Oligarkia dhe elita politike, agresion ndaj shtresave të mesme. Rrugë e hapur që fitimet e kanabisit të hyjnë në ekonomi

953
Eksperti Zef Preçi analizon gjendjen ekonomike, reformat e qeverisë, përmbajtjen e buxhetit e paketës fiskale 2018 dhe çfarë po ndodh me paratë e kanabisit
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, vlerëson se mangësitë kryesore të çdo pakete fiskale gjatë dekadës së fundit u shfaqën qartë edhe në paketën 2018. Të tilla janë: Motivimi kryesisht nga nevoja për më shumë të ardhura buxhetore, pa pyetur për efektet rënduese në shtresat dhe në grupet e ndryshme të biznesit dhe të qytetarëve; rritje e peshës së kontributeve tatimore nga klasa e mesme dhe e varfër e vendit; përpjekje për të rritur represionin fiskal ndaj biznesit të vogël; krijim lehtësish të pajustifikuara për bizneset e oligarkëve që njihen për influencën e tyre mbi vendimmarrjen qeveritare; injorim i rolit të stimujve fiskalë për sektorët prodhues të ekonomisë dhe nxitjes së rritjes së fuqisë eksportuese të saj; vendimmarrje e pamjaftueshme ndaj problematikës së krijuar gjatë 4-5 viteve të fundit në klimën e investimeve të huaja etj. Ai thotë në një intervistë për “Monitor” se klasa e mesme është tkurrur qysh se u prezantua “taksa progresive” e deri më sot, dhe se kjo klasë gjendet nën njëlloj agresioni të oligarkisë së lidhur me elitën politike drejtuese të vendit. 

A keni ju një vlerësim të paketës fiskale 2018? Çfarë efektesh do të sjellë në ekonomi, në tërësi?
“Tashmë që pothuajse gjithçka është vendosur, cilido mund të krijojë një përfytyrim më të plotë rreth kësaj pakete dhe të ndërtojë pritshmëritë e rastit. Në vlerësimin tim, një vlerësim i përgjithshëm i saj mund të ishte: “verë e vjetër në fuçi të re”. Me këtë dua të them se mangësitë kryesore të çdo pakete gjatë dekadës së fundit u shfaqën vartësisht edhe në këtë rast. Të tilla janë: Motivimi kryesisht nga nevoja për më shumë të ardhura buxhetore, pa pyetur për efektet rënduese në shtresat dhe në grupet e ndryshme të biznesit dhe të qytetarëve; rritje e peshës së kontributeve tatimore nga klasa e mesme dhe e varfër e vendit; përpjekje për të rritur represionin fiskal ndaj biznesit të vogël; krijim lehtësish të pajustifikuara për bizneset e oligarkëve që njihen për influencën e tyre mbi vendimmarrjen qeveritare; injorim i rolit të stimujve fiskalë për sektorët prodhues të ekonomisë dhe nxitjes së rritjes së fuqisë eksportuese të saj; vendimmarrje e pamjaftueshme ndaj problematikës së krijuar gjatë 4-5 viteve të fundit në klimën e investimeve të huaja etj. Madje edhe disa masa që personalisht i çmoj si të drejta si p.sh., ulja e kufirit të TVSH-së në 2 mln lekë për të gjithë bizneset, përveç hoteleve dhe prodhimeve bujqësore, nëse nuk do të shoqërohen me masat e nevojshme sqaruese ndaj biznesit, rrezikojnë të jenë joproduktive”.

Çfarë mendoni ju për incentivimin e ndërtimit të hoteleve me pesë yje, në një kohë që kërkesa për turizëm është për hotele poshtë këtij niveli dhe a rrezikon të jetë nisur si një politikë klienteliste, pasi standardi i përgjithshëm i infrastrukturës në vend nuk u përgjigjet njësive akomoduese me pesë yje?
“Me keqardhje konstatoj se qeveria shqiptare, për shkaqe politike, të mungesës së ekspertizës në radhët e saj, por edhe të klimës së përkeqësuar të investimeve në vend, po nxiton me vendimmarrje të tilla gati-gati komprometuese për një qeveri të votuar të një vendi demokratik. Më qartë, ne jetojmë në epokën e globalizmit, kështu që përjashtimet nga taksat përgjithësisht janë zhvlerësuar nga koha. D.m.th. origjina e kapitalit apo përdorimi i fjalës “brand name” nuk josh më askënd dhe shërben thjesht si mbulesë për të justifikuar në publik klientelizmin e elitës politike drejtuese të vendit. Pas gati tre dekadash nga ndryshimet sistemike të vitit 1990 janë dhjetëra sipërmarrës vendas që mund të plotësojnë kushtet sa i takon shumës së kapitalit që duhet të investohet dhe tërheqja e diferencuar në këtë mënyrë e kapitalit të huaj deformon konkurrencën me industrinë ekzistuese të hotelerisë. Në të njëjtën kohë, shkalla ende shumë e lartë e informalitetit – mbi 30% krijon terren nga njëra anë për investime të parave me origjinë të dyshimtë, por edhe për evazion fiskal dhe për një periudhë të gjatë kohe. Sipas meje, një avantazh i tillë fiskal do të bënte sens për një zonë të caktuar të pazhvilluar të vendit (që tashmë nuk ka zona të tilla) dhe nëse do të flitej për të zhvilluar një sektor të caktuar të ekonomisë që angazhon fuqi punëtore të lirë (pra lufton papunësinë), që fut në qarkullimin ekonomik pasuri të rëndësishme strategjike të vendit (p.sh. mineralet), që rrit fuqinë eksportuese të ekonomisë sonë kombëtare, etj. Ndërkaq, rritja e fuqisë diskrecionare të ministrit përgjegjës për Ekonominë dhe të vetë qeverisë, sa i takon përcaktimit të “statusit special” përbën një largim nga prerogativat kushtetuese që kërkojnë rigorozisht vendimmarrje të Kuvendit kur flitet për tatime, taksa, tarifa doganore, etj. Ndërkaq, kur flitet për përmbajtjen e lehtësive që krijon ky favorizim për një segment të industrisë së hotelerisë shihet qartë se në këtë mënyrë marrin një goditje të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore (për shkak të heqjes së taksës mbi infrastrukturë), por edhe të ardhurat buxhetore për shkak të uljes së tatimfitimit). në këtë këndvështrim, personalisht e çmoj si të parealizueshme këtë vendim, që më e shumta do të çojë në dhënien e disa lejeve firmave të interesuara të huaja, sigurisht me partnerë vendas, por që në këtë mënyrë rrezikojnë të krijojnë edhe kanalet e duhura “të ligjshme” për investimin e “ligjshëm” parave të dyshimta të evazionit fiskal, korrupsionit dhe mbi të gjitha të fitimeve nga industria kriminale e kanabisit.

Nuk duhet harruar se madhësia e tregut vendas e rajonal të turizmit, mungesa e një tregu të zhvilluar të kapitaleve, infrastruktura e dobët e komunikacionit, sidomos mungesa e rrjetit hekurudhor të lidhur me vendet e BE-së, bujqësia e pazhvilluar, etj., janë faktorë përcaktuar shumë herë më shumë se avantazhet fiskale si ky që po ndërmerr qeveria shqiptare dhe studimet e fundit të vendeve të zhvilluar tregojnë së stimuj të tillë fiskalë e kanë humbur rëndësinë e tyre dhe nuk janë me përcaktues në ditët e sotme në vendimmarrjet e kompanive të ndryshme për të investuar në cilido sektor të ekonomisë, e aq më pak në industrinë e turizmit”. 

Nga ana tjetër, ulja e pragut të TVSH për biznesin e vogël dhe lajmërimi i rritjes së tatimit mbi të ardhurat, edhe në të ardhurat e tjera përveç pagës a rrezikon të ulë të ardhurat për shtresën e mesme dhe për rrjedhojë, të dëmtojë konsumin?
“Në lidhje me pragun e TVSH, natyrisht që vende të ndryshme kanë përvoja të ndryshme që lidhen me shkallën e zhvillimit të ekonomisë kombëtare në tërësi, me strukturën e saj, me strukturën e të ardhurave buxhetore, me kulturën e sipërmarrjes, me shkallën e integrimit me ekonominë evropiane, etj. Në rastin tonë, mendoj se parimisht problemi qëndron dhe duhen ndërmarrë hapa në këtë drejtim me funksion të uljes së evazionit fiskal. Mirëpo këtu lind edhe kontradikta më e madhe e politikës fiskale të qeverisë. Kështu pranohet gjerësisht se evazioni lind te të paktën dy shkallë, e para kur bëhet kalimi nga importi në tregun e brendshëm dhe së dyti, nga biznesi i madh (apo shumica siç quhet ndryshe në tregti) në biznesin e vogël (të njohur ndryshe si tregtia me pakicë). Ekziston edhe një formë e tretë e evazionit fiskal që lidhet me pronësinë e kompanive të mëdha. Është një fakt i njohur gjithashtu se një numër kompanish të mëdha, për shkak të afilacionit politik apo të përfshirjes së drejtpërdrejtë në funksione politike të pronarëve të tyre si deputet, kryetar bashkie, kryetar partie në qarqe, etj., janë subjekt i evazionit fiskal dhe autoritetet përgjegjëse shtetërore nuk kanë akses në librat e tyre të llogarisë. Ndërsa qeveria ka mbyllur disi kanalin e parë prej nga rrjedhin paratë publike (nga importi te tregu i brendshëm) përmes bashkimit të doganave me tatimet, për të dytën po ndjek rrugën e gabuar të mbartjes tërësisht së kostos së formalizimit të ekonomisë mbi biznesin e vogël. Personalisht mendoj se qeveria duhet të adaptojë mekanizmat e njohur në botën përreth që nxitin konsumatorin të marrë faturën tatimore mbas çdo transaksioni (p.sh. mund të vendosej rimbursimi i 1% apo 2% të vlerës së transaksionit brenda një periudhe të caktuar kohe), mund të vendosë jo vetëm përfshirjen në regjimin e TVSSH-së të disa veprimtarive të biznesit të vogël, por edhe një nivel zero apo 2% të kësaj takse, d.m.th. ruajtje e funksionit të saj të kontrollit dhe sigurimit të konvejerit të lëvizjes së vlerës, etj., në çdo rast, përgatitja e infrastrukturës përkatëse dhe e kapaciteteve të administratës tatimore, por edhe e vetë biznesit të vogël mbetet përcaktuese për suksesin e politikës që do të ndiqet. Sa u takon marrëdhënieve të qeverisë me klasën e mesme duhet pranuar se për shkaqe të paaftësisë së saj qeverisëse, si dhe të shkallës së gjerë të ndërhyrjes së lobeve të biznesit dhe të oligarkëve në vendimmarrjen e saj, mund të thuhet se klasa e mesme është tkurrur qysh se prezantua “taksa progresive” e deri më sot, dhe se kjo klasë gjendet nën njëlloj agresioni të oligarkisë së lidhur me elitën politike drejtuese të vendit. Kjo do të thotë se politikat fiskale dhe jo vetëm ato, kanë dobësuar klasën e mesme dhe kanë shtuar numrin e të varfërve në vend. Të njëjtin rezultat kanë sjellë edhe politika abuzuese e enteve rregullatorë p.sh. në energjinë elektrike, në ujin e pijshëm, etj. Madje edhe disa shërbime publike bazë si në ato shëndetësore, në shërbimin e pasurive të patundshme, me sistemin arsimor etj, në emër të të ashtuquajturave “të ardhura dytësore” kanë përkeqësuar koston e jetesës së shtresave më të varfra të vendit dhe për fat të keq, edhe në këtë Paketë Fiskale ky trend është evident. Mendoj se këto çështje duhen analizuar në vijimësi për të kuptuar jo vetëm mungesën e argumenteve të qëndrueshme në politikat që ndiqen, por veçanërisht pasojat negative afatgjatë mbi nivelin e jetesës së një numri shumë të madh të familjeve shqiptare”.
Sigal