Sigal

Banka e Shqipërisë ka gjetur transaksione të pajustifikuara nëpër bankat e nivelit të dytë, mospërputhje të të dhënave të bankës me profilin e klientit dhe aktivitetin e tyre. FMN paralajmëron Shqipërinë se sistemi i parandalimitt të pastrimit të parave ka dobësi dhe këto mund të afektojnë sistemin bankar

Qeveria “ngriva-shkriva” me koncesionet, ndryshon rregullat për ofertat e pakërkuara, bonusin dhe garën

Në valën e koncesioneve dhe partneriteteve publike private që kanë përfshirë vendin viteve të fundit, është bërë e zakonshme që edhe rregullat e lojës të ndryshojnë me të njëjtën shpeshtësi. Kur pritet që nga 1 korriku 2019 të mos pranohen më oferta të pakërkuara, qeveria ka ndryshuar me një vendim të veçantë këtë të mërkurë një vendim që lidhet pikërisht me këtë aspekt. Autoritetet mund të marrin oferta të pakërkuara për projekte që konsiderohen të pranueshëm dhe propozuesi mund të marrë deri në 10 për qind të pikëve si bonus por tashmë nëse vendoset që të jepet ky koncesion ose partneritet do të bëhet publikimi i projektit teknik dhe kostos së propozuar. Pas kësaj në garë ftohen edhe operatorë të tjerë. Kjo deri diku duket se ka si synim rritjen e transparencës por edhe të konkurrencës mes operatorëve. Shtrimi një neni 15/1 saktëson se pas hapjes së garës propozuesit që ka bërë ofertën e pakërkuar i bëhet me dije oferta më e leverdishme ekonomike që mund të jetë bërë gjatë garës nga operatorët pjesëmarrës. “Oferta më e leverdishme ekonomike do t’i paraqitet propozuesit me qëllim paraqitjen e një oferte më të leverdishme ekonomikisht sesa oferta fituese. Nëse propozuesi pranon, atëherë ai shpallet fitues i garës dhe vijohet më tej për negocimin e kontratës. Nëse propozuesi nuk pranon të paraqesë një ofertë ekonomikisht më të leverdishme, atëherë ofertuesi fitues do t’i paguajë atij vlerën e hartimit të projektit teknik, e cila do të publikohet në dokumentet e procedurës konkurruese. Nëse palët dështojnë në negocimin e kontratës, atëherë ofertuesit do t’i mbahet vlera e garancisë së ofertës dhe do të ftohet propozuesi për negocim sipas vlerës fillestare të propozimit të tij” thuhet në vendimin e miratuar këtë të mërkurë në qeveri.

Vendimi i plotë i miratuar në qeveri

 

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.634, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR VLERËSIMIN DHE DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT TË PUNËVE PUBLIKE DHE SHËRBIMEVE PËR NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE REHABILITIMIN E RRUGËVE NACIONALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, pikat 1, shkronja “j”, dhe 2, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin bashkëlidhur vendimit nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, “Rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Pika 1, e nenit 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Nëse propozimi i pakërkuar konsiderohet i pranueshëm, autoriteti kontraktor mund të nisë procedurën për dhënien e kontratës nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues.”.

b) Neni 15 riformulohet, me këtë përmbajtje:

“Neni 15

Dhënia e bonusit

Në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, përpara procedurës konkurruese propozuesi ka të drejtë të përfitojë nga autoriteti kontraktor, i cili vendos për një nga format e mëposhtme të bonusit:

a) Një bonus për rezultatin tekniko-financiar të propozuar prej tij, deri në një maksimum prej 10% (të 100 pikëve në total) të vlerësimit maksimal të garës, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave;

b) Aaplikimin e procedurës me publikim të projektit të tij, me qëllim përfitimin e ofertës më të leverdisshme ekonomike, pa ndryshuar projektin teknik.”.

c) Pas nenit 15 shtohet neni 15/1, si më poshtë vijon:

“Neni 15/1

Aplikimi i procedurës me publikim të projektit

Në rastin e aplikimit të procedurës sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 15, më lart, autoriteti kontraktor, pas vendimit për dhënien e kontratës, publikon projektin e propozuesit, me qëllim që të përfitojë ofertën më të leverdisshme ekonomike.

Autoriteti kontraktor publikon projektin e propozuesit së bashku me ofertën financiare dhe fton operatorë të tjerë ekonomikë, nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues të paraqesin propozimet e tyre sipas përcaktimeve në dokumentet e procedurës konkurruese.

Oferta më e leverdisshme ekonomike do t’i paraqitet propozuesit me qëllim paraqitjen e një oferte më të leverdisshme ekonomikisht sesa oferta fituese.

Nëse propozuesi pranon, atëherë ai shpallet fitues i garës dhe vijohet më tej për negociimin e kontratës.

Nëse propozuesi nuk pranon të paraqesë një ofertë ekonomikisht më të leverdisshme, atëherë ofertuesi fitues do t’i paguajë atij vlerën e hartimit të projektit teknik, e cila do të publikohet në dokumentet e procedurës konkurruese.

Nëse palët dështojnë në negociimin e kontratës, atëherë ofertuesit do t’i mbahet vlera e garancisë së ofertës dhe do të ftohet propozuesi për negociim sipas vlerës fillestare të propozimit të tij.”.

ç) Në aneksin 1, “Dokumentet standarde të koncesionit/partneritetit publik privat të punëve publike dhe shërbimeve, për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, të përmendur në nenin 24, emërtimi i shtojcës 4 riformulohet në “Formulari i ofertës financiare/ekonomike”.

Ky vendim nuk zbatohet për propozimet e depozituara pranë Autoritetit Kontraktor, për të cilat është marrë një vendim për leverdisshmërinë e tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./monitor