Nikë Neçaj/ Reformimi i tregut të Sigurimeve

1003
Kompanitë e sigurimeve mbikëqyren nga AMF (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare). Që në fillim e themi, se edhe këtu mbikëqyrja nuk është më e mirë se ajo e Bankës së Shqipërisë, mbi bankat e nivelit të dytë.  Në vendin tonë, janë të licencuara e ushtrojnë aktivitetin e tyre sigurues, 7 kompani sigurimi të jo jetës, 2 kompani të sigurimit të jetës dhe një kompani mikse (sigurim jete dhe jo jete). Përjashtuar kompaninë INSIG, të gjitha kompanitë e tjera, janë private. Në disa prej tyre, kanë aksione kompani të huaja, kryesisht austriake. Disa nga këto kompani, kane degët (filialet) e tyre edhe në Kosovë e Maqedoni. Në dhjetë vitet e fundit, tregu i sigurimeve ka pasur rritje të konsiderueshme. Sot, ky treg kap vlerën mbi 11,62 miliard lekë. Në fundin e vitit 2014, krahasuar me vitin 2004 rritja ishte 289,8%. Ka pasur vite, që kjo rritje krahasuar me një vit më parë, ka qenë edhe mbi 36 %, kurse si mesatare vjetore, nga viti 2004, është diku tek 8,9 %. Kompanitë e sigurimeve, për ata që nuk kanë njohje, janë subjekte të licencuara nga shteti për sigurimin e jetës e të pasurisë së qytetarëve, për sigurimin e përgjegjësive, sigurimin e aksidenteve e të shëndetit etje. Në Republikën e Shqipërisë, një pjesë e sigurimeve, janë të detyrueshme për qytetarët. Peshën kryesore në këtë zë e zen sigurimi i detyrueshëm TPL i mjeteve motorike. Në shkallë vendi, struktura e sigurimeve në vitin e fundit paraqitet: Sigurimet e jetës zënë 8,8 % të portofolit të primeve (të ardhurave nga sigurimet), sigurimet e jo jetës (pasuria, mjetet motorike etje) 90,9 % dhe risigurimet (sigurimi i vetë aktivitetit të kompanisë tek kompani risiguruese) 0,3 %. Siç thamë më lart, disa sigurime janë të detyrueshme me ligj nga shteti, kurse të tjerat janë vullnetare. Për vitin e fundit, në portofolin e përgjithshëm te primeve, sigurimet e detyrueshme realizojnë 59,5 % të të ardhurave, kurse sigurimet vullnetare 40,5 % të tyre. Krahasuar me tre vite më parë, të ardhurat e kompanive të sigurimeve, nga sigurimi i jetës, janë rritur 116,7 % (1,027 nga 0,880 miliard lekë), kurse ato nga sigurimet e jo jetës (pasuri, mjete motorike etje ), janë rritur 131,4 % (10,570 nga 8,042 miliard lekë) Për vitin 2014, struktura e te ardhurave nga sigurimet e jo jetës, paraqitet si vijon. Mjetet motorike japin 70 %, zjarri e dëme të tjera 15,5 %, aksidentet në punë e shëndeti 7,6 %, dhe të tjera sigurime (përgjegjësi të përgjithshme, marina, aviacioni, transporti i mallrave, sigurimi i garancive) 6,9 %. Kompanitë, për mbulimin me dëmshpërblim të të siguruarve në raste rreziku, krijojnë rezerva teknike (provigjione). Për vitin e fundit, këto rezerva ishin sa 90,9 % të primeve, kurse primi i fituar, përbënte 45,3 % të primeve të regjistruara. Raporti dëme prime, ka ndryshuar ndër vite. Në vitin 2004, ky raport ishte 30,6 %, në vitin 2010 ishte 28 % dhe në vitin 2014 ishte 24,3%. Në çdo vit duke u përkeqësuar. Sipas standardeve ndërkombëtare, ky raport duhet të jetë 50-80 %. Raporti i shpenzimeve të marrjes në sigurim për vitin 2012, ishte 62,8 %, për vitin 2013 ishte 79,5 % dhe për vitin 2014 ishte 54,5 %. Standardet e mirëfillta ndërkombëtare, janë 25-50 %. Edhe këtu raporte të përkeqësuar.
Duke analizuar lidhjet korelative të treguesve të sipërpërmendur, arrijmë në disa përfundime: 
Së pari; rritja e tregut të sigurimeve, ka ardhur kryesisht nga veprimi i ligjit për sigurimin e detyrueshëm TPL të mjeteve motorike. Në 10 vitet e fundit, numri i automjeteve është rritur më shumë se dy herë. Të ardhurat e kompanive nga sigurimet e detyrueshme, zënë 60 % të totalit të tyre.
Së dyti; sigurimet vullnetare, zënë ende peshë të ultë në totalin e të ardhurave, (vetëm rreth 40 % të tyre). Në këtë kategori futen, sigurimi i pasurisë nga zjarri e demet e tjera, sigurimi i aksidenteve e shëndetit, sigurimi i jetës dhe i përgjegjësive etje. Kjo dëshmon, jo vetëm për nivelin ende të ulët ekonomik të qytetarëve, por dhe shkallën e ulët të besimit tek këto kompani.
Se treti; sigurimi i jetës, ka patur rritje të ulët. Sipërmarrjet, nuk garantojnë kushtet e sigurisë në punë, ndaj dhe kompanitë e sigurimeve nuk duan të marrin përsipër rrisqe të tilla. Janë gjithë ato aksidente në punë, me humbje jete, dhe familjet e viktimave nuk janë përfitues të asgjëje, as nga sipërmarrja dhe as nga kompanitë e sigurimit.
Së katërti; Raporti dëme/prime, është më i ulëti në rajon, shumë më poshtë se standardet. Kjo do të thotë se, kompanitë nuk i paguajnë dëmet. Me qindra, për të mos thënë me mijëra çështje, janë në gjykata. Kompanitë paguajnë avokat me 10-20 % të shumës së mos paguar, vetëm e vetëm për të rrezuar paditë. Qytetari humb e padrejtësisht fitojnë avokatet, gjyqtaret e kompanitë e sigurimit. 
Së pesti; shpenzimet e marrjes në sigurim, janë shumë të larta, shumë mbi standardet. Vallë a është e vërtetë apo ka spekulime për të ulur fiktivisht fitimin? A mos ka luks të tepërt nga kompanitë? A nuk është paradoksal fakti, që kompanitë ankohen për dendësi të ultë të sigurimit (prime për frymë të popullsisë) dhe nga ana tjetër, kanë shpenzime më të larta se ato vende që e kanë këtë dendësi më të lartë, paguajnë dëme shumë më pak se ato, kanë një strukturë të portofolit disa here më anormale se ato? A ka informalitet dhe sa është ai? Po tatimet i kontrollojnë bilancet e kompanive te sigurimit? Po Kontrolli i Lart i Shtetit ?
Për kompanitë e sigurimit, nuk ka një koncept bashkëkohor. Ato në të vërtetë janë shoqëri aksionere, ku aksioner janë të gjithë arkëtuesit e primeve. Të gjithë duhet të jenë përfitues ose humbës nga ky aktivitet. Po kështu dhe shteti, pasi rreth 60 % e të ardhurave të këtyre kompanive, sigurohen nga ligji mbi sigurimin e detyrueshëm. Këto përfitime deri më sot, nuk i kanë marrë as të siguruarit dhe as shteti, por padrejtësisht kompanitë e sigurimit. Të marrësh 60 % të ardhurave nga detyrimi i ligjit për qytetarët, pa mund e risk, nga ana e kompanive të sigurimit, të bësh pagesa të ulëta të dëmeve poshtë çdo standardi, të bësh shpenzime tej normave, këto nuk janë normale. Nuk është normal dhe fakti, që këto kompani në vend që të përsosin aktivitetin e tyre, për të cilin janë licencuar, në vend që të vënë raportet në standardet europiane, të ardhurat e përfituara padrejtësisht nga sigurimet i drejtojnë në aktivitete të tjera, si resorte turistike, kantiere ndërtimi, tregti me shumicë etje. Për riparimin e këtyre çrregullimeve, është e domosdoshme kthesa rrënjësore e punës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si dhe kontrolli më i rreptë i organeve tatimore. Krahas këtyre, janë emergjente ndryshimet thelbësore që i duhen bërë ligjit të sigurimeve, me qëllim, që parat që mblidhen me ligj nga shteti, të mos i mbeten privatit më shumë se sa kushton menaxhimi. Në ligj duhet të shtohen sanksionet deri në heqjen e licencës, kur nuk respektohen standardet dhe manipulohet me treguesit financiar. Kontrolli i Lartë i Shtetit, duhet të marrë kompetenca të plota për të kontrolluar funksionim e AMF-së, si njëri nga autoritetet e rëndësishme financiare, që ka të bëjë me qytetarët dhe me buxhetin. Në këtë këndvështrim, reforma duhet e shpejtë, e thellë dhe konkrete. Këtu kemi të bëjmë me dy grupe interesi, njëri grup janë qytetarët dhe buxheti i shtetit, grupi tjetër i interesit, janë vetë kompanitë. Deri më sot grupi i parë ka qenë i humbur.
Sigal