Pakti i qeverisë me koncesionarin e Rinasit po grabit udhëtarët

598
Sigal

Fluturimet “low cost” të “Air Albania”, me çmimet më të shtrenjta

Marrëveshja e dyshimtë e qeverisë me koncesionarin e Rinasit për të grabitur paratë e udhëtarëve shqiptarë

Çmimet e biletave të udhëtimeve me avion në vendin tonë vijojnë të jenë ndër më të shtrenjtat. Në fakt, po të zgjedhësh të udhëtosh nëpërmjet aeroporteve të vendeve fqinje si Mali i Zi apo Maqedonia, pagesat për biletat janë shumë më të ulëta se sa Rinasi. Çështja e çmimeve të larta në aeroportin tonë ka ngjallur debate të shumta përgjatë viteve, megjithatë përveç fjalëve pak është bërë për të zgjidhur këtë situatë. Kjo për shkak se fluturimet në aeroportin “Nënë Tereza” janë ekskluzivitet i një kompanie koncesionare që ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të aeroportit për një periudhë 20 vjeçare, dhe duke qenë se prej shumë vitesh, “Nënë Tereza” ka qenë aeroporti i vetëm funksional në vendin tonë, kompania koncesionare ka monopolizuar tregun duke vendosur çmime sipas qejfit për kostot e udhëtimit. Qeveria shqiptare bëri një lëvizje të diskutueshme disa vite më parë, duke zgjatur kohëzgjatjen e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza”. Ky vendim u argumentua nga qeveria e majtë si një kusht i vendosur në kontratën me kompaninë koncesionare për t’i dhënë mundësinë shtetit shqiptar për ndërtimin e aeroporteve të tjerë. Pra, zgjatja e afatit për koncesionin e aeroportit do të krijonte kushtet për të zhvilluar aeroporte të tjerë, përveç atij të Rinasit. Gjithashtu, preteksti i qeverisë për këtë marrëveshje ishte se me përdorimin e një aeroporti tjetër, çmimet e biletave do të uleshin. Kjo marrëveshje pritej t’i hapte rrugë ndërtimit të aeroportit të Kukësit që do të ofronte për shqiptarët udhëtime “low cost”. Marrëveshja midis qeverisë dhe “Tirana International Airport” u arrit në vitin 2016, por sot kur kanë kaluar 3 vite, aeroporti i Kukësit ende nuk është funksional, ndërsa kompania koncesionare e Rinasit, jo vetëm vijon të ketë monopolin e fluturimeve ndërkombëtare duke vendosur çmime të kripura për biletat e udhëtimeve, por falë lëvizjes “gjeniale” të qeverisë së Rilindjes e ka zgjatur “mbretërimin” në vendin tonë edhe me 2 vite të tjera deri në 2027 ( kontrata e firmosur në 2005 kishte afat 20 vjeçar deri në vitin 2025). Aeroporti i Rinasit është rasti tipik i një kontrate koncesionare të negociuar nga një qeveri në dëm të interesave të vendit. Ajo është një nga shumë kontratat koncesionare, të cilat kanë krijuar situata monopolesh, të cilat kanë rënduar në mënyrë të theksuar kostot në ekonominë shqiptare. Në fund ata që e pësojnë janë si gjithmonë qytetarët e thjeshtë, të cilët detyrohen të zbrazin xhepat për të udhëtuar jashtë vendit. Dhe për sa kohë që aeroporti i Kukësit të mbetet një tjetër projekt 3D, i inauguruar nga qeveria, Shqipëria do të mbetet vendi më i shtrenjtë në Rajon për udhëtimet me avion.

Fluturimet “low cost” të Air Albania, me çmimet më të shtrenjta

Shumëkush ka pritur fillimin e fluturimeve të cilësuara si “low cost” të “Air Albania” për të udhëtuar me çmime të ulëta, por pas një kërkimi në faqet e kompanive ajrore për çmimet që ofrojnë në të njëjtat data, por për destinacione të ndryshme, rezulton të linja ajrore shqiptare të ketë çmimin më të kripur. Nëse zgjedh të udhëtosh në Paris për një fluturim vajtje-ardhje në datat 11 dhe 16 maj 2019 me linjën ajrore “Transavia” çmimi final për biletën është 153 euro. Nëse zgjidhni që të udhëtoni drejt Budapestit ku fluturimet operohen nga “Wizz Air” çmimi final i biletës për 11 maj-16 maj është 84.98 euro. Nëse zgjedh Stambollin me “Air Albanian” çmimi që rezulton për rezervimin final në të njëjtat data është 303 euro. Për Romën, duke operuar nga “Alitalia” vajtje-ardhje do t’ju kushtojë 155.10 euro kurse për të shkuar në Bolonja në të njëjtat ditë do t’ju duhet të paguani 121,68 euro. Ashtu sikurse shihet nga të gjithë destinacionet Stambolli rezulton më i shtrenjti ndërkohë që “Air Albania” as që i afrohet konceptit “low cost” duke u renditur tek më të shtrenjtat. “Air Albania” nisi fluturimet, në 19 prill, në mbrëmje ora 20.55 nga Tirana për në Stamboll, në linjën e Turkish Airlines, për çudi vijoi duke mos shtuar fluturim të ri.