Ndryshojnë rregullat, ja si do të zhvillohen tenderët

1958
Qeveria shton procedurën e delegimit të prokurimit, krahas masave të reja për blerjet e vogla dhe dështimin apo përsëritjen e tenderit. Çfarë do të ndodhë me zyrtarët e komisioneve 
Qeveria ka përcaktuar masa të reja për shpenzimin e parave publike, duke u dhënë enteve shtetërore edhe mundësi shtesë për përdorimin e fondeve. Në tekstin e rregullave të prokurimit publik janë bërë edhe ndryshime që lidhen me prokurimin e përqendruar dhe delegimin e prokurimit. “Ministritë ose institucionet e tjera, që kanë në varësi disa autoritete kontraktore, mund të prokurojnë në mënyrë të përqendruar për autoritetet kontraktore të varësisë”, theksohet në vendim. Aty nënvizohet se “procedurat e prokurimit të shpallura para hyrjes në fuqi të këtij vendimi të vazhdojnë sipas rregullave të prokurimit publik, në bazë të të cilave ato janë shpallur”.

Shtesa në rregullat e prokurimit publik
Delegimi i prokurimit
Nëse një ose disa autoritete kontraktore kanë nevojë të prokurojnë mall/punë ose shërbim, ata mund të bien dakord të delegojnë të drejtën e kryerjes së procedurës së prokurimit një autoriteti tjetër kontraktor për shkak të kapaciteteve që ky i fundit ka në fushën e objektit të prokurimit. Autoriteti kontraktor, të cilit i është deleguar e drejta e prokurimit, është plotësisht përgjegjës për kryerjen e të gjithë procedurës së prokurimit, që nga njoftimi i kontratës deri te publikimi i njoftimit të shpalljes së fituesit, ndërsa nënshkrimi i kontratës bëhet nga vetë autoriteti/et kontraktor/e përfitues/e.

Regjistri i parashikimeve të procedurave
1 – Në bazë të kërkesave për punë, mallra ose shërbime, autoriteti kontraktor është përgjegjës për përgatitjen dhe dorëzimin e regjistrit vjetor të parashikimeve për procedurat e prokurimit publik, në përputhje me formën dhe mënyrën e parashikuar në udhëzimet e APP-së. Ky regjistër duhet të përgatitet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga miratimi i ligjit për buxhetin. Autoritetet kontraktore, brenda 5 (pesë) ditëve nga hartimi i regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, të dërgojnë në organin qendror blerës të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për objektet që do të prokurohen në mënyrë të përqendruar. Autoriteti kontraktor ka detyrimin të krijojë regjistrin e parashikimeve në sistemin e prokurimit elektronik dhe publikimi i tij nga APP-ja të bëhet brenda tri ditëve nga dita e nesërme e punës nga dërgimi i tij për publikim në sistem. APP-ja nuk do të lejojë publikimin e regjistrave të parashikimeve, të cilat nuk janë hartuar në përputhje me kërkesat e legjislacionit të prokurimit publik. Një kopje e regjistrit të parashikimeve pas publikimit nga APP-ja duhet të dërgohet në degën e thesarit dhe në institucionin qendror që vë në dispozicion fondet buxhetore, në rastin kur ka një të tillë.

2 – Çdo autoritet kontraktor, i cili do të luajë rolin e organit qendror blerës, dhe autoriteti, të cilit i është deleguar e drejta për prokurim (nëse është rasti), duhet të krijojnë një regjistër parashikimi për procedurat e prokurimit që do të zhvillohen prej tyre, menjëherë me mbledhjen e të dhënave, por, në çdo rast, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga marrja e tyre. Organi qendror blerës dhe autoriteti, të cilit i është deleguar e drejta për prokurim (nëse është rasti), kanë detyrimin të krijojnë/të modifikojnë regjistrin e parashikimeve në sistemin e prokurimit elektronik dhe publikimi i tij nga APP-ja të bëhet brenda tri ditëve nga dita e nesërme e punës e krijimit të tij në sistem.

3 – Organet e pushtetit vendor, ndërmarrjet shtetërore apo çdo autoritet kontraktor tjetër jobuxhetor përgatitin regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit publik, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pas miratimit të buxhetit apo planit të blerjeve nga këshillat vendorë ose nga organet drejtuese përkatëse. Këto autoritete kontraktore kanë detyrimin të krijojnë regjistrin e parashikimeve në sistemin e prokurimit elektronik dhe publikimi i tij nga APP-ja të bëhet brenda tri ditëve nga dita e nesërme e krijimit të tij në sistem.

4 – Autoriteti kontraktor ka të drejtë të bëjë ndryshime në regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit, vetëm në raste të justifikuara. Çdo ndryshim i regjistrit të parashikimeve bëhet nga vetë autoriteti kontraktor në sistemin e prokurimit elektronik dhe publikimi i tij nga APP-jatë bëhet brenda tri ditëve nga dita e nesërme e punës nga dërgimi i tij për publikim në sistem. APP-ja nuk do të lejojë publikimin e ndryshimit të regjistrave të parashikimeve, nëse konstaton se ky ndryshim nuk është bërë në përputhje me kërkesat e legjislacionit të prokurimit publik. Një kopje e këtyre ndryshimeve, pas publikimit të tyre nga APP-ja duhet t’u dërgohet degës së thesarit dhe institucionit qendror që vë në dispozicion fondet buxhetore, në rastin kur ka një të tillë.

Publikimi i fituesit
Në rastin e delegimit të prokurimit, autoriteti/et kontraktor/e përfitues/e duhet të dërgojë/jnë njoftimin e kontratës së lidhur pranë autoritetit kontraktor, i cili ka zhvilluar procedurën e prokurimit, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas nënshkrimit të kontratës. Ky i fundit dërgon për publikim në Buletinin e Njoftimeve Publike njoftimin e kontratës së lidhur, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas marrjes së këtij njoftimi nga autoriteti kontraktor.

Realizimi i procedurave të prokurimit
1 – Autoriteti kontraktor, në përfundim të çdo procedure prokurimi, pas lidhjes së kontratës e pasqyron këtë procedurë në regjistrin e realizimeve të procedurave të prokurimit publik, në përputhje me formën dhe metodën e përcaktuar në udhëzimet e APP-së.

2 – Autoriteti kontraktor, çdo katër muaj, por jo më vonë se datat 10 maj, 10 shtator dhe 10 janar të çdo viti, dorëzon në organet qendrore, që vënë në dispozicion fondet, një informacion të hollësishëm për procedurat e prokurimit të realizuara.

3 – Çdo katër muaj, APP-ja duhet të dorëzojë në Këshillin e Ministrave një përmbledhje të procedurave të prokurimeve të realizuara në shkallë kombëtare.

4 – Autoriteti kontraktor, në fillim të çdo viti, përgatit një regjistër të procedurave të prokurimit të kryera gjatë vitit paraardhës, në përputhje me formën dhe metodën e përcaktuar nga APP-ja. Një kopje e regjistrit u dorëzohet organeve qendrore, që vënë në dispozicion fonde, jo më vonë se data 15 janar. APP-ja publikon regjistrin kombëtar të procedurave të prokurimit publik të realizuara për vitin paraardhës, brenda datës 20 janar.

5 – Çdo organ qendror blerës, në përfundim të çdo procedure prokurimi, pas lidhjes së kontratës e pasqyron këtë procedurë në regjistrin e procedurave të prokurimit të realizuara, në përputhje me formën dhe metodën e përcaktuar në udhëzimet e APP-së.

Kufijtë monetarë
Për prokurimet, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, është nga 100.000 lekë deri në 800.000 lekë, autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën për prokurim me vlerë të vogël, siç përshkruhet në nenin 40 të këtyre rregullave. Për objektet, ku përfshihen mallra dhe shërbime të ngjashme, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, nuk është më e madhe se 100.000 lekë, autoriteti kontraktor nuk i nënshtrohet procedurave të prokurimit. Në çdo rast, pavarësisht nga fakti që nuk do të prokurohen, planifikimi i këtyre objekteve dhe vlerat përkatëse duhet të pasqyrohen respektivisht në regjistrin e parashikimeve dhe në regjistrin e realizimeve të procedurave të prokurimit publik. Pagesat për këto objekte bëhen sipas legjislacionit tatimor në fuqi dhe faturat e lëshuara në këto raste kanë vlerën e kontratës së lidhur, kur palët nuk kanë nënshkruar një të tillë. Për veprimtari të përcaktuara në ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë, si dhe për artikuj dhe shërbime protokollare që i shërbejnë veprimtarisë së përditshme të autoriteteve kontraktore, sipas legjislacionit në fuqi, vlera e përllogaritur e prokurimeve me vlerë të vogël për artikuj apo grup – artikujsh brenda një viti kalendarik është nën vlerën e kufirit të ulët monetar.

Njoftimi i kontratës
Në rastet e procedurave të prokurimit të rishpallura pas anulimit, njoftimi i kontratës duhet të përmbajë të dhënat identifikuese të procedurës së anuluar, si numri i referencës në sistemin e prokurimit elektronik, objekti dhe fondi limit.

Udhëzimet për ofertuesit/kandidatët
1 – Në rastin e procedurave të prokurimit mbi kufijtë e lartë monetarë, dokumentet e tenderit duhet të hartohen në gjuhët shqip dhe anglisht. Operatorët ekonomikë mund të paraqesin ofertat e tyre në gjuhët shqip ose anglisht.

2 – Në udhëzime duhet të përcaktohet që, nëse autoriteti kontraktor vlerëson të nevojshme një vizitë në terren/objekt,atëherë të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar për të marrë pjesë në tender duhet të kenë mundësi të barabarta për të vëzhguar terrenin e punës/ekzekutimit.

3 – Nëse pas datës së dorëzimit të ofertave ose datës së nënshkrimit të kontratës, ndonjë ligj ose akt nënligjor në Republikën e Shqipërisë hyn në fuqi ose ndryshon dhe ndikon kushtet, duke përfshirë datën e dorëzimit ose çmimin e kontratës, kushtet ose çmimi i kontratës do të rregullohen në atë masë sa kontraktuesi është ndikuar në përmbushjen e detyrimeve të tij sipas kontratës.

4 – Periudha e vlefshmërisë së ofertës fillon që nga momenti i hapjes së ofertave. Në çdo rast, të paktën pesë ditë përpara përfundimit të afatit kohor për vlefshmërinë e ofertave, autoriteti kontraktor mund t’i kërkojë ofertuesit, me shkrim, të zgjasë periudhën e vlefshmërisë, deri në një datë të caktuar. Ofertuesi mund ta refuzojë këtë kërkesë me shkrim pa humbur të drejtën për rimbursim të sigurimit të ofertës, kur ka një tillë. Ofertuesi që bie dakord të zgjasë periudhën e vlefshmërisë së ofertës njofton autoritetin kontraktor me shkrim dhe paraqet një sigurim oferte të zgjatur, nëse ka pasur një të tillë. Oferta nuk mund të modifikohet. Nëse ofertuesi nuk i përgjigjet kërkesës së autoritetit kontraktor lidhur me zgjatjen e periudhës së vlefshmërisë së ofertës, ose nuk e pranon kërkesën në fjalë, ose nuk paraqet një sigurim të zgjatur të ofertës, kur kërkohet, atëherë autoriteti kontraktor do të refuzojë ofertën. Nëse procedura e prokurimit është e pezulluar, koha e pezullimit nuk llogaritet në periudhën e vlefshmërisë së ofertës.

Kriteret e përgjithshme të kualifikimit/pjesëmarrjes
Përmbushja e kritereve të përgjithshme të kualifikimit/pjesëmarrjes, sipas parashikimeve të nenit 45 të LPP-së realizohet nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarate me shkrim nga ana e kandidatit ose ofertuesit. Vetëdeklarimi bëhet nën përgjegjësinë e plotë të kandidatit ose ofertuesit. Në rast se ka dyshime mbi vërtetësinë e këtij deklarimi, autoriteti kontraktor ka të drejtë të kryejë verifikimet e nevojshme.

Njoftimi i anulimit
1 – Autoriteti kontraktor dërgon për publikim njoftimin e anulimit brenda 5 ditëve nga data e marrjes së vendimit të anulimit.

2 – Njoftimi duhet të përmbajë: numrin e referencës së procedurës dhe emrin e autoritetit kontraktor; përshkrimin e punëve/mallrave/shërbimeve; arsyet e anulimit të procedurës sipas përcaktimeve të nenit 24, të LPP-së.

Kontratat për punë publike
Kopje të deklaratave të xhiros vjetore. Në procedurat e prokurimit me vlerë nën kufirin e ulët monetar, vlera e kërkuar nga autoriteti kontraktor nuk mund të tejkalojë vlerën limit të kontratës që prokurohet. Në procedurat e prokurimit me vlerë mbi kufirin e ulët monetar, vlera e kërkuar nga autoriteti kontraktor nuk mund të tejkalojë 50 % të vlerës limit të kontratës që prokurohet; dhe/ose. 

Vetëdeklarim nga operatori ekonomik që nuk është fitues dhe/apo ka në proces, në të njëjtën kohë, si kontraktorë/nënkontraktorë, një investim/investime, sipas një kontrate apo kontratave të lidhura a në proces për t’u lidhur, sipas LPP-së, i cili në çastin e hapjes së ofertave nuk i ka përfunduar punimet fizike, në masën 70 % të vëllimeve të përgjithshme të punës. Përcaktimi i mësipërm vlen edhe për rastin e bashkimit të operatorëve, ku secili prej tyre, për t’u kualifikuar për punë publike, duhet të ketë përfunduar punimet fizike, në masën 70 % të vëllimeve të përgjithshme të punës, që ai ka marrë përsipër të realizojë në përputhje me kontratën e bashkëpunimit. Ky kusht nuk do të zbatohet nëse operatorët ekonomikë janë kontraktorë/nënkontraktorë në një investim/investime dhe nuk i kanë përfunduar punimet fizike, në masën 70% të vëllimeve të përgjithshme të punës, për shkaqe të përligjura, si vijon: 

I – Vonesa si pasojë e ndërthurjes me një vepër tjetër në ndërtim, si KUZ, OSHEE etj; 
II – Dëmtimi apo dalja në dritë e objekteve me vlera historike; 
III – Vonesa në shpronësimin e subjekteve, të cilave u përket prona; 
IV – ndryshim në prioritetet e qeverisjes në financim; 
V – rishpërndarje të fondeve si pasojë e ndonjë emergjence, të justifikuara nga autoriteti kontraktor, sipas dokumentacionit të lëshuar nga ky i fundit. 

Në çdo rast, një vërtetim i tillë nuk do të lëshohet për subjektet nëse, sipas grafikut të punimeve, pjesë e kontratës, deri në periudhën në fjalë, ato nuk do të mund të kishin kryer më shumë se 70% të vëllimeve të përgjithshme të punës.

Vetëdeklarim nga operatori ekonomik që brenda së njëjtës periudhë nuk është kontraktor/nënkontraktor për kontratë/kontrata të lidhura, me vlerë të përbashkët ose të veçantë, jo më të madhe se 100 % i kufirit maksimal, që disponon kandidati, sipas licencës profesionale, të lëshuar nga autoriteti kompetent. Në kuptim të përcaktimit të mësipërm, fjala “periudhë” nënkupton kohëzgjatjen e investimit të kryer sipas LPP-së nga çasti i shpalljes fitues e deri në kolaudimin e objektit/investimit.

Kontratat e mallrave
Kopje të deklaratave të xhiros vjetore. Në procedurat e prokurimit me vlerë nën kufirin e ulët monetar, vlera e kërkuar nga autoriteti kontraktor nuk mund të tejkalojë vlerën limit të kontratës që prokurohet. Në procedurat e prokurimit me vlerë mbi kufirin e ulët monetar, vlera e kërkuar nga autoriteti kontraktor nuk mund të tejkalojë 40 % të vlerës limit të kontratës që prokurohet; dhe/ose.

Kontratat e shërbimeve
Në rastin e procedurave të prokurimit “Shërbim konsulence”, si përvojë e mëparshme për shërbimet e ngjashme me objektin e prokurimit do të njihen dhe/ose shërbimet e ngjashme me fushat përkatëse të ekspertizës,pjesë e objektit të prokurimit.

Kopje të deklaratave të xhiros vjetore. Në procedurat e prokurimit me vlerë nën kufirin e ulët monetar, vlera e kërkuar nga autoriteti kontraktor nuk mund të tejkalojë vlerën limit të kontratës që prokurohet. Në procedurat e prokurimit me vlerë mbi kufirin e ulët monetar, vlera e kërkuar nga autoriteti kontraktor nuk mund të tejkalojë 40 % të vlerës limit të kontratës që prokurohet; dhe/ose. Në rastin e procedurës së prokurimit “Shërbim konsulence”, stafi i angazhuar të paraqesë deklaratë disponueshmërie për kryerjen e shërbimeve që ka marrë përsipër të realizojë.

Kontrata për punë/mall/shërbim e ndarë në lote
Në çdo rast, lotet janë të organizuara si procedura të veçanta brenda një procedure. Fillimi dhe përfundimi i njërit lot nuk ndikon në lotin tjetër të procedurës.

Kërkesat e cilësisë
Autoriteti kontraktor, për të vërtetuar se punët, mallrat ose shërbimet, objekt prokurimi, i plotësojnë kërkesat e cilësisë, mund t’u kërkojë ofertuesve të paraqesin certifikata të lëshuara nga një organ i vlerësimit të konformitetit, i akredituar nga organizmi kombëtar i akreditimit ose organizma ndërkombëtarë akreditues, të njohur nga Republika e Shqipërisë. Kjo dispozitë zbatohet edhe kur kërkesat teknike u referohen kualifikimeve të kandidatit ose të ofertuesit.

Procedura me negociim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës
Kur në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme mbi ose nën kufirin e ulët monetar janë dorëzuar vetëm oferta të pavlefshme. Oferta vlerësohet e pavlefshme nëse nuk është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit. Në çdo rast, pavlefshmëria e ofertave nuk duhet të vijë si shkak i gabimeve të bëra në dokumentet e tenderit dhe/ose për shkak të ndonjë veprimi të autoritetit kontraktor. Kushtet e kontratës dhe kriteret e veçanta të pranimit, që nuk lidhen përpjesëtimisht me fondin limit, nuk duhet të ndryshojnë nga ato të procedurës së fundit të anuluar.

Procedura me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës
Në rastin kur autoriteti kontraktor përdor procedurën e prokurimit me negociim pa shpallje paraprake sipas parashikimeve të pikës 2, shkronjat “d”, “dh” dhe“e”, të këtij neni, kur kontraktori i fundit është bashkim operatorësh ekonomikë, autoriteti kontraktor duhet të sigurohet që ky bashkim është i vlefshëm nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi nga anëtarët e këtij bashkimi.

Shërbimet e konsulencës
Në rastin e bashkimit të konsulentëve secili prej tyre duhet të plotësojë kriteret e përgjithshme të pranimit, ndërkohë kriteret e veçanta të pranimit plotësohen bashkërisht nga i gjithë bashkimi. Autoriteti kontraktor, përveç kritereve të përcaktuara në LPP, për skualifikimin e kandidatëve ose të ofertuesve duhet të vlerësojë edhe mbi kushtet e konfliktit të interesit, si vijon: 

a) Konfliktin ndërmjet konsulentëve. Konsulentët nuk mund të ofertojnë me të njëjtën përbërje të stafit. Për këtë qëllim, anëtarët e stafit të një konsulenti duhet të vetëdeklarojnë disponueshëmrinë e tyre për konsulentin dhe mosangazhimin në konsulentë të tjerë ofertues në të njëjtën procedurë.

b) Konfliktin ndërmjet veprimtarive të konsulencës dhe prokurimit të mallrave, punëve ose shërbimeve. Në këtë rast, operatori ekonomik i kontraktuar nga autoriteti kontraktor për mallra, punë ose shërbime për një projekt dhe secili prej anëtarëve të tij duhet të skualifikohet nga ofrimi i shërbimeve të konsulencës që lidhen me këto mallra, punë ose shërbime. Nga ana tjetër, konsulenti i kontraktuar nga autoriteti kontraktor për përgatitjen ose zbatimin e një projekti dhe secili prej anëtarëve të tij duhet të skualifikohen nga furnizimi i mallrave, kryerja e punëve ose shërbimeve (me përjashtim të shërbimeve të konsulencës) që rrjedhin ose janë të lidhura drejtpërdrejt me shërbimet e konsulencës për këtë përgatitje ose zbatim. 

c) Konfliktin ndërmjet detyrave të konsulencës. As konsulentët dhe as ndonjëri prej anëtarëve të stafit të tyre nuk duhet të punësohen për kryerjen e ndonjë detyre që për nga natyra e saj mund të jetë në konflikt me një detyrë tjetër të konsulentëve.

ç) Marrëdhënien me stafin e autoritetit kontraktor: konsulentët (përfshirë stafin e tyre dhe nënkonsulentët) nuk duhet të kenë marrëdhënie biznesi ose familjare me një anëtar të stafit të autoritetit kontraktor, drejtpërdrejt ose jo, i përfshirë në ndonjë pjesë të përgatitjes së kushteve të kontratës dhe/ose në procesin e përzgjedhjes për këtë kontratë dhe/ose për mbikëqyrjen e kësaj kontrate.

Vijon ne numrin e ardhshëm
Sigal