Pandëshkueshmëria në Hipoteka ndihmon përhapjen e korrupsionit me pronat

833
Sigal

Gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri janë regjistruar qindra çështje penale për tjetërsim të paligjshëm të pronës publike dhe private, por prokuroritë dhe gjykatat janë treguar të buta ndaj zyrtarëve të Zyrave të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme dhe ALUIZNI-t, duke thelluar më tej pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin. Numri i lartë i çështjeve dhe masat e pakta dhe të lehta të dënimit konfirmohen dhe nga prokurorët, të cilët propozojnë ashpërsim të politikës penale për çështjet e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve të pronave, si dhe hetim pasuror për zyrtarët e shpallur fajtorë nga gjykata në bazë të ligjit anti-mafia, vetëm në pak raste ndiqen nga Prokuroria. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tokat u konfiskuan dhe i kaluan në pronësi të shtetit, një princip i konsoliduar në kushtetutën e vitit 1976. Pas rënies së regjimit në vitin 1991, në kushtet e një krize ekonomike të thellë, parlamenti abrogoi Kushtetutën e regjimit dhe miratoi ligjin ‘Për principet kushtetuese’ – i cili u njoh si ligj bazë deri në miratimin e Kushtetutës së vitit 1998. Ky ligj garantonte të drejtën e pronës private dhe e shtynte shtetin të ndërtonte marrëveshje duke u bazuar në principet e ekonomisë së tregut. Gjatë viteve 1991-1992 u miratuan tre ligje të cilën iniciuan transferimin e pronës shtetërore te qytetarët dhe personat juridik – më i njohuri mes tyre ligji nr. 7501 ‘Për tokën’, që i kalonte tokën e kooperativave dhe fermave bujqësore familjeve. Në vitin 1993, këtyre ligjeve iu shtua dhe ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronës,” që synonte të kthente prona të sekuestruara nga regjimi komunist ish- pronarëve. Gjatë dy dekadave në vijim këto ligje u amenduan disa herë, ndërkohë që zbatimi i keq i tyre dhe vendimet shpesh arbitrare të gjykatave sollën konflikte dhe korrupsion për shkak të pronës. Në të njëjtën periudhë, lëvizja e popullsisë nga zonat rurale në ato urbane si dhe mungesa e planeve vendore të zhvillimit, solli ndërtimin e qindra mijëra ndërtimeve pa leje, të cilat e komplikuan edhe më shumë çështjen e pronës private. Tre institucionet kryesore që u mandatuan të administrojnë transferimin, regjistrimin dhe legalizimin e pronës ishin Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, ALUIZNI. Si rrjedhojë e situatës së trashëguar, sot shkelja e të drejtave të pronësisë konsiderohet një problem serioz për qytetarët, zhvillimin e ekonomisë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë, se vetëm gjatë viteve 2013-2016 dhe 6 mujorit të parë të vitit 2017, institucioni më i lartë publik i auditimit kallëzoi penalisht 187 zyrtarë të zyrave vendore të regjistrimit të pasurisë dhe ALUIZNI-t, të akuzuar se i shkaktuan shtetit një dëm ekonomik prej 932.9 milionë lekësh. Për të njëjtat shkelje, KLSH dha 129 masa për largim nga puna. “Shkeljet ndodhin për shkak të stafit jo të trajnuar, por dhe njerëzve që punojnë në këto institucione, që mesa duket janë vullnetarë për çdo firmë që hedhin, se sa përgjegjës për detyrën që bëjnë, “ shpjegoi Ermal Yzeiraj, drejtor i departamentit juridik në KLSH. BIRN, gjithashtu iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi të gjithë prokurorive të rretheve gjyqësore në vend, duke kërkuar informacion mbi çështjet e regjistruara për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre të regjistruara ndaj zyrtarëve të ZVRPP-ve gjatë periudhës 2013-2016. Në total 11 prokurori iu përgjigjën kërkesës për informacion, duke njoftuar se gjatë kësaj periudhe u regjistruan 210 procedime penale me 83 të pandehur. Nga këto procedime, 135 u pushuan dhe 43 çështje u dërguan në gjykatë. Deri më tani janë regjistruar 2 dënime dhe një pafajësi. Prokuroria me më shumë çështje të regjistruara kundër zyrtarëve të ZVRPP-së është ajo e Vlorës me 137 procedime. Shumë nga këto kallëzime janë bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por KLSH ankohet se shumica e kallëzimeve të dorëzuara në prokurori gjatë viteve të fundit janë pushuar. “KLSH ka depozituar shumë kallëzime, ku pak nga këto kallëzime janë ndjekur nga prokuroria, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është pushuar, raste këto që ne si institucion i kemi ankimuar të gjitha në gjykatë,” tha Yzeiraj. “Shumë kallëzime janë kryer edhe për nëpunës të ALUIZNI-t, të cilët në shumë raste kanë abuzuar me detyrën,” shtoi ai.