Oriola Musa/ Turizmi, motori i ri i ekonomisë shqiptare

1449
Sigal

Mungojnë spote publicitare nëpër kanale ndërkombëtare, të cilat do ti njihnin europianët me Shqipërinë

Java e kaluar u shoqërua sërish me ndryshime të reja në qeveri, por këtë radhë ato lidheshin drejtpërsëdrejti me ekonominë. Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, këtë herë iu bashkëngjitet edhe sektori i Turizmit. Thuhet se qëllimi i këtij ndryshimi është se qeveria kërkon ta shndërroje turizmin në prioritet ekonomik dhe natyrshëm e kalon nën ombrellën e Ministrisë së Ekonomisë. Shqipëria për vite me radhë është renditur nga shumë agjenci ndërkombëtare si një nga destinacionet më interesante turistike në botë, kjo falë klimës, natyrës si dhe trashëgimisë historike e kulturore. Gjithashtu, nëse do flasim me shifra sipas raportit të Këshillit Botëror të Turizmit ( ËTTC) kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit ne GDP, vetëm për vitin 2014 ishte 5.5% , ndërsa kontributi i përgjithshëm që i vjen ekonomisë së vendit tonë nga turizmi llogaritet rreth 16,7 % e GDP. Po ashtu Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur këtë vit Shqipërinë në vendin e 71 nga 133 atraksione botërore elitare, duke ia kaluar kështu edhe dy fqinjëve te saj, Serbisë e Malit te Zi që në këtë raport qëndronin shumë pikë më mbrapa se Shqipëria. Nga ana tjetër, turizmi ndikon direkt ne punëzënie, pasi industria e turizmit punëson njerëz e kryesisht të rinj, sikurse gjithashtu ai i bën individët të konsumojnë duke stimuluar kërkesën agregate. Këto, si dhe shumë tregues të tjerë me radhë, dëshmojnë për rëndësinë që ka turizmi në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit. Pra, me fjale më të thjeshta, turizmi mund të na sjelle në arkën e shtetit fitime jo të pakta, aq më tepër që për hir të së vërtetës, ne nuk jemi një vend që dallohemi për prodhim në sektorë të tjerë të ekonomisë. Por, pavarësisht gjithë këtyre, turizmi vazhdon të mbetet një nga sektorët më keq të zhvilluar, pasi ka një sërë problematikash që në simbioze vazhdojnë ta shoqërojnë atë. Pikë së pari, do e filloja me fushatat e marketingut qe shteti ynë duhet të hartojë. Pjesëmarrja nëpër panaire, broshura apo veshjet popullore nuk mjaftojnë për ta promovuar turizmin. Mungojnë spote publicitare nëpër kanale ndërkombëtare, të cilat do ti njohin europianët me Shqipërinë si një destinacion potencial. Por sikur të mos mjaftonte mungesa e PR turistik, probleme shohim edhe nga pikëpamja e legjislacionit, me strategji vendore të zhvillimit të turizmit, që nuk janë aspak në koherencë me strategjinë kombëtare te zhvillimit për turizmin, e kjo ndoshta sepse zyrtarët e lartë që merren me hartimin e saj nuk janë njohës të mire të kontekstit që të mund të garantohej zbatueshmëria e lehtë e pa probleme e saj. Së dyti, edhe pse përpjekje janë bërë nga ana e qeverisë për ta pastruar bregdetin nga ndërtimet pa lidhje të shpërndara sa andej këndej, vazhdon të mbetet shqetësuese çështja e trajtimit të mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza; mbetjet që hidhen kuturu dhe ndjesia e keqe qe marrim ne si pushues. Dhe së fundmi, e parë në perspektivë makro, nëse me të vërtetë duam që turizmin ta kemi sektorin prioritar, edhe përpjekjet e qeverisë për zhvillimin e tij duhet të jenë gjithashtu prioritare, duke mos u përqendruar vetëm tek turizmi bregdetar por edhe te profile të tjera turizmi si eko turizmi, agro turizmi, turizmi sportiv, kulturor, fetar etj., në mënyre qe të shfrytëzohen plotësisht potencialet e këtij faktori ekonomik, pavarësisht nga koha apo stina e vitit. Që turizmi të jetë me të vërtetë gjeneratori i ri i ekonomisë shqiptare, dhe të justifikohet kontributi i tij jo i vogël në PBB, në këtë fillim viti, kur individët ende nuk i kanë planifikuar pushimet e tyre dhe sezonin turistik e kemi para, është momenti i duhur që qeveria të bëjë kthesë e të mos ndalet thjesht tek ndërrimi i emrit të një ministrie e as të bëjë delegime ping-pong kompetencash sa nga një ministër tek një tjetër. Por këtë herë të jetë ndryshe; të trajtohet turizmi me seriozitet, duke u marrë masa, e duke u zbatuar veprime konkrete.

**************************
Nuk mund t’u thuash qytetarëve të tu, dilni nga shtëpitë brenda 5 ditëve dhe shkoni ku të doni.
Nuk mundet t’u prishësh shtëpitë qytetarëve pa u siguruar më parë banesa të tjera.
Qytetarët e Vlorës, ata që banojnë mbi gjurmën e rrugës që lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën Transballkanike, kanë ditë që po protestojnë. Protestojnë me të drejtë sepse u ka shkuar INUK-u në derë dhe i ka lajmëruar se brenda 5 ditësh të mbledhin plaçkat dhe të largohen, se shtëpitë e tyre do të shemben për shkak të projektit të rrugës. Askush nuk është kundër projektit të rrugës që lidh Autostradën e Vlorës me rrugën Transballkanike, por logjika dhe normaliteti në një shtet demokratik të thotë: Përpara se të nisësh projektin, bëj shpronësimin e banesave që do të prishësh. Dhe jo thjeshtë të bësh shpronësimin e banesave, por ti bësh me çmimin e tregut, me qëllim që qytetarët e tu të ndihen mirë dhe pa u dëmtuar në raport me kubaturën dhe shtëpitë që kishin. Pa u siguruar banorëve të zonës së bonifikimit në Vlorë shtëpi të reja, ose shpronësim me çmimin e tregut, do të ishte gafa më e madhe që një shtet normal mund të bënte ndaj qytetarëve të tij. Nuk ka rëndësi nëse një pjesë e banesave janë me leje ndërtimi dhe një pjesë e tyre janë në proces legalizimi, rëndësi ka që Qeveria shqiptare dhe institucionet e saj të tregohen në nivelin e lartë të përgjegjshmërisë dhe civilizimit. Nuk mund tu thuash qytetarëve të tu, dilni nga shtëpitë brenda 5 ditëve dhe shkoni ku të doni. Kjo do të ishte një vetëvrasje e shtetit ndaj besimit dhe normalitetit të qytetarëve të tij. Me të drejtë banorët e zonës së bonifikimit dolën ditën e diel në Sheshin e Flamurit për të protestuar, dhe nëse vërtetë shteti është i këtyre qytetarëve, atëherë është shtet që ka në plan të parë mbrojtjen e qytetarëve të vet nga padrejtësitë dhe arbitrariteti, për ndryshe ka fituar diktati pa logjikë, forca e verbër dhe bërja e banorëve armiq të shtetit të vet. Unë nuk mendoj se shtëpitë e banorëve të bonifikimit në Vlorë do të prishen me një të rënë të lapsit, pa u zgjidhur shpronësimi i tyre me çmimin e tregut dhe pa u sistemuar secili prej tyre në një banesë tjetër. Edhe vetë Qeveria dhe INUK nuk do të ndiheshin të qetë nga protestat e banorëve të bonifikimit në Vlorë, të cilët me të drejtë kërkojnë shtëpi të tjera në këmbim të shtëpive që do tu prishen për shkak të rrugës lidhëse Autostradë-Transballkanike. Një shtet normal nuk mund të masë forcën me qytetarët e tij, të cilët kanë vite që jetojnë në zona informale për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara demografike të këtyre 25 viteve të fundit, nëse më parë nuk gjen zgjidhje të pranueshme për banorët që sot po jetojnë në ankthin e kërcënimit të INUK-ut dhe të ruspave të tij. Merreni situatën shtruar o njerëz të mirë me zyra dhe ruspa! Banorët e zonës së bonifikimit në Vlorë janë shqiptarë si ju dhe ne të tjerët, dhe edhe ata e duan shtetin dhe ligjin, por shteti dhe ligji duhet të jetë në mbrojtje të jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre, ndryshe nuk është shtet. Teoria, shkoni ku të doni brenda 5 ditësh, nuk bie erë normaliteti, por arbitrariteti. Për këtë qëllim protesta e banorëve të bonifikimit të Vlorë është një protestë e drejtë dhe kërkoi një zgjidhje ligjore brenda të gjitha të drejtave që kanë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, për të jetuar dhe banuar atje ku ata ndjehen më mirë ekonomikisht, por edhe nga ana mjedisore. Ky INUK-u që ka në dorë ruspën e njeh edhe ligjin se si veprohet. Por nuk mundet që në palcën e dimrit të ngresh zgubthi banorët që i kanë banesat e tyre në proces legalizimi. Vetë zoti Artan Lame, drejtor i ALUIZMI-t, duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi, duke kapërcyer procedurat e legalizimit për këta banorë, me qëllim që ata të kenë mundësi të zhvendosen diku tjetër me të njëjtën vlerë monetare si vlera e shtëpive ekzistuese. Vetëm kështu këta banorë do të ndihen të qetë e të gatshëm për të lëshuar shtëpitë e tyre në këtë mes dimri me kapacitet të plotë. INUK nuk ka të drejtë të luajë me jetën e banorëve të bonifikimit në Vlorë, por të ulet dhe së bashku me ALUIZMI-n të shpejtojë procedurat e legalizimit për këta banorë, me qëllim hapjen e dritës jeshile për fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh autostradën e Vlorës me rrugën Transballkanike brenda qytetit. Banorët e bonifikimit në Vlorë thonë se, nëse instancat qeveritare nuk i japin zgjidhje problemit të tyre të drejtë, atëherë protestat do vazhdojnë dhe do përshkallëzohen. Njeriu një jetë ka dhe ka të drejtë ta jetojë jetën duke pasur një shtëpi dhe duke banuar atje ku ai mendon se është i lirë të ndërtojë të ardhmen e tij.
Çlirim Hoxha