Operatorët, zbatimi i ligjit të turizmit do të vonojë, aktet janë gjysmake

617
Sigal

Për industrinë e
turizmit, miratimi i akteve nënligjore nga ana e qeverisë është cilësuar si i
vonuar dhe penalizues. Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Tur-operatorëve dhe
Agjencive Turistike (ATOA), Kliton Gërxhani, thotë se ka vite që operohet pa
rregulla dhe informaliteti është aq i theksuar sa që nuk e lë të zhvillohet
këtë sektor jetik të ekonomisë. “Dyshoj se ky ligj do të bëhet i aplikueshëm
menjëherë dhe do ishte për të ardhur shumë keq nëse kjo qeveri, as në mandatin
e fundit të saj nuk do arrinte të aplikonte një ligj të ri turizmi pas 3 viteve
punë, pa llogaritur këtu rezervat e mëdha që kemi për cilësinë e këtij ligji
turizmi dhe të këtyre akteve nënligjore. Dyshoj se p.sh., në VKM për
udhërrëfyesit, mungon një Dispozitë Kalimtare që në draft-ligjin e fundit
thoshte “Personat, të cilët kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit
turistik, janë të detyruar të aplikojnë për pajisen me certifikatë brenda 6
muajve nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Rregullore. “Ndërkohë që për
Tur-operatorët dhe Agjencitë Turistike, afati në draft ishte 12 muaj. Pra nuk
dimë se kur hyn në fuqi një ligj i tillë që pa këto dispozita duhet të jetë
normalisht në fuqi?! Pra kur do ta aplikojë Ministria këtë VKM, kur do ngrihen
institucionet që do të merren me trajnimin, Komitetet për vlerësimin, dhe kur
do mund të fillojë vlerësimi sepse kjo gjë duhet të bëhet tani që të jemi gati
për sezonin e pranverës vitin tjetër”. Në lidhje me “disiplinimin” e sektorit,
z. Gërxhani thotë se kjo do të mund të arrihej me një ligj të mirë, por ky që
është në fuqi ndoshta mund japë një efekt fillestar dhe pastaj më vonë do të
duhet të rishikohet që të jemi më konkurrues me rajonin, të paktën. Sipas tij,
aspekti më i vështirë për t’u zbatuar në terren do të jetë mosqenia gati e
Ministrisë së Turizmit për të ngritur të gjitha strukturat e duhura për
implementimin e këtij ligji. “Nëse ky ligj doli pas gati 7 viteve lobim të dy
qeverive të ndryshme, do të thotë që politika e bëri pothuajse nga halli këtë
gjë, jo se e ka shumë për zemër ta vërë në praktikë kuadrin ligjor aq të
rëndësishëm për industrinë e turizmit”, thotë ai.