Një qasje e re në marrëdhëniet qeveri-biznes

667
Diskutimi i sotshëm është një diskutim përtej ndryshimeve në disa nene të pr/ligjit për procedurat tatimore, jo se ligji i procedurave ka trajtën e një kodi fiskal, por se këto ndryshime, janë te lidhura me një fenomen shqetësues te ekonomisë dhe financave publike, atë të informalitetit, luftës kundër këtij fenomeni qe po shoqëron për më se 25 vjet tranzicionin ekonomik. Ky fenomen, tashme prej disa muajsh është ne fokus të një operacioni me një serë masash që shërbejnë si bazë për ndërmarrjen e një reforme radikale, për përballien me sukses të fenomenit te informalitetit, operacion tashmë i filluar, që nuk ndalet dhe nuk ka kthim prapa. Dhe këto masa, tashme po japin efektin e tyre. Rezultatet tashme po dëshmojnë trendin e tyre pozitiv. Subjektet e reja te regjistruara rishtas, janë gati tri here më shumë se ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Reformë rregullatore
Kjo reformë është fiskale dhe rregullatore, ajo është tërësore, organizative, strukturore për organet fiskale, administrative, procedurale dhe natyrisht edhe ligjore, ku ndryshimet në ligjin që diskutojmë, janë thelbësore. Dëgjova nga diskutimi i parafolësit, ashtu sikurse dëgjuam edhe ne komision, gjithçka u fol për represion, për dajak, për dru, për shkatërrim të biznesit të vogël, dëgjuam histori me spiune tatimor, me çfarë nuk po dëgjojmë, dhe vetëm për thelbin e këtyre ndryshimeve dhe vullnetin për të luftuar këtë fenomen, informalitetin që po gllabëron miliona e miliona lekë, të cilat mund të ishin shndërruar në më shumë zhvillim për vendin tone, në më pak varfëri, në më shumë paga e pensione, më shumë shërbime e më shumë konsum e mirëqenie nuk dëgjuam. Dhe nuk prisja të dëgjoja. Në fakt qëllimi i këtij pr/ligji është krejt ndryshe, më e madhe është prurja e një qasje ndryshe, një sjellje të re në marrëdhëniet Qeveri-Biznes, duke i rivendosur në një pozicion të ri të dyja palët, korrekte dhe bazuar në respektim të ligjit, në një sjellje dhe konkurrencë të ndershme të biznesit, padyshim duke rritur forcën e ligjit ndaj kundravajtjes së ligjit, ndaj atyre që kryejnë veprimtari kontrabande dhe evazion fiskal. Gjithashtu kërkohet një kulturë e re fiskale, një mentalitet i ri, një nivel tjetër i ndërgjegjësimit fiskal, një sjellje e re, e munguar për 25 vjet transformim, si për inspektorin tatimor, kaq i domosdoshëm, ashtu dhe për tatimpaguesin, kaq i obligueshëm person fizik apo juridik, biznes i madh apo i vogël, individ, qytetar, kushdo qoftë… Por më parë …
Detyra e inspektorit
Më lejoni t’iu tregoj një histori të një inspektori tatimor, dhjetëra vjet me parë, në një qytet të Francës.
Detyra që ushtronte si inspektor, ishte duke mbuluar një territor të caktuar, pra bizneset që ushtronin veprimtari në këtë territor. Tre vjet pasi kish dalë në pension, inspektori pensionist po ecte në një nga rrugicat e territorit, -zone tatimore që kish pas mbuluar në kohën kur ishte në funksion dhe futet në një dyqan të madh, por që nuk ishte futur kurrë dhe bleu një paketë cigare. Kur po dilte, pak i habitur u kthye dhe e pyeti të zotin e lokalit, se sa kohë kishte që e kish në pune këtë lokal-dyqan. Me shume se 10 vjet u përgjigj ai. Ish-Inspektori u kthye në shtëpi dhe u vetëvra. A e dini pse? E vrau ndërgjegjja profesionale dhe përkushtimi në respektimin e ligjit, se si për dhjetëra vjet, ky biznes i kishte shpëtuar kryerjes së detyrës së tij, për mbledhjen e tatimeve. Natyrisht nuk dua të bëj paralele, dhe nuk pres dhe nuk dëshiroj një gjë të tillë. Kjo, sepse për 25 vjet këtu tek ne po te kish pak ndërgjegje dhe përkushtim, duhet të ishte bërë nami, hataja me ngjarje të tilla.. Por, një mësim të madh duhet të nxjerrim. Që puna për ndërgjegjësimin qytetar dhe shtetëror, për biznesin dhe këdo, për pagimin e detyrimeve fiskale ligjore nga kushdo që ligji e obligon dhe grumbullimi i tyre korrekt nga ata që ligji i ngarkon, është një mision i madh, një detyrë, një obligim, një sfidë që duhet dhe do të kapërcehet..

Ndryshimet në këtë ligj
Ndryshimet në këtë ligj në përgjithësi, janë një instrument, i rëndësishëm për zbatimin e këtij misioni. Thënë, jo i vetëm, sepse duhet harmonizuar me ndryshime të tjera ligjore (ligji për menaxhimin financiar dhe kontrollin, për auditimin e brendshëm etj, që pritet të diskutohen në javët në vazhdim) dhe me reformat e tjera, sidomos ato rregullatore. Dhe mbi të gjitha është ekonomia, zhvillimi i se cilës gjeneron të ardhurat, reformat strukturore dhe prioritizimi eficent i saj. Roli i ndryshimeve ligjore të paraqitura në misionin e pakthyeshëm kundër informalitetit, dëshmohet nga përmbajtja e ndryshimeve që sjell ky ligj, dhe konkretisht:
– Ndryshime që përforcojnë kuadrin ligjor në luftën kundër kontrabandës,
– forcimin e masave në luftën ndaj evazionit dhe mosdeklarimin e punonjësve,
– mbështetje ndaj bizneseve që kanë sjellje korrekte ligjore
– mbrojtjen e qytetarëve dhe denoncues të fenomeneve të kontrabandës dhe evazionit
– riorganizimin e administratës tatimore, shmangien e konflikteve të interesit, etj
Ne dhe aktet ligjore që ne bëjmë, diskutojmë, miratojmë dhe duhet të zbatojmë, duhet të kenë synim kryesor mbështetjen ndaj biznesit të ndershëm, t’i thonë po konkurrencës së ndershme dhe jo monopoleve, forcimit të rregullit dhe disiplinës fiskale dhe jo anarshisë, evazionit dhe shmangies nga pagimi i tatimit, respektimit të ligjit, barazisë para tij për këdo dhe jo diskriminimit, luftës kundër korrupsionit, kontrabandës, ekonomisë gri, informalitetit, krimit ekonomik dhe jo të kundërtës. Informaliteti është kanceri i ekonomisë dhe financave, lufta ndaj tij mbetet sfida e kohës.
Sigal