Nis të hënën skanimi në dogana, 22 euro tarifa për kontenier

1050
Duke filluar nga e hëna 7 shtator 2015, shoqëria koncesionare “Rapiscan” do të fillojë operimin për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe të automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, kundrejt tarifës së skanimit.
“Pagesa për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesë do të kryejnë të gjitha bizneset. Pra, do të përfshihet, si aktivitet, importi, eksporti dhe kalimi tranzit.
Pagesa për deklaratë do të jetë 22 euro.
Për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1,000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro” thuhet në njoftimin e ministrisë së Financave.
Ministria e Financave shpjegon se qëllimi i realizimit praktik të këtij shërbimi nuk është vetëm shmangia e nënraportimeve të deklaratave doganore për efekt të keqklasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen, por edhe siguria kombëtare, sigurimi i kufijve nga parandalimi i kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj.
Kontrata me “Rapiscan” ishte një ndër kontratat e kundërshtuara fort nga te majtët kur ishin ne opozite, por pas ardhjes në qeverisje në shtator të 2013, mosmarrëveshjet me kompaninë dhe prishja e marrëveshjes mund ti kushtonte buxhetit 256 mln euro dhe për pasojë u detyrua të bëjë kompromis dhe të bjerë dakort për të ulur tarifën e skanimit nga 39 ne 22 euro per çdo deklaratë doganore.
Sigal