Ndalet rënia e euros, dollari shënon rritje. Monedha europiane fiton pikë dhe në bursë

1138
Sigal

Monedha e përbashkët europiane e ka nisur javën duke fituar pikë ndaj lekut vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot në nivelin e 126.72 lekëve, apo 0.11 pikë më shumë se të premten. Megjithatë euro vijon të luhatet në nivelet më të ulëta të dhjetë viteve. Vetëm gjatë javës së kaluar euro u zhvlerësua ndaj lekut me 0.53 pikë.

Për pesë muajt e parë të këtij viti, mesatarja e këmbimit të monedhës së përbashkët ishte 130.9 lekë, më e ulëta që nga viti 2008, kur mesatarja e vitit ishte 122.8 lekë. (për 2009-n, mesatarja e këmbimit për gjithë vitin ishte ishte 132.1 lekë), për tu ngjitur pastaj vitet e mëpasshme në rreth 139-140 lekë, përpara se të fillonte sërish rënien në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, euro ka rënë me 6.5 lekë, ose 4.85%. Arsyeja kryesore mbetet oferta më e lartë sesa kërkesa. Oferta sipas ekspertëve vjen nga kanalet formale (investimet, remitancat, shërbimet si turizmi, apo bizneset e call center dhe forex) dhe informale, që po kanalizohen përmes tregut të pasurive të paluajtshme. Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë ndikuar rënien e fortë në muajin e fundit janë transaksionet e bankave për konvertimin e kapitalit nga euro në lekë, ndikim që pritet të jetë afatshkurtër.

Gjithashtu sipas aktorëve të tregut të këmbimit valutor në niveli i këmbimit euro/lek është ndikuar prej ofertës së lartë në valutë dhe qarkullimit të ulët të parasë në ekonomi. Ata shtojnë se aktualisht po ndikojnë dhe prurjet e valutës nga turistët, duke e shpjeguar me faktin se sezoni turistik është zgjatur në kohë, prandaj efektet janë parë edhe gjatë pranverës. Ekspertët e këmbimit valutor shtojnë se tendenca e monedhës së përbashkët do të vijojë të jetë në rënie gjatë gjithë sezonit veror.

Për sa i përket dollarit amerikan, monedha ka vijuar të forcohet përkundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar u këmbye sot në tregun vendas në kuotën e 108.45 lekëve, rreth 0.37 lekë më shumë se të premten e javës që lamë pas. Dollari ka vijuar të rimëkëmbet pasi preku nivelin më të ulët të pesë viteve duke u këmbyer poshtë 105 lekëve. Dollari është forcuar edhe në bursat ndërkombëtare, ku euro ka qenë e dobët për shkak të zhvillimeve politike në Itali.

Euro fiton pikë dhe në bursë
Euro preku nivelin më të ulët të gjashtë muajve të premten në tregjet ndërkombëtare sipas të dhënave të publikuara nga Financial Times pasi u këmbye 1EUR me 1.16 USD. Fakti që partitë populiste italiane dështuan në formimin e qeverisë midis tyre bëri që besimi ndër investitor të rritej. Sot në bursa euro rikuperoi pikët që humbi në mbylljen e javës së shkuar.