Papunësia është rritur dhe familjet shqiptare varfërohen. Nga 2015, bankat kanë fshirë 466 milionë euro kredi të humbura

479
Sigal

Nga 2015 bankat kanë fshirë nga bilancet 466 mln euro kredi të humbura

Huatë me probleme arritën 11 për qind të totalit në fund të muajit gusht duke shënuar nivelin më të ulët që nga fundi i vitit 2009, por që nga viti 2015 e deri në  6-mujorin e parë të vitit 2019, bankat kanë fshirë nga bilancet 57.4 miliardë (466 mln euro) kredi të humbura, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Fluksi i fshirjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme gjatë 2 viteve të fundit, duke reflektuar pakësimin e kredive të humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se 3 vite. Banka e Shqipërisë vlerëson që procesi i fshirjeve mbetet i nevojshëm për të ulur më tej nivelin dhe raportin e kredive me probleme, dhe për të çliruar burimet që bankat mund t’i angazhojnë më mirë drejt kreditimit. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë miratoi së fundi një ndryshim rregullativ, sipas të cilit bankat duhet të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se dy vite. Ky ndryshim pritet të rrisë kontributin e procesit të fshirjeve të kredive të humbura, në uljen e kredive me probleme. Në tërësi, pavarësisht prirjes pozitive të rënies së kredive me probleme, Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat duhet ta ruajnë fokusin në këtë proces. Gjatë 6-mujorit të parë 2019 vlerësohet se bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 2 miliardë lekë kredi të humbura, dhe kjo vlerë ishte më e vogël në krahasim me kreditë e fshira në periudhat paraardhëse. Banka e Shqipërisë argumenton se procesi i fshirjeve, ristrukturimeve dhe shlyerjeve të kredisë, është shoqëruar me ndryshimin e strukturës së kredive me probleme, ku pesha e kredive të humbura ka rënë në 45%. Ky ndryshim i strukturës, ka shkaktuar efektin statistikor të rënies me gati 4.4 pikë përqindjeje të raportit të mbulimit të kredive me probleme me fonde rezervë, në nivelin 62%. Huatë me probleme (NPL) kanë zbritur në nivelin më të ulët që nga tremujori i katërt i vitit 2009, kur ky tregues ishte 10.3%. Më pas, NPL-të filluan një rritje të shpejtë për të arritur një nivel rekord, që nga fillimi i viteve 2000, prej gati 25% në shtator 2014. Treguesi filloi sërish uljen, sidomos pas fundit të 2016-s, duke reflektuar dhe planin e Bankës së Shqipërisë për të ulur kreditë me probleme, që përfshiu ristrukturimin e një sërë huave si dhe fshirjen nga bilanci të kredive që kishin më shumë se 3 vjet që nuk ktheheshin. Shlyerjet dhe fshirjet kanë ndikuar me rënien në 45% të peshës së kredive të humbura në totalin e kredive me probleme, raportoi Banka e Shqipërisë në raportin e stabilitetit financiar për 5-mujorin e parë 2019. Në uljen e gushtit ka ndikuar pozitivisht dhe rritja e huasë për ekonominë, teksa treguesi i NPL-ve llogaritet në raport me huanë e dhënë në total.Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.