Ndërhyn BSH, “goditje” përdorimit të euros në ekonominë shqiptare

29
Qytetarët do të kenë më të vështirë të blejnë, marrin kredi apo mbajnë depozita në monedhën e përbashkët evropiane
Ditë jo të lehta parashikohen për euron dhe përdorimin e saj në ekonominë shqiptare. Tashmë do të jetë gjithnjë e më vështirë të marrësh një kredi në euro, të bësh një blerje apo të mbash depozita kursimi në monedhën e përbashkët evropiane. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dje të marrë një seri masash për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare. Këto vendime vijnë pas nismës së Bankës Qendrore për promovimin e përdorimit të monedhës kombëtare në transaksionet ekonomike dhe financiare në vend. “Kjo nismë, e njohur edhe si paketa e deeuorizimit, është përcaktuar tashmë si një synim mbarëkombëtar, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në prill të vitit të kaluar. Ky memorandum formalizon dakordësinë për përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara, në nivel kombëtar, midis tre institucioneve: Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, u shpreh guvernatori Gent Sejko. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar.

Studimet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në aktivitetin e brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë. “Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme. Ajo që ne duam të reduktojmë, të zbutim apo të minimizojmë, është prania e pozicioneve të hapura valutore dhe marrja përsipër e rrezikut të kursit të këmbimit, direkt apo indirekt, në mënyrë të pastudiuar apo të pambrojtur, nga konsumatori, nga biznesi dhe nga agjentët e tregut financiar”, sqaroi Sejko. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës i BSH mori në shqyrtim dhe miratoi dokumentin e Politikës “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”. Dokumenti përcakton mënyrën se si Banka e Shqipërisë do të kontribuojë në këtë proces, i njohur ndryshe si deeuroizim, dhe si do të vlerësojë ndikimin e këtij kontributi. Gjithashtu, u miratuan disa ndryshime rregullative, të cilat finalizojnë punën e zhvilluar gjatë vitit të kaluar për identifikimin, vlerësimin dhe konsultimin me bankat, të disa masave që mbështesin zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Vendimet 
1 – Rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%) dhe uljen e saj për detyrimet në lek në nivelin 7.5% (ishte 10%). Për bankat, ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve gjithsej, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%. 

2 – Rritja e kërkesës minimale rregullative për aktive likuide në valutë, në 20% të detyrimeve afatshkurtra (ishte 15%). Për aktivet likuide në lek, niveli i raportit do të ruhet në 15%. 

3 – Rritja e ndërgjegjësimit të huamarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Për këtë qëllim, bankave iu kërkohet që t’i propozojnë huamarrësit një kredi alternative në lek dhe ta shoqërojnë produktin me një shembull konkret se si ndryshon kësti i kredisë në rastin e nënçmimit të supozuar të kursit të këmbimit. Përveç kësaj, bankat nxiten të trajtojnë mundësinë e zbutjes së rrezikut të kursit të këmbimit për huamarrësin në valutë, në rastin kur ky rrezik është evidentuar dhe kur kjo pranohet nga kushtet e kontratës midis palëve.
BSH e pakënaqur: Kreditimi mbetet i zbehtë
Banka e Shqipërisë vlerësoi se ecuria e kreditimit vazhdon të mbetet e zbehtë. “I pastruar për efektin e kursit të këmbimit, portofoli i kredisë për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare vjetore prej 5% në tremujorin e katërt. Sikundër e kemi bërë prezent dhe më parë, zgjerimi i kredisë totale vijon të mbështetet në masën më të madhe nga zgjerimi i kredisë në lekë. Portofoli i kësaj të fundit shënoi një rritje mesatare vjetore prej 7.9% në tremujorin e katërt, ndërkohë që kreditimi në valutë u rrit me 2.4%”, bëri të ditur Banka Qendrore. Sipas saj, analizat sugjerojnë se ecuria e ngadaltë e kredisë pasqyron efektin e njëkohshëm të kërkesës së ulët dhe të kushteve të shtrënguara të ofertës. Rritja e qëndrueshme e kreditimit do të kërkojë përmirësimin e kërkesës dhe ofertës. Në këtë kontekst, ndërkohë që projeksionet tona sugjerojnë një rritje të kërkesës në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se sektori bankar duhet të jetë më proaktiv në politikat e veta të kreditimit.