Paradoksi i firmave me rritje të lartë – BB: Shqipëria ka normën më të lartë në rajon, por nuk punësojnë sa duhet

418
Sigal

Shqipëria ka normën më të lartë të firmave me rritje të madhe, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë Banka Botërore në raportin e fundit për rajonin. Me 17% të totalit, Shqipëria kryeson rajonin sa i përket firmave me norma të larta fitimi. Në këtë kategori klasifikohen ato kompani që kanë mbi 4 vjet në treg, më shumë se 10 punonjës dhe norma rritje mbi 20% në tre vitet e fundit. Në vitin 2013 kjo normë fiksohej në 11% në vendin tonë.

Banka Botërore thotë se, në rastin e Shqipërisë, këto sipërmarrje janë kryesisht në manifakturë, ndërtim, shitje me shumicë e pakicë, transport, restoracion e shërbime dhe më pak në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, këto lloj sipërmarrjesh në vendin tonë, nuk janë të rejave, por rreth 10-12 vjeçare, pra në mesataren kombëtare. Në vendet e zhvilluara, këto sipërmarrje kanë tendencën të jenë të reja, kryesisht start-up. Pavarësisht se ka përqindjen më të lartë në rajon të këtyre sipërmarrjeve, Shqipëria lë për të dëshiruar në indikatorin që mat impaktin e tyre në tregun e punës.

Në vendin tonë, sipërmarrjet me norma të larta rritje krijojnë vetëm 42% të vendeve të reja të punës, më pak se në vendet e tjera të rajonit, ku norma ngjitet në më shumë se 70%. Pra, paçka se në Shqipëri ka me shumicë sipërmarrje të tilla, ato nuk janë produktive në ekonomi, duke mos ndihmuar mjaftueshëm bazuar në potencialin që kanë, tregun e punës në vend.