Operatorët po dëmtohen financiarisht, të lejohet instalimi i kontrolluar i impianteve”

637
Sigal

Flet Elton Çekrezi, administrator i “Euroelektra”: Impiantet fotovoltaikë, potencial për zhvillimin e sektorit energjetik

Rezervave që ka Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, lidhur me mundësinë e rrjetit për të përballuar flukset e investimeve në impiante fotovoltaike, grupi i biznesit i këtij sektori i është përgjigjur me argumentin e instalimeve në mënyrë të kontrolluar. Elton Çekrezi, administrator i kompanisë “Euroelektra”, thekson për “Monitor” se do të duhen të paktën 2 vjet që të instalohen 5% e konsumit të brendshëm. Ai vlerëson se mungesa e udhëzimit ka lënë pezull 3 milionë euro faturime, të paktën për kompaninë e tij, lidhur me projekte të ndryshme në impiante fotovoltaikë. Çekrezi nënvizon se tashmë pritet që zgjidhja të jepet shpejt, duke qenë se ka një grup pune që po diskuton mbi udhëzimin që duhet të ishte miratuar vitin e shkuar.

Prej të paktën dy vitesh, është miratuar kuadri ligjor lidhur me burimet e rinovueshme, përfshirë energjinë diellore. Por, pavarësisht se pati një lloj rritje të interesit në fillim nga ana e biznesit për instalimin e impianteve dhe operatorëve të tregut për të diversifikuar produktet, tashmë duket se jemi në një rreth vicioz, i shkaktuar nga mungesa e akteve nënligjore. Ju si e shihni situatën aktuale në treg?

Për sa i përket sektorit të energjisë, Shqipëria kategorizohet si një zonë me potencial të konsiderueshëm për t’u zhvilluar në energjinë diellore. Në fakt, vendi ynë, ka parë varësi vetëm nga energjia hidroelektrike. Deri tani, hapat që janë marrë nuk janë të mjaftueshëm për t’i lënë vend procedurës për shkëmbimin në rrjet të energjisë së prodhuar nga Impianti fotovoltaik. Por, sigurisht që ngritja e Grupit të Interesit për Energjinë e rinovueshme fotovoltaike (diellore) ka bërë që kjo çështje të shihet më me përparësi dhe pritet udhëzimi me qëllim kryesor, zhvillimin potencial ekonomik që përmban sektori energjetik, fotovoltaik në Shqipëri. Në vazhdimësi, pritet të ketë një zhvillim potencial ekonomik dhe energjetik në vend, pas daljes së udhëzimit.

Keni një vlerësim të dëmit që i është shkaktuar biznesit nga mungesa e akteve nënligjore. Për shembull, sa kontrata keni në pritje në kuptimin që duan zgjidhjen e ngërçit ligjor me tepricat dhe pastaj të nisin instalimet?

Aktualisht, në Shqipëri operojnë mbi 20 subjekte në këtë sektor, me gati 500 të punësuar në total. Por këto subjekte, deri më tani, nuk kanë bërë as 2% të punës me kapacitetin që zotërojnë. Ne vetë si kompani kemi pasur shumë kërkesa për instalimin e impianteve të kapaciteteve të mëdha dhe të vogla. Por duke pasur vonesën për miratimin e udhëzimit, kemi një mungesë faturimi të planifikuar rreth 3 milionë euro për vitin e kaluar. Pra mund të themi se vendi ynë, aktualisht nuk është duke përdorur burime të cilat do të sillnin një zhvillim mjaft të madh ekonomik, duke krijuar më shumë vende pune, dhe gjithashtu do të mundësonin të ardhura të konsiderueshme.

Sa fizibël kanë rezultuar projektet që keni zbatuar dhe na jepni disa shembuj?

Të gjithë impiantet që ne kemi instaluar kanë një adresë publike të cilën ne ia vëmë në dispozicion çdo klienti, në këtë rast mund t’ju them disa prej impianteve, si p.sh., impianti në fabrikën e këpucëve “Almoso” në Fushë-Krujë, “Vila Pascucci” në Durrës, “Sarp & Lab Sh.p.k”, dhe impiante të tjera. Konkretisht, fabrika e këpucëve “Almoso”, duke parë uljen e faturës së energjisë elektrike nga instalimi i impianteve fotovoltaike me kapacitet 60 kw, vendosi që të shtojë kapacitetin në 100 kw, duke rritur kështu përfitimet e tij nga impianti. Rasti tjetër është “Vila Pascucci”, që nga 20 Kw shtoi edhe 80 Kw të tjera. Që të dy këta klientë, duke parë rendimentin dhe përfitimet nga teknologjitë fotovoltaike, kanë riinvestuar dhe mund të quhen plotësisht raste suksesi.

Si është interesi i biznesit dhe familjarëve për të instaluar impiante fotovoltaikë, a i kuptojnë siç duhet përfitimet që kanë dhe a preferojnë të investojnë në një teknologji që kthimin e investimit e ka pas një sërë vitesh?

Kthimi i investimit për biznesin shkon nga 4 deri në 6 vjet, në varësi të performancës së impiantit që instalohet, ndërsa për familjarët, nga 6 deri në 8 vjet me tarifën aktuale që ka një familjar. Flasim gjithmonë me vlera të përafërta, pra nuk ka një sërë vitesh. Në këtë rast, teknologjia është gjithmonë më e garantuar sesa vetë rikthimi. Lind pyetja, ku është leverdia e instalimit të këtyre impianteve? Kostoja e energjisë është një kosto që ti e paguan dhe nuk të rikthehet më, ndërkohë që t’i mund të paguash kredinë e impiantit dhe është një vlerë e shtuar e investimit tënd, pra sigurisht që vlen.

Cilat janë kategoritë e bizneseve që kanë leverdi në instalimin e këtyre impianteve, flasim këtu për sektorët si për shembull turizmi apo…?

Çdo biznes, çdo aktivitet, çdo familjar, i cili ka një kosto energjie po të investonte në panele, nuk është njësoj si të investojë në një makinë, që është një kosto e cila amortizohet me vitet, por një investim që ti kursen te vetja, pra në një biznes që ka një tarifë më të lartë apo një familjar që ka një tarifë më të ulët, është thjesht çështje e rikthimit të investimit. Të gjithë kanë leverdi që të investojnë në këtë teknologji, pasi mund të konvertojnë dhe sistemet e ngrohjes së tyre dhe t’i bazojnë që të gjitha në funksionalitetin energjetik diellor. Sot, teknologjia diellore të jep mundësinë që ti ta menaxhosh tepricën e energjisë që nuk e përdor dot gjatë ditës dhe ta konvertosh në energji termike, pra të mbash ambientet e shtëpisë ose të një subjekti, të ngrohta në momentin që ti ke mbiprodhim energjie.

Një koment për udhëzimin fillestar të miratuar nga MIE dhe komentet që keni bërë ju si grup interesi për të, duke qenë se disa pika janë evazive dhe lënë vend për interpretim?

Vazhdimisht, kemi informuar opinionin publik dhe konsumatorët në lidhje me këtë udhëzim. Sot jemi para një fakti ku është ngritur një grup pune dhe ka një datë se kur duhet të dalë ky udhëzim. Sigurisht që edhe në çdo vend tjetër, ky ka qenë një proces skeptik fillimisht. Ajo që ne po propozojmë sot me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, mediat etj., është që të fillojmë hap pas hapi, në mënyrë që impiantet të instalohen me kapacitet deri diku të kontrolluar. Edhe sikur të arrijmë të instalojmë 5% të konsumit të brendshëm shqiptar, do të duheshin të paktën 2 vite me gjithë kapacitetet dhe mundësitë që ka Shqipëria sot, qofshin financiare apo burime njerëzore. Sigurisht që udhëzimi po ndiqet nga afër nga Grupi i Interesit dhe entet përkatëse, në mënyrë që të ndjekë një format standardi të aplikueshëm ‘One Stop Shop’, dhe për më tepër të jetë e modelit zviceran. Le të themi që në çdo moment, ky udhëzim po përgatitet nga ekspertët më të mirë shqiptarë, nga institucionet shtetërore dhe nga privatet, në mënyrë që të jetë një procedurë e unifikuar dhe të mos kemi më atë që ka ndodhur me burokracitë e tjera në vend.