhimi dhe kontratat porositëse, u rritën me përkatësisht 4.6 dhe 1.1 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera si gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e prodhimit rezultuan të përmirësuara. Në të kundërt, balancat e kontratave porositëse nga eksportet dhe pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm vijuan të bien në tremujorin në analizë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth nivelit 74.8%, duke qenë 0.9 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 1.2 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij . Dinamika rënëse e TBN-së në këtë tremujor u përcaktua nga rënia e balancës së aktivitetit ndërtues, me 6.2 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e treguesit, kontratat porositëse, u rrit me 2.3 pikë përqindje. Edhe balancat e punësimit dhe të pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm shënuan rritje në tremujorin në analizë. Lehtësisht me rënie rezultuan balanca e gjendjes financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.2 në terma tremujorë dhe me 2.0 pikë përqindje në terma vjetorë. Niveli i saj prej 60.2% mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me përkatësisht 3.2 pikë përqindje. Megjithatë, treguesi qëndron rreth 4.8 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Niveli më i ulët i TBSH-së u ndikua nga rënia e të dyjave balancave formuese të tij, me përkatësisht: 4.2 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit dhe 2.2 pikë përqindje balanca e kërkesës. Rënie shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare dhe pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi gjithashtu rritje, me 0.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë dhe me 2.7 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë, rreth 75.9%, qëndron 5.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) vijoi gjithashtu të bjerë gjatë tremujorit të tretë. Rënia e TBT-së me 5.3 pikë përqindje e zhvendosi treguesin nën mesataren historike të tij (Grafik 5). Kjo dinamikë tremujore e TBT-së u përcaktua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit, me 8.4 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm me 2.2 pikë përqindje. Në të kundërt, balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi në 71.2%, duke qenë rreth 0.7 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë. Megjithatë, kjo normë ra me 1.4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke mbetur 4.9 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj. Treguesi i besimit konsumator (TBK) zbuti dinamikën rënëse gjatë tremujorit të tretë. Treguesi ra me 0.7 pikë përqindje dhe rezulton i zhvendosur rreth 0.8 pikë përqindje nën mesataren historike të tij (Grafik 6). Rënia e TBK-së pasqyroi kryesisht rënien e balancës së blerjeve të mëdha, me 5.4 pikë përqindje. Treguesi u ndikua në kahun rënës edhe nga balanca e situatës financiare të pritur të familjes, e cila rezultoi lehtësisht më e ulët, me rreth 0.1 pikë përqindje, se vlera e një tremujori më parë. Ndërkohë, dy komponentët e tjerë përbërës të TBK-së, balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve dhe situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend u rritën me përkatësisht 2.3 dhe 0.4 pikë përqindje.