Ndryshon vendimi, kush do të paguajë kafet e krerëve të shtetit

167
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare është ngarkuar edhe me ofrimin e shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri, ndërsa shpenzimet për këtë shërbim do të përballohen nga buxheti i shtetit. “Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare mund t’i kërkohet, pjesërisht apo tërësisht, ofrimi/transferimi i këtyre shërbimeve të përgjithshme edhe nga institucionet më të larta të shtetit, si Presidenca apo Kuvendi i Shqipërisë. Shpenzimet për shërbimet e ofruara përballohen nga buxheti i shtetit”, thuhet në ndryshimet e vendimit të qeverisë. Drejtoria do të marrë përsipër organizimin e eventeve si dhe të aktiviteteve ceremoniale, publike dhe jopublike, sipas kërkesës, duke trajtuar me përparësi nevojat e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit. Shpenzimet për këto evente përballohen nga buxheti i vetë institucioneve. “Shpenzimet që kryhen nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe nënkryetarët e Kuvendit për evente dhe aktivitete ceremoniale, pritje, dreka e darka zyrtare, që jepen nga këto personalitete, si dhe shpenzimet për kafe, që bëhen nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, përballohen nga fondet e vetë institucioneve që përfaqësojnë autoritetet e lartpërmendura”, thuhet në vendim. Ndërkohë, pozicionet dhe punonjësit aktualë në këto pozicione, në sektorin e shërbimeve të përgjithshme, në Departamentin e Administrimit dhe Shërbimeve, pranë Kryeministrisë, do të kalojnë te struktura e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Kategoria e pagave për secilin pozicion të transferuar do të jetë e njëjtë me pozicione të ngjashme në strukturën e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Gjithashtu, mjetet, materialet, makineritë, pajisjet, veglat në inventarin e Kryeministrisë dhe që i shërbejnë funksioneve të transferuara kalojnë në inventarin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.