Njazi Xhelo: Bujqësia shqiptare mund të shpëtojë me kooperativa bujqësore të tipit kapitalist

888
Sigal

INTERVISTA/ Flet agronomi Njazi Xhelo: Sot bujqësia “vuan” nga asistenca teknike, nga copëzimi i tokës

Bujqësia shqiptare sot është në kolaps. Pjesa dërmuese e tokës është e pa mbjellë, toka në përgjithësi është djerrë. Mungojnë kanalet vaditëse dhe ato kulluese, pra në përgjithësi bujqësia vuan si nga vaditja ashtu dhe nga përmbytjet. Por për më tej mund të themi  se problemet e bujqësisë shqiptare janë aq të shumta sa prodhimet vendase nuk përballojnë nevojat e bujqësisë dhe ne jemi detyruar të importojmë pjesën dërmuese të prodhimeve. Por dhe në sistemin komunist, pavarësisht se problemet ishin më të pakta, mënyra e organizmit, drejtimi jo profesional bënin që rendimentet të ishin të ulëta dhe kërkesa e llogarisë të ishte e pjesshme dhe jo profesionale. Njazi Xhelo tregon jetën e tij si agronom në Koop.e Paperit (Elbasan), sektori Vidhas, ku kufiri verior ishte hekurudha Durrës-Elbasan, kufiri jugor-lumi Shkumbin, lindje Kombinati Metalurgjik dhe jug-perëndim lumi Shkumbin dhe Paperi.

  Si ka qenë bujqësia shqiptare në sistemin komunist?

Që nga viti 1976, toka u bë pronë shtetërore. Bujqësia ishte e ndarë në dy sisteme, i pari shtetëror dhe quheshin NB (ndërmarrje bujqësore) dhe i dyti KB (Kooperativa Bujqësore). NB-të kryesisht ishin në periferitë e qyteteve dhe posedonin toka bujqësore me origjinë nga shpronësimet pas L II Botërore dhe toka bujqësore të përfituara nga bonifikimet e tokave moçalishte dhe kënetore. Fshatarit i ishte hequr e drejta të mbante bagëti personale dhe tokë në përdorim personal. Shteti ishte pronar 100% në NB-të dhe pronar i tokës dhe mjeteve mekanike (SMT-ve) në Kooperativat Bujqësore.

 -Ku keni punuar dhe cilat ishin problemet e bujqësisë në atë kohë? -Sa ha tokë kishte ndërrmarja ku punonit?

 -Mbarova Institutin Lartë Bujqësor, në Kamzë në korrik 1985, dega mbrojtja e bimëve. Në shtator, më emëruan agronom në Kooperativën Bujqësore, Paper, sektori Vidhas, me një shtrirje 5 km në bregun verior të lumit Shkumbin, me një sipërfaqe rreth 300 ha (hektarë). Sektori ishte intensiv dhe aplikohej një agrofond modern për kohën. Merrej një rendiment rreth 50 kv/ha grurë dhe rreth 70-80 kv/ha misër. Prodhohej me kosto 30-40 % të çmimit të shitjes, por të ardhurat administroheshin keq dhe produktet cilësore dorëzoheshin në shtet. Popullsia e fshatit konsumonte kryesisht misër për bukë dhe shumë pak produkte blegtorale.

 -Bujqësia, çështje e të gjithë popullit çfarë nënkuptonte?

Bujqësia çështje e gjithë popullit ishte një slogan dhe fshati ishte i mbipopulluar, aq sa në dimër në zonat fushore fuqia punëtore ishte shumë herë më e madhe se sa nevojat. Po përmend një rast. Po çonim punonjësit për të prashitur grurë dhe titolarja e Koop., më porosit që gjithë punonjësit të jenë në një parcelë, sepse do të vinte RTSH, për të filmuar. Sapo arritën në parcelë, Kryetarja (e pa arsimuar, por me shkollë partie), gati sa nuk m’i hodhi “thonjtë” në fyt, duke më thënë, po flamuri përse nuk është në krye të parcelës ? Nuk u përmbajta (duke i parë ata fshatarë që vinin me një copë bukë misri të lyer me sheqer e ujë, më pikonte në shpirt) dhe i thashë, të lutem na lër të punojmë, pak triko të kuqe ka në parcelë…? Për pak e pësova edhe pse ishte viti 1987. Kryetarja kërkoi të informonte organet e hetuesisë, por ndërhyri S.Haxhihasani (fotoreporteri) dhe e kaloi në shaka, shpëtova falë Sulës.

 – Kush nga udhëheqësit e kohës në sistemin komunist ju kishte vizituar. Çfarë porosish kishte dhënë?

Në kohën kur filluan tufëzat dhe arëzat filluan të vinin më shpesh nga Kom.Partisë për të parë si po ecte novacioni i Ramiz Alisë, por tashmë varfëria kishte arritur kulmin dhe tregu si në fshat dhe në qytet ishte thuajse i zbrazët. Në zonat fushore, kur zbatohej teknologjia e kërkuar dhe garantohej nga mekanika përgatitja e tokës për mbjellje, rezultatet ishin të përafërta me ato europiane, por mangësitë në bazë mekanike dhe plehra kimike, ishin shpesh faktorët kryesorë te mosmarrjes të rendimenteve të larta. Në përgjithësi, kritikat binin mbi specialistet edhe pse pa argumente. Thuajse në gjithë territorin e Shqipërisë drejtuesit nuk ishin specialistë të mirëfilltë të bujqësisë. Edhe pse shkencërisht, bujqësia kishte bërë hapa të mëdha përparimi, mungesa e teknikës dhe bazës materiale e komprometonin shpesh prodhimin.

 Po ndonjë rast të veçantë në këto vizita?

 Në vitin 1988, na vjen për vizitë ministri i Bujqësisë, Pali Miska. Bëmë 1 orë mbledhje dhe 6 orë banket. Në fshatra zakonisht udhëheqësit partiak vinin për të ngrënë dhe për të mbushur bagazhet e makinave. Rastet që vinin me urgjence ishin, vetëm kur nuk realizohej plani i qumështit, mishit për në shtet, ose kur kërkohej të dënohej ndonjë specialist “i pa bindur “. Mbaj mend që në vitin 1987 vjen si “i dënuar” nga partia një specialist i aftë, por vjen me dënim partie, pasi ishte i organizuar, por kishte thyer “normat” e partisë. E vërteta ishte se atje ku kishte qenë drejtues u kishte mbyllur dyert e furnizimit udhëheqjes së rrethit.

 Cilat ishin prodhimet tuaja për eksport në atë kohë?

  Atje ku punoja unë, eksportoja rreth 2000 kv domate dhe rreth 1000 qengja, të cilët zakonisht çoheshin ne Greqi për pashkët. Në dyqanet e fshatit, mungonin thuajse gjithë produktet edhe pse prodhoheshin atje. Kujto që fshatari vinte në qytet dhe i lutej ndonjë qytetari t’i blinte një bukë gruri !?

 Po sistemi i ujitjes dhe ai kullues?

Sistemi ujitës dhe kullues ka qenë në kushte optimale, kurse sot ka shumë mangësi.

 Cilat janë “sëmundjet” e bujqësisë shqiptare sot?

 Sot bujqësia “vuan” nga asistenca teknike, nga copëzimi i tokës dhe nuk bëhet kurrë fjalë për një bujqësi moderne dhe bashkëkohore. Nëse shteti shqiptar do të ishte më afër ish-pronarëve, të shpronësuar nga regjimi komunist, zgjidhja më e mirë do të ishte administrimi dhe dhënia në pronësi (duke i kompensuar), këta ish-pronarë me tokat dhe kapitalin e NB-ve. Kooperativa Bujqësore të tipit kapitalist ka në gjithë botën.

  Si mund të ecë sot bujqësia shqiptare?

Sot nuk do shumë mend për të ecur përpara në bujqësi, mënyrat dhe eksperiencat ekzistojnë. Sot duhet të jetë vetëm dëshira dhe fryma e mirë. Ka vende si Holanda, që dhe pse vende të ftohta marrin rendimente të larta dhe pse në toka të përfituara nga deti. Tokat tona bujqsore duan ujë, plehrim dhe farëra të zgjedhura. Kushtet ekzistojnë aq më tepër klima është tepër e favorshme për rezultate të larta në bujqësi. Por ajo që mungon është vullneti dhe dëshira për të pasur një bujqësi të përparuar. Pra nuk kanë ekzistuar politikat e mirëfillta për bujësinë. Në një vend që kemi toka pjellore, të importojmë një shumicë të prodhimeve bujqësore është e patolerushme. Ne të importojmë nga Maqedonia? Nuk e konceptoj dot. Nuk e mendoj dot. Politika enveriste kishte shumë të meta, shumë ideologji, por të paktën çoi ujin në çdo ngastër tokë.