Pastrimi i parave, Shqipëria në rrjetën e kompanive offshore

589
Sigal

Shqipëria në sistemin e raportimit financiar për kompanitë offshore

Një projektligj që po diskutohet nga Kuvendi do ta përfshijë edhe Shqipërinë në sistemin e shkëmbimit të informacionit mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe të pronësisë. Projektligji “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare” synon krijimin e një mjeti efikas për realizimin e shkëmbimit automatik të informacionit, në zbatim të Standardit të Përbashkët të Raportimit dhe marrëveshjes shumëpalëshe të autoritetit kompetent për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.178, datë 9.3.2016. Sipas standardit të ri global, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal. Kjo pasi, veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm. Që prej muajit nëntor të vitit 2012 Shqipëria është pjesë e Forumit Global mbi Transparencën dhe Shkëmbimin e Informacionit për Qëllime Tatimore (“Global Forum on Transparency and Exchange of Information for Tax Purposes”). Forumi Global është organizmi më i gjerë ndërkombëtar në fushën e shkëmbimit të informacionit për qëllime tatimore në luftën kundër evazionit fiskal, i mbështetur nga G20. Produkti më i rëndësishëm i Forumit Global është raporti i rishikimit (“Peer Review”). Raporti i rishikimit hartohet për çdo vend pjesëmarrës dhe përfshin vlerësimin e kujdesshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator, si dhe praktikave të përdorura për shkëmbimin e informacionit tatimor në fushën e tatimeve. Pas vlerësimit të kuadrit ligjor dhe rregullator, Shqipëria është vlerësuar nga Forumi Global për fazën e dytë, e cila lidhet me zbatimin e standardeve në praktikë, ku është sugjeruar hartimi i akteve ligjore primare dhe sekondare për zbatimin e shkëmbimit automatik të informacionit ndërmjet vendeve, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen shumëpalëshe. Rezultati kryesor i implementimit të Standardit të Përbashkët të Raportimit është angazhimi i vendeve anëtare në rritjen e transparencës në fushën e taksave. Shqipëria, në datën 29 tetor 2014, ka nënshkruar marrëveshjen model shumëpalëshe të autoriteteve kompetente, në zbatim të nenit 6 “Shkëmbimi automatik i informacionit” të Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjellë në Çështjet Tatimore, të cilën Shqipëria e ka miratuar me ligjin nr.146/2013, datë 6.5.2013. Në zbatim të këtij neni të Konventës, nënshkrimi i marrëveshjes model shumëpalëshe të autoriteteve kompetente angazhon vendet nënshkruese për zbatimin e shkëmbimit automatik të informacionit në fund të vitit 2017 ose në fund të vitit 2018. Vendet nënshkruese ose ndryshe të quajtura grupi i adaptuesve të hershëm, duke ditur se evazioni tatimor mund të trajtohet në mënyrë efektive vetëm në nivel global, janë angazhuar nëpërmjet marrëveshjes për miratimin e një standardi të vetëm e të ri global, për shkëmbimin automatik të informacionit të tatimpaguesit dhe zbatimin e njëjtë dhe efektiv të këtij standardi.