Panariti takim me homologun çek: Prioritet zhvillimi i bujqësisë

708
Zhvillimi i bujqësisë ishte kryefjala e bisedimeve mes ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti dhe homologut të tij çek Marian Jurecka. Të dy ministrat kanë nënvizuar marrëdhëniet të mira midis dy palëve, duke evidentuar bujqësinë si një nga sektorët me potenciale për bashkëpunimin. Në fjalën e tij ministri Marian Jurecka theksoi se Cekia do të japë mbështetjen e saj që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejt në BE. Jurecka nënvizoi se i gjithë stafi do të japë ndihmë konkrete që Shqipëria mos bëjë hapa të gabuara në procesin e integrimit. Ministri çek i Bujqësisë, shoqërohet në këtë vizitë nga një grup ekspertësh, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Çeke dhe nga Universitetit Bujqësor Mendel.
Çështjet kryesore të diskutuara:
1. Ofrimi i eksperiencës së gjatë dhe të suksesshme të Republikës Çeke, lidhur me çështjet e integrimit evropian, me qëllim që mos të përsërisim gabimet e vendeve të tjera, që e kanë kaluar tashmë procesin e integrimit në BE;
2. Eksperienca e Ministrisë së Bujqësisë lidhur me kapituj 11, 12, dhe 13 dhe kjo do të detajohet më shumë nga ekspertët e fushave përkatëse.
3. Asistenca e Ministrisë së Bujqësisë së Republikës Çeke lidhur me çështjen e statistikave, një ndër çështjet më të rëndësishme tashmë për Ministrinë e Bujqësisë në Shqipëri, për faktin se procesi i grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave është transferuar tashmë nga INSTAT te Ministria e Bujqësisë.
4. Gjithashtu, u dakordësua edhe me marrëveshjen dhe asistencën për Agjencinë e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor, një ndër çështjet shumë të rëndësishme për përthithjen e fondeve të BE-së. Agjencia e Kreditimit në Çeki, është një ndër më të vlerësuarat nga BE, me një eksperiencë më shumë se 20-vjeçare, kështu që edhe asistenca që do të ofrohet do të jetë konkrete dhe e suksesshme.
Sigal