Nikolin Jaka: “Modeli i ri ekonomik, të shoqërohet me një model të ri të politikave fiskale”

172

*kryetar i Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë

Kryeministri i ri, Edi Rama, pas votëbesimit që i dha parlamenti programit të tij qeverisës, publikisht, përsëriti premtimin e tij, dhënë në fushatën elektorale, se qeveria e tij, do të shlyejë gjithë detyrimin që ka ndaj biznesit dhe privatëve. Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë,  në intervistën për “Telegraf”, pohon shifrën reale  të borxhit që qeveria u ka ende biznesit dhe privatëve. Ky borxh, -pohon zoti Jaka,- është 40 milionë euro, dhe i kujton Kryeministrit se u ka premtuar që kjo shlyerje të bëhet brenda 10 muajve. Zoti Jaka, i kujton qeverisë, se modeli i ri ekonomik, për të cilën premton me programin e ri qeverisës, duhet, domosdoshmërisht, që të shoqërohet edhe me një model të ri  të politikave fiskale dhe monetare. Përsa i përket politikave që duhet të ndjekë qeveria e re, për të krijuar klimën e përshtatshme, për një konkurrencë të ndershme, zoti Jaka, thotë se “Sipërmarrja shqiptare të dalë nga kthetrat e informalitetit, kontrabandës dhe politikave preferenciale dhe diskriminuese”.

– Zoti Jaka, cila është oponenca juaj për programin e qeverisë “Rama 1” ?

– Do doja ta filloja me një urim për Qeverinë dhe maxhorancën e Re:  “ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, i uron një fillim të mbarë Aleancës Qeverisës,  duke i siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e Dhomës së Tregtisë dhe anëtarëve të saj!”. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, që të orientohet drejt vizioneve të reja të integrimit të saj në shoqëritë e qytetëruara dhe të zhvilluara . Në këtë kontekst, të gjithë palëve do ju duhet të gjejnë sistemin dhe modelin e përgjegjësive, komunikimeve dhe zhvillimeve. Në përgjigje të pyetjes suaj, në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë, ju siguroj se do jemi në mbështetje të çdo programi qeverie, që mundëson dhe promovon zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë .

Nga ana tjetër, do jemi kritikë por gjithmonë oponentë ndaj fenomeneve dhe programeve, që cenojnë interesat e sipërmarrjes private.

– A janë reflektuar premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale nga Rama dhe Meta për të ndihmuar biznesin?

– Lidhur me premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë e ka komplementuar Kryeministrin e Ri për qëndrimin e Tij, në sinkron lidhur me premtimet para elektorale dhe angazhimin e Tij për të mbajtur premtimet pas formimit te Kabinetit Qeveritar.

– A jeni qartësuar se çfarë politike fiskale, konkretisht, do të ndjekë Qeveria e Re ?

– Pritet të fillojnë konsultimet me Qeverinë e Re, ekspertët dhe grupet e interesit lidhur me politikat fiskale . Është domosdoshmëri që implementimi i një modeli të ri të zhvillimit ekonomik, të shoqërohet me një model të ri të politikave fiskale dhe monetare.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vlerëson dhe mbron me forcë tarifën prej 10% lidhur me taksën e korporatave, por nga ana tjetër jemi, jo vetëm të hapur, por edhe iniciatorë për të trajtuar me kujdes taksën e rentabilitetit për të gjitha ato kompani që operojnë në një treg të imunizuar nga Qeveria.

– Rama ditët e fundit pohoi se qeveria nuk do të ushtrojë kontroll ndaj bizneseve, por 4 kompani të huaja do të  jenë ato që do të bëjnë auditimin në biznes. Sipas jush, kjo është në ndihmesë të biznesit ?

– Modeli ekonomik dhe politikat fiskale duhet të jenë në shërbim të njëra tjetrës, duke marrë përsipër reforma strukturore në shërbim të rritjes ekonomike .

– Politika e re e qeverisë, sa do të përmirësojë klimën e konkurrencës së lirë dhe të ndershme të biznesit?

– Është shumë e rëndësishme që ekonomia  dhe sipërmarrja shqiptare të dalë nga kthetrat e informalitetit, kontrabandës dhe politikave preferenciale dhe diskriminuese.

– Ky program i ri qeverisës, sa do të stimulojë bizneset të investojnë, qoftë atë të huaj, por qoftë edhe biznesin vendas?

– Së pari, Qeveria duhet të hartojë një strategji të qartë lidhur me prioritetet e saj dhe sektorët prioritarë të ekonomisë ku duhet të fokusohen investimet e huaja dhe ato shqiptare.

Së dyti, modeli ekonomik, politikat fiskale dhe rregullatore kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në stimulimin e investimeve vendase dhe të huaja .

– Sa është borxhi i shtetit ndaj biznesit ?

Në shifra reale këtë vlerë mund ta dijë vetëm Qeveria. Parashikohet që ky borxh të kapë vlerën e rreth 400 milionë euro.

Dje, Kryeministri, edhe njëherë përsërit që Qeveria e Re do të shlyejë borxhin ndaj biznesit. Ka afate se kur do të shlyhet ky borxh?

– Është shumë premtuese për sipërmarrjen private deklarimi i hapur dhe me tone të qarta i Kryeministrit të Shqipërisë  z. Edi Rama, se Qeveria e Tij do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për shlyerjen e detyrimeve që i ka sipërmarrjes private, në një kohë sa më të shkurtër. Premtimi elektoral parashikonte një periudhë 10- mujore, për shlyerjen e detyrimeve ndaj sipërmarrjes private.

Faleminderit!