Nënshkruhet marrëveshje për tregtinë e lirë mes Turqisë dhe Shqipërisë

696
Sigal

TIRANE- Shqipëria dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshjen për Tregtinë e Lirë. Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci dhe ai shqiptar Ahmetaj kanë rënë dakord të zgjerojnë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve. Ministri i Ekonomise së Turqisë ka deklaruar se miqësisë pa kufi po i shtojmë edhe tregtinë pa kufi. Ndërsa Ministri Ahmetaj është shprehur gjatë vitit 2015 do të shtojnë bashkëpunimin edhe në fushën e bujqësisë.
 
 “Janë mbi 300 firma turke që operojnë në Shqipëri me investime mijëra dollarë. Mendoj se potencialet ekonomike dhe tregtare të Turqisë dhe Shqipërisë duhet të jenë më të zgjeruara. I inkurajojmë tanë që të vijnë të bëjnë investime në Shqipëri, sepse ne Shqipërinë e shikojmë si një partner strategjik në Ballkan. Si një vend partner në logjistike, prodhim, ekonomi, kudo. Miqësi pa kufi, marrëveshje pa kufi. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira, vëllimi tregtar është rritur 4 herë dhe mundësitë janë që të shtohen edhe më shumë shkëmbimet tregtare dhe investimet. Kam ardhur këtu dhe e ndiej veten si në shtëpinë time. Duhet të kemi një partneritet mjaft të mirë edhe në ekonomi. Sot ramë dakord që të krijohet një grup pune teknik me pjesëtare nga të dy vendet, të cilët duhet të mblidhen çdo muaj. Dhe ne si ministra do ndjekim nga afër veprimtarinë e tyre”, tha ministri turk Zeybekci.
 
“Ministri turk dhe unë besojmë se gjatë 2015 mund të punojmë për të zgjeruar marrëveshjen edhe në fushën e bujqësisë. Turqia është një nga historitë më të dukshme të suksesit ekonomik nëpërmjet kthesës së dukshme që ka marrë ky vend, dhe ne mund të mësojmë nga ky vend. Në fokus thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit”, tha ministri Ahmetaj.
 
Punësimi që sigurojnë kompanitë turke në Shqipëri është rreth tre mijë persona. Në anën tjetër kontraktorët turq në Shqipëri kanë realizuar 24 projekte kontraktuese me një vlerë afërsisht në total 1 miliard dollarë.