Nuk ka punëtorë, pensionistët “dynden” në tregun e punës. 58 mijë të punësuar, mbi moshën 65 vjeç

351

Pensionistët “dynden’ në tregun e punës, 58 mijë të punësuar mbi moshën 65 vjeç

 

Rritja e popullsisë në moshën mbi 64 vjeç, pagesat e ulëta të pensioneve dhe përmirësimi i jetëgjatësisë po nxisin gjithnjë e më shumë pensionistët të marrin pjesë në tregun e punës.

INSTAT raportoi se forca e punës (persona të punësuar ose në kërkim të një pune arriti në 1,414,757 persona në fund të tremujorit të parë 2019, por 58 mijë e 302 prej tyre ishin mbi 64 vjeç. Nga këto 57,892 janë në punë dhe 410 janë në kërkim të punës.

Në raport me vitin e kaluar, rreth 6000 mijë pensionistë u përfshinë në tregun e punës në tremujorin e parë, dhe kjo vjen në rritje nga viti në vit.

Teksa po ndodh e kundërta me forcën e punës nën moshën 64 vjeç. INSTAT raportoi se, forca e punës në grupmoshën 15-64 vjeç ra me 423 persona në tremujorin e parë.

Shumë persona në moshë pensioni nuk mund të gëzojnë pagesën, për shkak se nuk kanë paguar sigurime shoqërore gjatë periudhës së tranzicionit dhe në disa raste ata nuk vërtetojnë vitet e punës në monizëm, për shkak se dokumentacioni është dëmtuar. Një pjesë e tyre janë të detyruar të punojnë ose të kërkojnë punë për të përballuar jetesën. Pjesëmarrja e pensionistëve në tregun e punës është dyfishuar nga viti 2015 ku 28,283 u përfshinë në forcën e punës.

Numri i pensionistëve arriti në 635,700 persona vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionistëve të zgjerohet me 2.3 për qind në raport me një vit më parë.

Ekspertët pohojnë se numri i pensionistëve po rritet nga viti në vit, për shkak të plakjes së popullsisë. Bumi i lindjeve në vitet ‘50-‘60 tani ka moshën e pensionit. Rritja do të ishte edhe më lartë po të mos ishte shtuar koha e daljes së pension me pesë vite për gratë.

Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 14.36% ose 87,133 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2018, u raportuan 635,700 të tillë.