Nga Abn Amro në West LB/ bankat e përfshira në mashtrimet më të mëdha fiskale

703
Sigal

Kjo lojë ishte kthyer tashmë në një gjë të zakonshme. Ishin mbi 100 bankat ndërkombëtare që përdornin skemën e optimizimit fiskal, mbi të cilën po hetojnë edhe prokurorët e Këlnit, Frankfurtit dhe Mynihut, që në 15 vitet e fundit mendohet të kenë shkaktuar një humbje prej 55.2 miliardë eurosh në arkën shtetërore të vendeve si Gjermania, Franca, Danimarka, Belgjika dhe Italia, shkruan “Il Sole24ore”. Mashtrimi i blerjes dhe shitjes së aksioneve ndaj kompanive të ndryshme, edhe pse në pjesën më të madhe ishin veprime operacionale, menaxhoheshin kryesisht nga instituti londinez i kreditimit. Lista e 125 bankave që përdorën skemën e njohur si “cum-ex” është botuar në një raport prej 830 faqesh nga Komisioni i Hetimeve të Bundestagut gjerman, e publikuar në qershor të vitit të kaluar. Komisioni u krijua pikërisht për të hetuar praktikat tatimore në lidhje me skemën “cum-ex”. Prania në listë nuk do të thotë automatikisht që një bankë e caktuar të jetë fajtore, sepse do të jenë gjykatësit gjermanë ata që do përcaktojnë se cila nga këto banka ka përdorur skemën e optimizimit fiskal për të shmangur tatimin dhe se cilat kanë vepruar duke iu përmbajtur kufijve ligjorë. Por nga Abn Amro në West LB lista me emrat e bankave të përfshira është shumë e rëndësishme.

 Lista e bankave

Emrat e institucioneve bankare gjermane nuk mungojnë në këtë listë, duke filluar nga Deutsche Bank në Dresdner, e deri tek Bayerische Landesbank. Më pas spikasin emrat e rëndësishëm francezë, si BNP Paribas, Credit Agricole dhe Societe General. Holandezët me Ing dhe ABN Amro, zviceranët me UBS-në, Credit Suisse, Pictet dhe Oddo & Cie, anglezët me HSBC dhe Barclays, institucionet e mëdha amerikane si Banka e Amerikës, Citibank, Goldman Sachs, JP Morgan, Merrill Lynch, Morgan Stanley. Dhe së fundmi, kësaj liste iu bashkua edhe dega e Bankës Danske në Estoni dhe HypoVereinsbank nga grupit Unicredit. Kësaj liste i mungon banka spanjolle Santander, përfshirja e së cilës në këtë skemë mashtrimi u zbulua pasi ajo ishte bërë publike. Që prej viteve 2000, bankat dhe agjentët e tjerë filluan të shisnin dhe të blinin sasi të mëdha aksionesh midis tyre dhe nëpërmjet një strukturimi të synuar të transaksioneve, ata arritën që të përfitonin dyfishin apo edhe një vlerë më të lartë të tatimit në burim, të cilat në fakt u paguan një herë të vetme. Në këtë mënyrë, bankat rrisnin fitimet e tyre. Që nga viti 2006, janë dokumentuar rastet në të cilat transaksionet u ofrohen subjekteve institucionale dhe personave fizikë me vlerë të lartë neto. Të gjitha në kurriz të taksapaguesve.

Kontradiktat Hypo Vereinsbank-Roth

Data 6 prill e vitit 2006, njihet nga mediat gjermane si data e fillimit të mashtrimit më të madh fiskal në Europë. Atë ditë, disa bankierë të HypoVereinsbank i prezantuan manjatit gjerman, Rafael Roth, në banesën e tij në Kurfürstendamm në Berlin, një investim në dukje i krijuar vetëm për klientët më të pasur, “Ultra High Net Worth Individuals”.Në apartamentin në katin e 22-të, të kryeqytetit gjerman, bankierët i shpjegojnë z. Roth se nga ky investim ai mund të marrë kthime dyshifrore, pa më të voglin rrezik. Emri i kësaj skeme ishte: Cum Ex. Në vitin 2007, Parlamenti gjerman filloi të dyshonte diçka rreth rimbursimeve tatimore të kërkuara për shitjen e aksioneve dhe e ndali këtë gjë nëpërmjet bankave kombëtare. Por gjërat nuk shkuan siç shpresonte qeveria gjermane, sepse transaksionet u menaxhuan nga bankat e huaja. Shumë institucione kreditimi arritën deri aty sa të rrisnin edhe përdorimin e skemës fiskale pas ndryshimit të ligjit. Në vitin 2011 Ministria e Financave u përpoq të ndalojë më tej abuzimet e mundshme të skemave të mashtrimit të njohura si “cum-ex”. Ajo vendosi se të gjithë ata që do të duan të rimbursohen, do të duhet të paraqesin një certifikatë të posaçme. Një këshilltar tatimor ose një kontabilist do të duhet të konfirmojë se transaksionet nuk janë kryer rreth datës së regjistrimit të dividentit. Ndryshimi që solli kthesën e vërtetë ndodhi në vitin 2011, kur Zyra e Tatimeve të Wiesbaden i kërkoi një prej kompanive të Rafael Roth rreth 113 milionë euro, plus 10 milionë euro interesa. Menjëherë, z. Roth paditi bankën, por edhe banka paditi biznesmenin.

Hetimet në banka

Në nëntor të 2012, rreth 60 punonjës policie, inspektorë tatimorë dhe gjykatës filluan hetimin në zyrat e HypoVereinsbank. Ky hetim i cili nisi në 2012, konsiderohet edhe si një prej hetimeve më cilësorë. U zbulua se nga vitet 2006-2008, HypoVereinsbank i huazoi z. Roth, 500 milionë euro dhe se në tre vitet e ardhshme banka ka negociuar në emër të aksioneve të z. Roth, për një vlerë prej mbi 15 miliardë eurosh. Gjithçka dukej sikur po shkonte më së miri. Banka rriste fitimet e saj, ndërsa z. Roth rriste vlerën e pasurisë së tij. Por kjo gjë zgjati deri në fillim të problemeve gjyqësore. Unicredit Ag mbylli mosmarrëveshjet që kishte me prokurorinë e Këlnit, Mynihut dhe Frankfurtit, duke paguar një gjobë me vlerë rreth 20 milionë. Aktualisht, procedurat ndaj disa ish-punonjësve të kësaj banke mbeten ende të hapura dhe banka vetë ka paraqitur edhe një padi ndaj anëtarëve të bordit drejtues për dëmet e shkaktuara. Vëmendja më e madhe vazhdon të mbetet te humbja e madhe prej 55.2 miliardë eurosh, një vlerë kolosale, e cila vështirë se do të mund të rikuperohet plotësisht. Monitor