Pensionistët “pushtojnë” ISSH, në 2018-n u shtuan me 14 mijë

510
Sigal

ISSH: Në 2018-n numri i pensionistëve arriti në më shumë se 635 mijë

Pensionistët “pushtojnë” vendin, vetëm vitin e kaluar u shtuan mbi 14 mijë

Vendi ynë po kalon drejt një faze të plakjes së popullsisë, që pritet të sjellë probleme të mëdha sociale e ekonomike në vitet e ardhshme. Plakja e popullsisë shqiptare është ndihmuar nga ulja e numrit të lindjeve dhe nga vala e madhe e emigrimit që ka kapur vendin gjatë viteve të fundit, ku shumë të rinj janë larguar drejt një jete më të mirë, të shtyrë nga kushtet e vështira në të cilin ndodhet Shqipëria, për sa i përket punësimit dhe perspektivës për një të ardhme pozitive. Të gjithë këto faktorë kanë bërë që përveç shtimit të popullsisë së plakur, rrjedhimisht të shtohet dhe numri i pensionistëve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar shifrat që raportojnë se numri i pensionistëve në 2018-n arriti në 635,700 persona. Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionisteve të zgjerohet me 2.3 % në raport me një vit më parë. Realisht, numri do të ishte akoma më i lartë, po të mos ishte rritur koha e daljes së pension me pesë vite për gratë. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 1990, vendi numëronte një popullsi më shumë se 3.2 milionë banorë, teksa paguanin sigurime më shumë se 1.4 milionë persona. Në vitin 2017 paguan sigurime vetëm 752 mijë persona, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë. Të dhënat krahasuese tregojnë se, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11%, personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 49%. Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 14.36% ose 87,133 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2018, u raportuan 635,700 të tillë. Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2018, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë.