Pedagogët e Mesdhetarit përcaktojnë Indeksin e Euroizimit të Ekonomisë Shqiptare

1009
Sigal

Greta ANGJELI- Alqi NAQELLARI

Në datën 1 qershor Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në Bashkëpunim me GIZ (The Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit), organizuan Konferencën Ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe politikat e punëzënies në Shqipëri”. Në këtë Konferencë me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, grupit të deputetëve të Komisionit të Ekonomisë që hartuan materialin për Strategjinë e Punësimit në Shqipëri, Ministrit të Ekonomisë, Financave e Punësimit, dhe pjesëmarrësve të tjerë, vendas dhe të huaj u shpalosën hapur arritjet e deritanishme në fushën e punëzënies dhe perspektivat e ekonomisë shqiptare deri në vitin 2021.

Kryeministri Rama rishpalosi edhe një herë Platformën e Strategjisë së punëzënies në ekonominë shqiptare, si dhe ribëri një përshkrim të punës së bërë deri tani në fushën e punëzënies. Kryeministri, me kompetencë e profesionalizëm, foli qartë dhe hapur për llojet e papunësisë, për shkaqet dhe lidhjet e tyre me shkallën dhe strukturën e ekonomisë, si dhe për mundësitë e rënies së saj në nivele të lakmueshme edhe për vendet e tjera të rajonit. Është hera e parë që unë dëgjoj një Kryepartiak që flet si një specialist i mirëfilltë i ekonomisë, me koncepte të qarta, duke e parë papunësinë si pasojë e rritjes ekonomike dhe jo si qëllim në vet-vete. Me koncepte dhe interpretime të sakta të papunësisë së vullnetshme duke dhënë edhe shpjegime për perspektivën e saj, në kalimin me cikël të mbyllur. Kalimi në një fazë më të lartë të prodhimit, me cikël të mbyllur do sjellë jo vetëm rritjen e shkallës së punëzënies por edhe rritjen e rendimentit të punës dhe për pasojë edhe të pagave. Kjo sepse shqiptarët janë në Evropë dhe pagat i kërkojnë si evropianë. Pikërisht këtu shikohet edhe një nga arsyet e mospërputhjes së mundësive të punësimit me punësimet faktike. Lidhja e ngushtë me biznesin, krijimi i lehtësirave dhe favoreve fiskale ka dhënë efektet e tij, sepse nuk është qeveria që çel vende pune, por është biznesi që e bën këtë gjë. Në diskutime u prononcuan duke dhënë mendimet konkrete edhe përfaqësuesja e GIZ-it zonja Katja Rockel, GIZ/Pro SEED Programm Director, Dr Yehuda Hamovitz, Senior Associate-Founder DH&A, International Management Consultancy etj. Ndër të tjera Kryeministri shqiptar theksoi: “Në 2018-20121 do të kemi një kërcim të rëndësishëm në shifrat e punësimit falë një programi që synon rritjen ekonomike me anë të punësimit. Duke filluar nga infrastruktura, në vitet e ardhshme do të financohen një sërë projektesh. Turizmi që çdo vit po tregon gjithnjë e më shumë rëndësinë në ekonominë shqiptare. Kalimi nga statusi fason, në kalimin e një statusi tjetër, ku çdo proces të kryhet brenda në Shqipëri”. Më tej ai theksoi: “Nëse reforma në arsimin profesional do ishte bërë 20 vite më parë sot do të kishim një situatë krejtësisht tjetër. Në fund të fundit janë sipërmarrjet ato që krijojnë vendet e punës, jo qeveria. Qeveria ka për detyrë të mbështetë krijimin e vendeve të punës, duke krijuar lehtësira në aspektin financiar si dhe krijuar kushtet në përgatitjen profesionale të punonjësve. Thellimi i reformave është e vetmja rrugë për të rritur këto rezultate”. Në Konferencë u paraqitën 47 punime, me pjesëmarrje të mbi 100 pedagogëve dhe specialistëve të fushës. Të gjitha kishin për objektiv papunësinë ose tregues makroekonomik të lidhur me të. Përgjithësisht iu dhanë përgjigje një sërë pyetjeve të tilla si:

-Pse ka mospërputhje midis ritmit të rritjes ekonomike dhe ritmit të rënies së papunësisë?

-Përse nuk gjen vend Ligji i Okunit që për çdo 1% rritje të GDP-së mbi normën e prirjes së rritjes nuk ka rënie me 0.5% të normës së papunësisë/

-Përse papunësia sot është papunësi e vullnetshme, cilat janë shkaqet e saj dhi si duhet të eliminohen?

-Përse ka diferencime në punëzënie sipas gjinisë dhe si janë tendencat në vijim?

-Përse papunësia te të rinjtë kalon 24% dhe cilat janë rrugët për zvogëlimin e saj. -Si ndikojnë në normën e papunësisë, treguesit kryesorë ekonomikë si norma e inflacionit, PBB-ja dhe Deficit Tregtar?

-Çfarë roli dhe vendi kanë shërbimet në zbutjen e normës së papunësisë?

-Cili është roli dhe perspektiva e turizmit në rritjen e PBB-së dhe rënien e normës së papunësisë etj., etj.

Të gjitha studimet bazoheshin në të dhëna të ekonomisë shqiptare të ekspozuara nga INSTAT-i, Banka e Shqipërisë dhe Ministritë e linjës. Shfrytëzimi dhe interpretimi i tyre në kushtet e ekonomisë reale i bën këto studime të vlefshme për tu shfrytëzuar nga organizmat përkatëse, ashtu siç u shprehën edhe përfaqësuesit e qeverisë. Në këtë Konferencë u paraqitën edhe studime mbi valutizimin e ekonomisë shqiptare. Këto studime ishin të lidhura me ndikimin e euroizimit në Prodhimin e Brendshëm dhe për pasojë në shkallën e papunësisë. Ne do të ndalemi në njërin prej tyre i cili tërhoqi edhe vëmendjen e panelit përkatës. Do ndalemi në studimin me temë: “Përcaktimi Indeksit të Euroizimit dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare”, studim i kryer nga pedagogët e Universitetit Mesdhetar G. Angjeli dhe A. Naqellari. Autorët u paraqitën në Konferencë me dy studime të cilat kanë vlera shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky bashkëpunim shumë i suksesshëm në vite, i autorëve vinte në këtë Konferencë pas fitimit të Çmimit të Parë në konferencën e AMF-së ku përcaktuan në mënyrë të shterur shkallën e përqendrimit të tregut të siguracioneve dhe të produkteve të tjera. Me studimin e tyre ata i dhanë një bazë të rëndësishme konkluzionesh për analizë Autoritetit të Konkurrencës dhe vetë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Me studimin e fundit ata kontribuojnë konkretisht në mendimin ekonomik shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Cila ishte metoda që përdorën autorët për integrimin e 14 treguesve sintetikë në një Indeks të vetëm të Euroizimit të Ekonomisë Shqiptare?

Shumë autorë të huaj kanë studiuar dollarizimin apo euroizimin e ekonomive të tyre. Ata janë kufizuar në raporte të thjeshta me bazë kreditë dhe depozitat në valutë. Në këtë analizë është zgjeruar gama e treguesve dhe këndvështrimi i indeksit duke e bërë atë më gjithë përfshirës dhe më përfaqësues. Kështu janë përfshirë elemente të tjerë të faktorëve ndikues duke i peshuar në bazë të 5 grupimeve të përcaktuara. Autorët nuk kanë marrë thjesht raporte të ndara duke marrë në konsideratë ALL dhe Valutën përkatëse. Ata janë bazuar kryesisht në rëndësinë dhe përfaqësimin e secilit grup-treguesish të marrë në analizë. Përcaktimi i grupeve është bërë në bazë të rëndësisë së gjithsecilit, të gjykuar nga ana e tyre, mbi ecurinë e treguesve rezultativë. Këto grupe-treguesish janë vlerësuar në raport me rëndësinë totale e cila është 100 pikë. Grup-treguesit janë ndarë në zëra të veçantë duke i vlerësuar sipas rëndësisë së tyre brenda grupit. Në këtë mënyrë janë përcaktuar 5 grupe-treguesish me nënndarjet përkatëse si më poshtë:

Grupe-treguesish. Pesha ndaj totalit të pikëve në përqindje

  1. Kredi 35
  2. Depozita 35
  3. Borxhi 10
  4. Hyrje valute 10
  5. Agregatë ndaj PBB-së 10

Shuma 100

Ndarja e pikëve tregon se kredia dhe depozitat janë dy zërat që zënë peshën kryesore në vlerësimin e shkallës së valutizimit të ekonomisë shqiptare.

Secili grup është ndarë në nëngrupe më të vegjël. Është përcaktuar rëndësia e tyre Brenda grupit. Kjo është bërë në mënyrë subjektive duke marrë rëndësinë e tij, ndikimin direkt dhe indirekt ndaj treguesve rezultativë.

Treguesit analitik sipas grupeve janë diferencuar si më poshtë:

  1. Kredi 35%. Është grupi kryesor dhe më i vlerësueshëm ndaj totalit, në përcaktimin e IVESH (Indeksi i Valutizimit të Ekonomisë Shqiptare). Ky grup është ndarë në tre nën zëra.

a = 60 %. Kredi në valutë ndaj Kredisë gjithsej në lekë dhe valutë.

b =10%. Kredi në valutë ndaj ALL, lekëve që qarkullojnë jashtë bankave.

c = 30%. Kredi në valutë ndaj agregatit M2.

  1. Depozita 35%. Është treguesi i dytë i vlerësuar maksimalisht sepse ka të bëjë me stokun e kredisë në përgjithësi dhe stokun e kredisë në valutë, me qarkullimin e lekëve jashtë banke dhe me valutë të gatshme për qarkullim si depozitë pa afat. Ky grup është ndarë në katër nënzëra.

a = 50%. Depozita me afat në valutë ndaj depozitave gjithsej me afat.

b = 40%. Depozita në Valutë pa afat ndaj Depozitave në Lekë dhe Valutë pa afat.

c = 5%. Depozita në valutë me afat ndaj M2.

d = 5%. Depozita në valutë gjithsej ndaj M3.

  1. Borxhi 10%. Borxhi është vlerësuar vetëm me 10 pikë. Arsyeja është se ai ka ndikim të dyanshëm njëkohësisht negativ dhe pozitiv.

a = 50%. Borxhi Jashtëm/PBB-së.

b =50%. Borxhi i Jashtëm/Borxhit total.

  1. Hyrje valute 10%. Hyrje valute nga jashtë është vlerësuar me 10% ndaj treguesit të përgjithshëm.

a = 20%. IHD+ EX+ Remitanca/ Pjb.

b = 20%. IHD+ EX+ Remitanca/ M2.

c = 60%. IHD+ EX+ Remitanca/ Importeve.

  1. Agregatë ndaj PBB-së 10%. Agregatët që janë marrë në konsideratë kanë lidhje me rritjen e PBB-së dhe me Indeksin e Valutizimit të tregut monetar.

a = 40%. Kredi në Valutë ndaj PBB -së.

c = 25%. IHD+ EX+ Remitanca/ PBB. Ky tregues është vlerësuar në mënyrë të kënaqshme.

Kjo ishte ndarja e vlerësimit për llogaritjen e Indeksit të Valutizimit në Ekonominë Shqiptare. Vlerësimi është bërë në mënyrë subjektive, sipas gjykimit të autorëve. Ekonomistë të tjerë në kushtet e vendeve të tyre, mund të bëjnë një strukturim që mund të jetë edhe më përfaqësues. Gjykojmë se në kushtet e ekonomisë shqiptare ky është treguesi më përfaqësues i tregut monetar. Më poshtë po japim një strukturë të Pasqyrës ku janë llogaritur peshat e grupeve dhe të nëngrupeve të analizuara më sipër.

Përmbledhësit e treguesve të valutizimit

  Grupi I

Kredi

Grupi

II

Depozita

Grupi III

Borxhi

 

Grupi IV

Hyrje Valute

 

Grupi V

Agreg/ PBB

Total. IVESH Real GDP %
1999 10.62 10.99 2.30 4.365 0.82 29.10 7.30
2000 13.28 11.41 2.26 5.989 1.10 34.04 7.80
2001 15.17 13.38 2.33 5.922 1.30 38.09 7.30
2002 17.97 13.67 2.83 5.94 1.32 41.73 4.30
2003 19.13 13.92 2.49 6.701 1.39 43.63 5.80
2004 19.39 12.84 2.39 6.643 1.49 42.76 5.71
2005 19.73 12.32 2.37 6.11 1.68 42.20 5.72
2006 20.58 13.55 2.30 6.316 1.99 44.74 5.43
2007 24.02 14.75 2.19 7.19 2.46 50.62 5.90
2008 25.39 14.47 2.54 6.518 2.57 51.48 7.50
2009 24.77 15.7 3.13 6.325 2.51 52.43 3.35
2010 25.68 16.97 3.41 7.645 2.89 56.59 3.71
2011 25.76 17.13 3.44 7.561 2.90 56.80 2.55
2012 24.35 17.16 3.50 7.975 2.95 55.94 1.40
2013 23.31 17.15 3.40 8.737 2.99 55.59 1.00
2014 22.24 16.97 3.59 6.463 2.70 51.97 1.80
2015 20.84 17.46 4.07 5.991 2.60 50.96 2.20
2016 19.20 17.78 4.08 5.821 2.54 49.42 3.40

 

Grafiku i Indeksit të Euroizimit

 

 

Treguesit e koorelacionit midis 5 grupeve kryesore dhe GDP-së në përqindje

  Kredi Depozita Borxhi Hyrje Valute Agreg /PBB IVESH Real PBB %
Kredi 1            
Depozita 0.642 1          
Borxhi 0.377 0.907 1        
Hyrje Valute 0.633 0.466 0.212 1      
Agreg /PBB 0.861 0.886 0.699 0.62 1    
IVESH 0.926 0.874 0.664 0.68 0.967 1  
Real PBB % -0.515 -0.847 -0.841 -0.52 -0.732 -0.759 1

 

Nga analiza e treguesve të mësipërm konkluzioni është i thjeshtë. Ka lidhje negative midis valutizimit të tregut dhe ritmit të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Lidhja nuk është e fortë -0.759. Edhe shkalla e ndikimit në PBB është me rreth 0.21 ose 21%. Në këtë mënyrë roli i valutizimit të tregut në rritjen e ekonomisë nuk duhet parë me të zeza. Përkundrazi duhet parë si një mundësi për ta kthyer euron në faktor bazë të rritjes së investimeve. Këtë duhet të bëjë Banka Qendrore dhe jo të bëjë indiferentin ndaj zhvlerësimit të saj. Nuk është normale, ose është anti ekonomike e shkencore të deklarosh se zhvlerësimi i euros ka ndikuar pozitivisht në ekonomi dhe faktorët e zhvlerësimit të saj ti shikosh me syzat e ruajtjes së vendit të punës dhe jo nën prizmin e interesit kombëtar.

Është hera e parë që në Shqipëri dhe më gjerë, llogaritet një indeks që përfshin 14 tregues të lidhur me euroizimin e ekonomisë. Ky Indeks rekomandohet edhe për vendet e tjera me përcaktimet përkatëse të peshave të rëndësisë.

Mbi bazën e këtij studimi, për shkallën e monetarizimit të tregut, autorët kanë propozuar edhe këtë klasifikim.

 Propozojmë skemën me katër diferencime në shkallën e valutizimit:

I pari- nga 10-40% monedha vendase me rol të plotë në treg, valutizim relativ normal i tregut, me ndikim në treguesit makroekonomik.

I dyti, nga 41- 49, humbje e pjesshme e rolit të monedhës vendase në treg, valutizim relativ me ndikim të plotë në treguesit makroekonomikë.

I treti, mbi 50 deri në 70 valutizim i plotë, humbje e rolit kryesor në tregun monetar të monedhës vendase.

I katërti, mbi 70% kemi ndërrim të monedhës vendase, dhe vendosjen e valutës si monedhë kryesore.

Cilat janë disa nga konkluzionet e studimit dhe çfarë rekomandojnë autorët për Institucionet e interesuara siç është Banka e Shqipërisë, Ministritë e linjës etj?

Nga analiza që ju bë këtij Indeksi u konstatua se ai ka lidhje me treguesin kryesor makroekonomik, PBB-në. Prodhimi Brendshëm Bruto ka rritje në periudhën e marrë në analizë(1999-2016). Ndryshon ritmi i rritjes së tij. Lidhja midis Indeksit të Valutizimit dhe ritmit të rritjes së PBB-së është -0.759. Kjo do thotë se rritja e valutizimit të tregut monetar dhe ekonomisë në përgjithësi ka ndikuar negativisht në ritmin e rritjes së PBB-së.

-Konkluzioni i dinamikës së përgjithshme të 15 treguesve sintetikë është se secili prej tyre i lidhur me PBB-në, në vartësi nga madhësia e ndikimit ka dhënë ndikim, pa përcaktuar tendencën e përgjithshme të treguesit të IVESH-it.

-Shkalla e valutizimit ka ritme më të shpejta rritje se shkalla e rënies së ekonomisë. Kjo tregon edhe për masën e ndikimit të shkallës së valutizimit në përqindjen e rënies ekonomike.

I rekomandojmë Bankës së Shqipërisë që:

-Të punojë në drejtim të kufizimit të përdorimit të valutës në transaksione që mund të kryhen në monedhën vendase.

-Të mos i shpalli luftë euros por ta konsiderojë si një asset të rëndësishëm dhe ta mbrojë njësoj si lekun shqiptar.

-Të punojë në formalizimin e çdo lëvizje dhe çdo transaksioni që bëhet në valutë.

-Të përcaktojë kursin e këmbimit të lekut duke vendosur kufijtë përkatës.

-Ti propozojë qeverisë që të çeli një bankë tregtare me kapital shtetëror.

-Ti rekomandojë qeverisë të përcaktojë barriera kufizuese në importin e produkteve që mund të prodhohen në vend me kosto më të ulët.

-Ti rekomandoj qeverisë stimulimin e importit të makinerive e pajisjeve duke hequr çfarëdolloj tarife ndaj tyre.

-Në konferencat e saj të ftojë pedagogët dhe specialistët shqiptarë të fushës dhe të heqin dorë nga mbivlerësimi i specialistëve të huaj. I bëjmë me dije se ka shumë ekonomistë shqiptarë që janë shumë më të mirë se ekonomistët e huaj që për gjykimin tim më së shumti janë të tipit se rakia e rrushit bëhet nga rrushi. Të vlerësojë mendimin e shqiptarëve. Jemi ne ata që do ta nxjerrin Shqipërinë nga situata, është kjo qeveri dhe jo të huajt e FMN-ja. Ata vijnë dhe ikin, ne mbetemi këtu me të mirat dhe dobësitë tona.