Nuk vilen taksat vendore, për neglizhencë ose mosnjohje të dispozitave ligjore nga Administrata Tatimore Vendore

773
Sigal

Konstatimi/ KLSH: Konfuzion me taksat vendore. Subjektet ushtrojnë aktivitet pa u regjistruar në QKR

Në ekonominë e tregut, që të funksionojë Shteti, duhet të mbahet nëpërmjet taksave dhe tatimeve. Por a paguhen rregullisht ato në pushtetin tonë vendor? Një vrojtim i KLSH-së, ka nxjerrë probleme mjaft shqetësuese. Gjatë auditimeve të KLSH-së është konstatuar se në disa Bashki dhe Komuna, ka subjekte që nuk paguajnë 2-3 vite radhazi asnjë lek. Çka është e padrejtë dhe e paligjshme. Për të mos e lënë në dorën e subjekteve pagimin e taksave, pasi disa prej tyre edhe pse i kanë mundësitë financiare  për të paguar, nuk  pranojnë të paguajnë, vjen në ndihmë  Kodi Penal. Edhe kjo dispozitë ligjore, pak njihet apo nuk njihet fare, pasi janë të rralla ose pothuajse fare, rastet, që nga ana e Bashkive apo Komunave, për subjektet që nuk paguajnë me vite, të kërkohet Kallëzim Penal, në Prokurori.  Llojet e taksave dhe tarifave vendore janë të shumta, por problem  është mosvjelja e tyre. Nga auditimet e fundit të KLSH, sipas specialistëve të tyre, mosvjelja e taksave vendore, përveç neglizhencës së  punonjësve të ngarkuar me  mbledhjen e tyre, (zyrat e taksave vendore), vjen edhe nga mos njohja, apo në disa raste  mos zbatimi i akteve ligjore të nxjerra nga Kuvendi i Shqipërisë, apo Këshillat e Njësive të Qeverisjes Vendore (Këshillat Bashkiake apo të Komunave). Nga auditimet e kryera në mjaft Bashki dhe sidomos Komuna, ende mjaft subjekte ushtrojnë aktivitet pa u regjistruar në QKR dhe organet tatimore (Zyrat e Taksave Vendore). Këto subjekte, nga njëra anë, përveç se nuk paguajnë taksa dhe sigurimet shoqërore (kryejne evazion fiskal), nga ana tjetër  kryejnë  konkurencë të pandershme, duke shitur  me çmime të ulta. Dhe në këtë rast e pëson  subjekti që është i regjistruar dhe paguan rregullisht taksat. Në këtë drejtim ka mjaft neglizhencë, apo ka raste që qytetarët nuk u binden rregullave dhe nuk pranojnë të regjistrohen. Edhe pse nga ana e administratës tatimore vendore dihet se subjektet e paregjistruara  në QKR, kryejnë aktivitet në kundërshtim me ligjin, atyre nuk u mbyllet veprimtaria, duke vepruar në kundërshtim me ligjin  nr. 9920, datë 10.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas Nenit  112, të këtij ligji, për  subjektet e paregjistruara në QKR, mund të vendoset edhe masa e gjobës prej 25,000 lekësh, por këtë masë ligjore, pak administrata tatimore vendore e zbatojnë. Mbledhja e taksave nga tatim paguesit (subjektet private, apo edhe Institucione shtetërore), përbën një nga problemet më shqetësuese të zyrave të taksave vendore. Për arkëtimin e tyre është e  angazhuar e gjithë administrata tatimore, por me gjithë punën e bërë dhe “presionin” që ushtrohet mbi ta, ende një pjesë e mirë e tyre nuk pranojnë ta paguajnë. Gjatë auditimeve të veprimtarisë së përditshme, vihet re se mjaft subjekte edhe pse nuk shlyenin detyrimet tatimore, ata kryejnë rregullisht veprimtari nëpërmjet bankave, pra kishin mundësi shlyerje, por u shmangeshin pagesave të taksave. Për  t’u ardhur në ndihmë organeve tatimore  nga ana e Kuvendit  në ligjin për “Procedurat Tatimore” u shtuan edhe disa nene, për rastet kur subjektet nuk pranojnë të paguajnë në mënyrë vullnetare taksat dhe tatimet dhe konkretisht në lidhje me;

– dërgimin e urdhër bllokimeve në bankë, për llogaritë bankare

-vendosjen e bares siguruese ndaj mjeteve të regjistruara në Drejtoritë rajonale të transporteve dhe

– pasurive të paluajtshme  në Zyrat vendore te regjistrimit të  pasurive të paluajtshme,

 Por, edhe pse janë dispozitat ligjore që detyrojnë bankat të bllokojnë llogaritë në bankë, kur subjektet  janë debitorë për taksat dhe tatimet, ato nuk zbatohen nga administratat tatimore vendore. Kjo vjen, sa nga neglizhenca e tyre dhe më tepër edhe nga mos njohja e kësaj dispozite nga disa prej  administratave  të zyrave të taksave vendore në Bashki dhe Komuna.