Paskali: Hapa për rritjen e biznesit femëror në Shqipëri

731
Zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, e pranishme në Konferencën “Rritja e Aksesit në financa- instrumentat financiarë të PRODAPS në mbështetje të Grave Sipërmarrëse”, si pjesë e Plan-Veprimit të Gruas Sipërmarrëse, që zhvilloi sot punimet në Tiranë deklaroi se brenda këtij viti, pranë AIDA-s do të krijohet një sektor i vetëm për gratë sipërmarrëse për informim dhe mbështetje të nismave të tyre. Paskali bëri të njohur për pjesëmarrësit hapat që po ndërmerr qeveria për rritjen e biznesit femëror në Shqipëri përmes lehtësirave për gratë sipërmarrëse.
Kino Buxheli, drejtori i programit italo-shqiptar për SME-të, një program që ka shumë vjet që është çelur në Shqipëri, tha mes të tjerave se edhe për sipërmarrjen femërore programi përfshin tre komponentë: linjat e kredisë, fond garancie dhe asistencë teknike. Projekti për SME-të i nisur që në 2009 ka bërë përfitues 98 biznese me disbursimin e 21,9 milionë euro. “Nga këto projekte, 14 i kanë përfituar sipërmarrjet femërore”, tha Buxheli, sipas të cilit janë hapur 1452 vende të reja pune.
Sektorët kryesorë përfitues janë agrikulturë, prodhim natyror, mjedis, teknologji dhe informacion. Financimi i projekteve kalohet nëpërmjet 8 bankave partnere. Në konferencën e organizuar në bashkëpunim me Cooperazione Italiana dhe UN Women u bë një prezantim i mundësive financiare për gratë sipërmarrëse në Shqipëri, ku diskutuan përfaqësues nga UN Women, nga shoqatat e grave sipërmarrëse dhe institucione të tjera shtetërore.
Plot 28,5 % e ndërmarrjeve aktive gjithsej kanë pronare/ dhe administratore femra, shumica në fushën e tregtisë. INSTAT përcakton këtë fushë si kryesoren pasi shënon pjesëmarrjen më të lartë të ndërmarrjeve me pronare dhe administratore femra dhe krahasuar me meshkujt, rezulton se femrat zotërojnë apo drejtojnë 34,2 % të totalit të ndërmarrjeve aktive në tregti. Gjithashtu 47,9 % e ndërmarrjeve të menaxhuara nga femrat kanë aktivitetit ekonomik “Tregti”. 
Sigal