Pagesat e legalizimit për ndërtimet para viteve nëntëdhjetë

Gazeta Telegraf/

Procedurë e posaçme për hipotekimin e ndërtimeve para 26 vjetësh, ja përfituesit

Objektet e ndërtuara para vitit 1991 dhe që nuk kanë akte pronësie do të mund të legalizohen me një procedurë të veçantë të parashikuar tashmë nga Këshilli i Ministrave. Krahas procedurës që duhet ndjekur për hipotekimin e pasurisë së paluajtshme, vendimi i Këshillit të Ministrave që tashmë ka marrë fuqi ligjore parashikon edhe tarifa të përllogaritura mbi bazën e sipërfaqes së truallit që kalon në pronësi private.

Referuar vendimit, për sipërfaqe deri në 100 metra katrorë, tarifa që duhet paguar është 200 mijë lekë. Për sipërfaqe nga 100-200 metra katrorë tarifa për t’u paguar është 300 mijë lekë, ndërsa për sipërfaqe nga 200 deri në 300 metra katrorë, 400 mijë lekë.

Vendimi parashikon gjithashtu se për sipërfaqe nga 300 deri në 400 metra katrorë tarifa që duhet paguar është 500 mijë lekë ndërsa për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë, tarifa është 600 mijë lekë.

Po ashtu, krahas pagesës të bazuar mbi sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, përfituesit do të duhet të paguajnë edhe një tarifë shërbimi për procesin, masa e së cilës do të përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe Ministrit të Drejtësisë.

Fondet e përfituara nga ky proces janë parashikuar të kalojnë në fondin për kompensimin e pronarëve. Ndërsa për legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 1991, për sipërfaqet deri në 300 metra parashikohet çmim favorizues ndërsa për sipërfaqet mbi 300 metra do të aplikohet çmimi i tregut.