Ngrihet fondi për ndërhyrje të jashtëzakonshme në banka

987
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”. Në zbatim të ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, Banka e Shqipërisë krijon “Fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”, i cili themelohet nga kontributet e sektorit bankar dhe shërben për zbatimin e instrumenteve dhe kompetencave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. “Ky fond duhet të plotësohet gradualisht dhe të arrijë nivelin 0.5% të detyrimeve të të gjitha bankave, të llogaritura si diferenca midis aktiveve të sektorit bankar dhe kapitalit rregullator, brenda datës 11 korrik të vitit 2027” thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore. Në këtë kuadër, rregullorja e re përveç krijimit të fondit, përcakton edhe metodologjinë për llogaritjen e kontributeve të bankave për plotësimin e tij si dhe hartimin e procedurave për administrimin e tij, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. “Kjo rregullore është hartuar me mbështetjen e asistencës teknike të Bankës Botërore, duke përshirë dhe standardet e vendosura nga vendet e Bashkimit Evropian për krijimin e fondeve për ndërhyrjen e jashtëzakonshme (në nivel vendi) në zbatim të Direktivës Evropiane për këtë qëllim”, vlerësoi BSH. Ndërhyrja vjen në një moment kur banka të caktuara në vend kanë shfaqur probleme dhe vështirësi. Deri më tani, Banka e Shqipërisë ka dhënë garanci për gjendjen e sistemit bankar, ndonëse nuk kanë munguar rastet e bankave pranë falimentimit.
Sigal