Sigal

Ndryshime të reja janë parashikuar në ligjin për Prokurimet Publike, si një bashkërendim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sipas një pr/ligji të dërguar në Kuvend së fundmi, theksohet se në ligjin ekzistues është parashikuar një ndryshim që ka të bëjë me përjashtimin nga mundësia për të fituar një kontratë publike jo vetëm operatori ekonomik që ka një dënim penal si subjekt juridik, por edhe kur individët përfaqësues të subjektit kanë një dënim të tillë, do të shmangë çdo mundësi që operatorë ekonomikë që kanë një dënim penal si persona juridikë, apo të përfaqësuar nga individë të dënuar penalisht të fitojnë kontrata publike. Në bazë të legjislacionit të prokurimit publik në fuqi, çdo operator ekonomik që synon të fitojë kontrata publike dhe rrjedhimisht dhe fonde publike, duhet të plotësojë paraprakisht disa kushte të cilat ndahen në kushte ligjore, ekonomiko-financiare dhe teknike. Nëse kushtet ekonomiko-financiare dhe kushtet teknike, synojnë të sigurojnë që subjekti fitues i kontratës publike është i aftë ta zbatojë atë, kushtet ligjore, synojnë të sigurojnë që kontrata publike po lidhet me një subjekt privat që funksionon në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në vend, si dhe ka integritet, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar”, është mbështetur në nenet 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës. Në nenin 45 të ligjit është bërë riformulimi i paragrafit 1 të tij, për të identifikuar qartësisht rastet e skualifikimit të operatorëve ekonomikë, si pasojë e dënimit penal të marrë prej tyre, përfaqësuesve ligjorë, aksionarëve, ortakëve apo anëtarëve të organeve administrative, drejtuese apo mbikëqyrëse të tyre për një nga veprat penale të listuara që lidhen me krimin e organizuar, terrorizmin apo edhe korrupsionin. Sipas relacionit, ndryshimi erdhi si nevojë krahasuar me rastet në praktike në prokurime publike. Aty theksohet se në vijim të luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar, ky projektligj është hartuar me qëllim e vetëm të mospërfitimit të fondeve publike jo vetëm nga operatorët të cilët janë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale, të cituara në nenin 1 të këtij projektligji, por edhe në rastet kur personi i dënuar me një vendim të formës së prerë është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda operatorit ekonomik. Nga analiza të bëra nga pushteti qendror, rezultoi se parashikimi ligjor aktual nuk ezauron edhe rastet kur një përfaqësues i operatorit ekonomik aksionar, ortak, administrator, përfaqësues ligjor etj., është i dënuar me vendim të formës së prerë, si dhe në listën e veprave penale të parashikuara, vlerësohet e nevojshme të shtohen dhe disa vepra të tjera. Ky amendim vjen edhe më shumë në përputhje me nenin respektiv të direktivës përkatëse të BE-së.
Ligji parashikon zero tolerancë për veprat penale të mëposhtme:

a) Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste;
b) Korrupsion;
c) Mashtrim;
ç) Pastrim parash ose financim i terrorizmit;
d) Vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, ose nxitje, ose ndihmë ose mbështetje për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste;
dh) Organizimi, drejtimi ose financimi i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve;
e) Falsifikim;
ë) Puna e fëmijëve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.