Panariti: Reforma veterinare nuk po zbatohet, ja pasojat

1005
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka folur në “Fax News” lidhur dhe me infeksionin e tuberkulozit tek kafshët ku tre lopë në Shijak dyshohen të infektuara nga kjo sëmundje, ndërsa ferma ku dyshohet se është konstatuar ky virus është vënë në karantinë. Panariti tha se kjo është diçka shumë shqetësuese, pasi sipas tij infeksioni përveç se tek kafshët kalon dhe tek njeriu. Ai u shpreh se përhapja e infeksioneve vjen si pasojë e lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve. “Shqetësimi është i dyfishtë pasi përveç kafshëve edhe njeriu infektohet, meriton një vëmendje të madhe. Përhapja e infeksioneve vjen nëpërmjet lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve. Me siguri për arsye tregtie një kafshë nga kjo vatër e infektuar ka lëvizur është transferuar në një vend tjetër dhe ka infektuar tjetrën. Dalja e kësaj kafshe duhet që të ishte kapur nëpërmjet sistemit të gjurmimit”, tha Panariti. Ai shtoi gjithashtu se për sëmundje si tuberkulozi, antraksi dhe bruceloza shteti i zhdëmton fermerët. “Tuberkulozi por edhe antraksi dhe bruceloza janë sëmundje që shteti merr përsipër që ti zhdëmtojë fermerët nëse kafshët kapen nga ky infeksion, sapo pikasen se janë prekur kafshët asgjësohen. Vatra e infeksionit i nënshtrohet një procesi që çrrënjos virusin dhe gropos kafshët që janë të prekura. Unë kam sugjeruar që të përmirësohet preparati por edhe vaksina sepse edhe pse janë vaksinuar kemi pasur raste kur është shfaqur infeksioni. I vetmi preparat që ekziston te ne ndodh që jep dhe sinjale false. Kjo duhet rregulluar dhe sqaruar njëherë e mirë. Ana tjetër është gjurmueshmëria, kontrolli i lëvizjes së kafshëve në të gjithë vendin, kjo nuk i shërben vetëm statistikave”, u shpreh Panariti. Duke folur për reformën veterinare, ai tha se me ndërrimin e pushtetit nuk po zbatohet ashtu siç ishte rënë dakord dhe se nëse nuk ka një reformë serioze veterinare do të ketë sërish infeksione. “Reformën veterinare nuk e kishte miratuar Edmond Panariti, por e ka miratuar qeveria dhe e ka mbështetur Bashkimi Evropian. Me ndërrimin e pushtetit nuk po zbatohet reforma për të cilën ramë dakord. Nëse do të vazhdojmë e këtë mënyrë do ta fusim vendin në një fazë pasigurie se infeksione do të kemi. Mendoj që struktura e re veterinare do ta ketë të vështirë të hapë kapitullin e 11 dhe të 12”, tha Panariti.
Sigal