Naftëtarët e Ballshit marrin në dorë rafinerinë

1115
Pas disa muajsh pritje, tensionohet protesta për punë dhe kontrata kolektive. Kalohet rrethimi policor dhe bëhet thirrje për qëndresë
Teksa vëmendja e politikës dhe medias ishte përqendruar në Tiranë, ku zhvillohej seanca për masën e sigurisë së 23 protestuesve të prangosur në Rrugën e Kombit, naftëtarët kanë vendosur t’i japin fund pritjes së gjatë për rikthimin në punë. Qindra punonjës të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, të cilët prej disa muajsh janë të papunë si pasojë e pezullimit së aktivitetit të uzinës, kanë protestuar mëngjesin e djeshëm për mosfillimin e punës, duke kërkuar nënshkrimin e kontratave kolektive. Pas largimit në dhjetor 2017 të kompanisë IRTC, rafineria është marrë në administrim nga kompania “Byllis Energji”. Sipas naftëtarëve, “Byllis Energji” ka lidhur kontrata individuale me punëtorët e fabrikës, por ka punësuar vetëm 150 prej tyre që punojnë në sektorët jetik të TEC-it dhe zjarrfikësve. Pasi protestuesit kishin rreth një orë që qëndronin para hyrjes së KPTHN-së, aty ka mbërritur administratori i kompanisë “Byllis Energy”, Blerim Hoxha, i cili ka ecur në këmbë përmes naftëtarëve. Këta të fundit janë irrituar, duke i kërkuar atij të drejtat e tyre për punësim. Kur administratori i “Byllis Energji” ka hyrë në ambientet e uzinës, naftëtarët e kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e KPTHN-së. Në këto kushte, punonjësit e sigurisë kanë hapur hyrjen kryesore, duke lënë që qindra naftëtarë të hyjnë brenda rrethimit të uzinës, në sheshin para zyrave të administratës. Aty protestuesit janë konfrontuar fizikisht edhe me administratorin e kompanisë “Byllis Energy”, të cilin e kanë marrë në mbrojtje forcat e sigurisë. Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci dhe kryetari i Sindikatës se Naftëtarëve, Kamber Iljazi, i cili u ka bërë thirrje protestuesve të bashkohen për të arritur realizimin e kërkesave të tyre, nënshkrimin e një kontrate kolektive, nisjen e punës dhe trajtimin me statusin e naftëtarit. Pas largimit të administratorit, naftëtarët kanë marshuar drejt reparteve të KPTHN-së, duke u kërkuar 150 kolegëve që kanë nisur punën, që t’u bashkohen. Për rreth një orë ka vazhduar marshimi i naftëtarëve në territorin e uzinës dhe më pas janë mbledhur sërish në sheshin para zyrave të administratës, ku kreu i sindikatës, Kamber Iljazi, u ka bërë thirrje drejtuesve të kompanisë dhe qeverisë që të ulen për të nënshkruar një kontratë kolektive bazuar në kodin e punës. Gjithashtu, ai u ka kërkuar naftëtarëve që të bëjnë qëndresë derisa të fitojnë të drejtën e tyre. “Nga ju vëllezër e motra, kërkoj mbështetje maksimale…, duke qëndruar solid, duke kërkuar ato që ligji ka nënshkruar…, të gjithë bashkë, të gjithë jashtë, derisa kontrata të jetë nënshkruar, e të hyjmë si punëtorë me dinjitet, në një vend që presupozohet të hyjë në Bashkimin Evropian”, theksoi kryesindikalisti i naftëtarëve, Kamber Iljazi. Pas protestës, në ambientet e KPTHN-së së Ballshit ka mbërritur këshilltari i Ministrit të Infrastruktuës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, i cili ka zhvilluar një takim me sindikalistët dhe një përfaqësi të naftëtarëve, ku është diskutuar lidhur me kërkesat e këtyre të fundit. Mësohet se është rënë dakord që të hënën të vazhdojë dialogu mes sindikalistëve e naftëtarëve, përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve të kompanisë. Naftëtarët presin lidhjen e kontratës kolektive të punës dhe shlyerjen e detyrimeve e pagave të prapambetura të naftëtarëve. Naftëtarët deklaruan se do të vazhdojnë të protestojnë para hyrjes së uzinës edhe në ditët në vazhdim, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Skema e shfrytëzimit të ARMO-s
Ekspertë të tregut pohojnë se me ARMO-n është abuzuar sistematikisht. Kompanitë që e marrin atë në përdorim nëpërmjet qirasë apo marrëveshjeve me bankat e shfrytëzojnë dhe ndërkohë nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit. Në fund të gjithë largohen, duke lënë pas një mal me detyrime. Skema mbetet e njëjtë: Rafineria merret me qira nga një kompani misterioze, shfrytëzohet, nuk paguhen taksat, më pas braktiset duke i lënë radhën një tjetri, që bën të njëjtën gjë. 15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend. Në rastin e IRTC, ndonëse përfaqësues të lartë të qeverisë e promovuan rivënien në punë të ARMO-s në nëntor 2016, në momentin që IRTC u largua dhe la pa paga punonjësit, ata thanë se kjo është një marrëdhënie private mes kompanisë dhe punonjësve.
Sigal