Pas viteve të arta, telekomunikacionet tani raportojnë humbje

680
Sigal

Vijon nga numri i kaluar

Vitet e arta, kur dy operatorët e mëdhenj të telefonisë celulare rezultonin me fitime të larta dhe normë përfitueshmërie mbi 50% janë tashmë shumë larg (në vitin 2008, më i miri historik, fitimet e Telecom Albania dhe Vodafone arritën në 200 milionë euro së bashku). Prej dy vitesh, operatorët po thellojnë humbjet, duke reflektuar modelin e ri ku po orientohet sektori, si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga shërbimet zanore (voice) dhe konkurrencës që po vjen nga teknologjia (përdorimi i internetit po ul ndjeshëm të ardhurat nga interkoneksioni). Vodafone Albania, operatori më i madh sipas të ardhurave, me qarkullim vjetor prej 16.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në bilanc, ka deklaruar humbje neto kontabël para tatimit prej 792 milionë lekësh, nga 173.5 milionë lekë (humbje) vitin e mëparshëm. Ulja e fitimit erdhi pasi kompania ka shënuar rritje më të shpejtë të kostos së shitjes dhe shërbimeve dhe shpenzimeve të tjera, ndërsa të ardhurat ranë me 3.4%. Megjithatë, Vodafone ka paguar 252 milionë lekë tatim fitim, si rrjedhojë e shpenzimeve të larta të pazbritura fiskalisht (si p.sh., pritje e dhurata, qira për punonjës të huaj, provigjone, nxjerrje e aktiveve jashtë përdorimit, etj.). Edhe për Telecom Albania, dikur një nga kompanitë me normë më të lartë fitimi në vend, kohët nuk janë aq të mira. Telecom, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto vitin e mëparshëm. Rezultatet e përkeqësuara financiare kanë nxitur kompaninë mëmë, gjermanët e Deutsche Telekom, të fillojnë negociatat për shitjen e filialit në Shqipëri. Edhe Telecom Albania ka paguar 550 milionë lekë tatim fitime, por që janë të shtyra (kryesisht humbje tatimore e panjohur e mbartur nga vitet e mëparshme), ndërsa tatim fitimi për vitin aktual ishte zero. Albtelecom, me aktivitet në fushën e telefonisë fikse dhe celulare, ka raportuar të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh (rënia rreth 14%) dhe ka deklaruar sërish humbje, në rreth 1.1 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë. Plus Communication, operatori i katërt në treg, e mbylli aktivitetin në fund të vitit 2017, duke shitur frekuencat tek Vodafone dhe Telecom Albania, pas humbjeve të mëdha të regjistruara që kur nisi aktivitetin në 2009-n. Abcom, një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet) ka deklaruar fitime para taksave prej 318 milionë lekësh, në 2017-n, me rënie prej 10% me bazë vjetore. Info-Telecom, me aktivitet shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar e ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, raportoi fitime para taksave prej 465 milionë lekësh, me rritje 73% me bazë vjetore.

 RIKTHEHET LAVDIA E NDËRTIMIT

Ndërtimi është në ditët e tij më të mira, duke iu rikthyer rritjes, pas rënies ciklike të pas vitit 2008. Sipas shifrave të INSTAT, rritja vjetore e këtij sektori i kaloi 10% në 2017-n, niveli më i lartë në një dekadë, teksa vala e re e likuiditeteve në ekonomi po orientohet pikërisht në ndërtesa rezidenciale, kulla shumëkatëshe e resorte turistike. Këtyre u shtohen dhe projektet e pritshme të punëve publike, në kuadër të planit “One Billion”, ndërsa dhe punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP i kanë dhënë hov sektorit. Kompanitë e ndërtimit raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore. Alb Building, në fushën e ndërtimeve inxhinerike dhe rezidenciale, është kompania me fitime më të larta në vlerë absolute, në 1 miliard lekë, duke u trefishuar në krahasim me një vit më parë dhe me një normë prej rreth 30%. Grupi është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, përmes ndërtimit të hidrocentraleve. Alb-Energy renditet në listën e sipërmarrjeve me normë më të lartë fitimi në vend. Në vend të dytë është Gjoka Konstruksion, me 857 milionë lekë dhe normë fitimi prej 19%. Për ndërtesat rezidenciale, normat e fitimit janë shumë të luhatshme. Në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve mund të arrijnë edhe në mbi 70%. Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike raportojnë normë maksimale prej 25%, por ka dhe nga ato që kënaqen me norma minimale prej 3%. Në vitin 2017, ManeTCI, pjesë e grupit Balfin, ka vijuar të ketë nivelin më të lartë të përfitueshmërisë, me 40%, ndonëse në rënie në krahasim me një vit më parë.

 LOJËRAT E FATIT, BIZNESI MË FITIMPRURËS NË VEND

E vetmja gjë që arriti aksioni “Fundi i Marrëzisë” i pak viteve më parë ishte t’i shtonte më shumë fatin këtij biznesi. Ka një arsye pse pikat e basteve dhe kazinove gjenden tashmë në çdo cep të vendit. Ato po rezultojnë, prej të paktën tre vitesh, si aktiviteti më fitimprurës në vend, me norma fitimi që arrijnë deri në 70%. Në renditjen e 100 më të mëdhenjve ka 5 subjekte nga kategoria e kazinove dhe lojërave të fatit, nga 14 subjekte gjithsej të licencuara për këto aktivitete. Fitimet e këtyre 5 operatorëve në total ishin 3.7 miliardë lekë (27 milionë euro), apo sa një e treta e të ardhurave të raportuara. Normat e fitimit janë rritur dukshëm në 2017-n, në raport me një vit më parë. APEX renditet në dhjetëshe për të dytin vit radhazi(1.7 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 70%, nga 51% vitin e mëparshëm. Astra Albania raportoi fitime prej 621 milionë lekësh, me një normë prej 30% (nga 27% vitin e kaluar). VLT Albania raportoi 500 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 45% (42% vitin e kaluar). Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 32%. Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 434 milionë lekë. Top Start raporton fitime minimale. ITSGA, ndonëse po i rrit të ardhurat me shpejtësi, duke arritur në 1.4 miliardë lekë në 2017-n, vijon të raportojë aktivitet me humbje. Pas një shtyrjeje prej dy vitesh, në janar 2019 do të hyjë në fuqi ligji që detyron zhvendosjen e kazinove jashtë qyteteve, ndërsa qeveria ka vendosur së fundmi të mbyllë pikat e llotove, duke e orientuar tregun drejt basteve online, çka pritet ta riorientojë tërësisht këtë sektor vitin e ardhshëm. Bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro në 2017-n, me rritje vjetore 9.3%. Biznesi më i madh është te kazinotë, që raportuan 10 miliardë lekë të ardhura (60% e totalit). Kryeministri Edi Rama ka deklaruar së fundmi që lojërat e fatit qarkullojnë 700 milionë euro në vit, duke nxjerrë zbuluar faktin që qeveria ka lejuar të lulëzojë një industri me një evazion galopant, mbi 6 herë më shumë se deklarimet zyrtare.

 NJË VIT I MBARË PËR BANKAT

Përfitueshmëria e sistemit bankar u përmirësua në vitin 2017. Sipas deklarimeve në bilanc, fitimi për 16 banka arriti në 13.2 miliardë lekë, në trefishim në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në përmirësimin e treguesve të sistemit e dha Banka Raiffeisen që kaloi nga humbje në fitime të larta, ulja e humbjeve të Alpha Bank dhe kalimi nga humbje në fitime minimale i Tirana Bank. Veneto Banka, që tashmë është përthithur nga Intesa Sanpaolo kishte humbjet më të mëdha në sistem, prej 1.4 miliardë lekësh, ndonëse me rënie në raport me 3.7 miliardë lekë që raportoi në 2016-n. Ndërsa Credins, Union Bank dhe Banka Amerikane e Shqipërisë kanë raportuar rritje të fortë të fitimeve. Normat e fitimit në sistem luhaten nga 3% në mbi 40%. Për bankat, fitimet shënojnë luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin, të ndikuara nga shpenzimet për provigjonime që lihen mënjanë për kreditë e këqija. BKT, Raiffeisen dhe Intesa SanPaolo kanë deklaruar fitimet më të larta, përkatësisht 8.4, 4.5 dhe 1.9 miliardë lekë. BKT raportoi dhe normën më të lartë të përfitueshmërisë, me gati 44%. Në shumicën e rasteve, profitabiliteti është ndikuar nga provigjonimet si në rastet pozitive (profitabilitet i lartë për rimarrje të provigjoneve) apo ato negative (profitabilitet i ulët apo edhe humbje, për arsye të provigjoneve të larta për kreditë me probleme-NPL). Pas Intesa, në listë është Credins, Banka Amerikane e Shqipërisë, Societe Generale dheUnion Bank.

SIGURIMET FITOJNË MË PAK SE BANKAT

Ndërsa bankat raportojnë norma të larta fitimi, që arrijnë deri në 40%, në segmentin tjetër financiar, atë të sigurimeve, panorama nuk është kaq pozitive. Fitimet e shoqërive të sigurimit mbeten relativisht të ulëta, me norma kthimi njëshifrore. Fitimet e tyre varen dukshëm nga ecuria e pagimit të dëmeve në varësi të aksidenteve të ndodhura dhe të provigjionimeve për dëmet e pagueshme. Sigal, më e madhja në tregun e sigurimeve raportoi fitime prej 306 milionë lekësh, në rënie me 33%, si rrjedhojë e ngecjes së primeve dhe rritjes së pagesës së dëmeve. Eurosig trefishoi fitimet në 329 milionë lekë, ndonëse të ardhurat nuk u rritën, kryesisht si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve për provigjionime. Sigma dhe Intersig, të dyja pjesë e Vienna Insurance Group raportuan fitime minimale, prej përkatësisht 66 dhe 84 milionë lekë. Sipas grupeve, kryeson Sigal Uniqa Group Austria, që është dhe operatori më i madh i tregut të sigurimeve, që së bashku me aktivitetin e jetës, jo jetës dhe pensioneve kishte gjithsej fitime prej 506 milionë lekësh. Në vend të dytë është Eurosig së bashku me Insig, me fitime prej 434 milionë lekësh.

 DISTRIBUTORËT RRISIN NORMËN E FITIMIT PËR TË DYTIN VIT RADHAZI

Për të dytin vit radhazi, segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë, po raporton përmirësim të nivelit të përfitueshmërisë. AGNA, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 622 milionë lekësh, me një normë prej 4.4%, pothuajse në të njëjtat nivele të një viti më parë. Alpha sh.a., pjesë e të njëjtit grup me AGNA, ka arritur të rrisë fitimet në 554 milionë lekë, me një normë kthimi në rritje nga 5.6% në 5.9%. Marketing & Distribution ka parë rënie të lehtë të fitimeve në 289 milionë lekë. Për të tretin vit radhazi, norma e fitimit është rritur lehtë, duke arritur në 3.7%. Inter Distribution Service ka deklaruar një normë fitimi prej 2.1%, të pandryshuar nga një vit më parë. Albanian Distribution & Development rezulton një nga më fitimprurëset në këtë segment, me një normë prej 12.75%, në rritje me 1 pikë përqindje nga viti i mëparshëm. Kthime të larta këtë vit raportoi Interbrands prej 12.25%. Më fitimprurësi në 2017-n ishte Inter Trade & Distribution, norma e përfitueshmërisë e së cilës ishte 13.2%, një pikë përqindje më shumë se në 2016-n.

 BIZNESI I SIGURT I KONCESIONARËVE

Koncesionarët kanë treg të garantuar, që shpesh është monopol dhe fitimet janë të sigurta. Normat e fitimit, në pjesën më të madhe, luhaten nga 30 në 60%. Në listën e 100 më të mëdhenjve, sipas fitimeve, janë të shumta kompanitë koncesionare. I pari, sipas fitimeve në vlerë absolute, vijon të jetë Tirana International Airport, me 2.8 miliardë lekë. I dyti është Aleat, që ka me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave, me 643 miliardë lekë fitime, ndonëse me rënie me 45% në raport me një vit më parë. Edhe norma e fitimit ka rënë në 29%, nga 38.5% që ishte vitin e mëparshëm. Në listë janë dhe koncesionarët e energjisë, Euron Energy dhe ALB-ENERGY, që renditen në 10 sipërmarrjet me normë më të lartë fitimi. Durrës Container Terminal, që ka me koncesion terminalin e pasagjerëve, ka dalë nga lista e 100 më të mëdhenjve, pasi fitimi është ulur tre herë, në 114 milionë lekë.

CALL CENTER REZISTON, POR…

Për sektorin e call center, fitimet nuk janë më aq të lehta, teksa rritja është ngadalësuar dukshëm prej dy vitesh, madje në 2017-n, disa kanë raportuar për herë të parë rënie të lehtë të qarkullimit vjetor. Presioni i qeverisë italiane, që vështirësoi rregullat për delokalizimin nga Italia dhe konkurrenca nga bizneset, që kryejnë shërbime marketingu për forex, po e dobëson sektorin që lulëzoi disa vjet më parë. Intercom Data Service raportoi dyfishim të fitimeve në 1 miliard lekë, por që ka ardhur nga arkëtimi i të ardhurave të prapambetura, teksa ecuria e aktivitetit të vitit korent ishte me rënie. Normat e fitimit mbeten ende dyshifrore, por ato kanë rënë nga niveli i 25-30% që ishin vitet e kaluara, duke zbritur nën 20%. Albania Marketing Service pa rënie të lehtë të të ardhurave me 2%, në 645 milionë lekë, me normë kthimi prej 18.5%. Për Albacall, fitimet u reduktuan për të dytin vit radhazi, por në 2017-n tkurrja ishte më e fortë, prej 36%, duke arritur në 308 milionë lekë. Norma e fitimit zbriti në 10%. Operatorët e call center pohojnë se presioni i qeverisë italiane dhe aktiviteti i Forex, që po u merr punonjësit, po e dëmtojnë aktivitetin e tyre. Ata parashikojnë që tregu do të përqendrohet në 4-5 kompani të mëdha dhe të tjerat do të mbyllen gradualisht.

KOMPANITË ME NORMA MË TË LARTA FITIMI NË VEND

EKMA Albania, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, është renditur këtë vit si kompania me normë më të lartë fitimi në vend, prej 76.1%, në nivele të ngjashme me vitin e kaluar. Në vlerë absolute, fitimet ishin 380 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 5.3%. EKMA Albania administron tregun agroushqimor në hyrje të kryeqytetit të vendit. Në fillim të shtatorit, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetim të thelluar ndaj EKMA Albania, për abuzim me konkurrencën në këtë treg, pasi çmimet e qirasë janë disa herë më të larta se ato që aplikohen në këtë zonë dhe nga ana tjetër, tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira. Në vend të dytë është APEX, me aktivitet lojërat e fatit, që renditet dhe ndër 10 më të mëdhatë nga fitimi absolut. Norma e kthimit të APEX ishte 70% në 2017-n. Dy HEC-e me koncesion, Euron Energy dhe Alb-Energy renditen ndër subjektet me normë më të lartë përfitueshmërie, prej përkatësisht 69 dhe 60%. Por, aktorët e tregut pohojnë se në përgjithësi, në biznesin e hidrocentraleve, norma e fitimit arrin në maksimumi 30%, për shkak të kostove të administrimit të biznesit. Për më tepër, ky lloj biznesi është i varur nga kapriçot e natyrës dhe viti 2017, i thatë, nuk ka qenë shumë favorizues. Universiteti Aldent renditet në vend të pestë, me një normë prej 50% dhe fitime në vlerë absolute prej 220 milionë lekësh. Koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tirana International Airport, renditet edhe në këtë listë, me një normë prej 47%. Një tjetër operator i lojërave të fatit, VLT Albania është mes dhjetë më fitimprurësve, me një normë kthimi prej 45%. Renditjen e vijon EGI-K, me aktivitet në shfrytëzimin e mineralit të kromit në objektin Galeria B, Zona D” në Bulqizë. Qendra tregtare Tirana East Gate, pjesë e grupit Balfin, ka hyrë në dhjetëshen e subjekteve që kanë norma fitimi më të larta. Me një kthim prej 45%, nga 35% që ishte vitin e mëparshëm. Në vlerë absolute, fitimet ishin 514 milionë lekë. Qendra Tregtare Univers (QTU), po pjesë e grupit Balfin, e cila vitin e kaluar ishte sipërmarrja me normë fitimi më të lartë prej 77%, ka dalë nga lista, teksa ky tregues zbriti në 45% dhe të ardhurat dhe fitimi u ulën përkatësisht me 5% dhe 47%. Këtë vit, qendra ka investuar në dyfishimin e sipërfaqes, përmes ngritjes së katit të dytë. Në listën e më fitimprurësve janë bankat (BKT është e para me normë 44%, Raiffeisen 42%, Banka e Parë e Investimeve me 39%). NAZERI – 2000, me aktivitet në sigurinë fizike, kishte një kthim prej 37%.