Mungesa e likuiditeteve shënoi rekorde në vitin 2018, shkak përqendrimi në dy banka

502
Sigal

Likuiditeti në bankat shqiptare është i bollshëm, por përqendrimi i tij në dy banka të mëdha të sistemit rriti nevojën për likuiditete në pjesën tjetër dhe, për pasojë, interesat në tregun ndërbankar u rriten përgjatë vitit të shkuar, vë në dukje Banka e Shqipërisë. Gjatë vitit 2018 normat e interesit njëditore dhe njëjavore të tregtuara në tregun ndërbankar rezultuan mesatarisht 0.02 pikë përqindjeje më lart se norma bazë e interesit. Në dallim me vitet e kaluara, presionet për shmangien në kahun e sipërm të objektivit të normave të interesit ishin më të larta, si pasojë e rritjes së mungesës së likuiditetit në sistemin bankar. Banka e Shqipërisë sqaron se, kjo mungesë arriti vlerën maksimale prej 50 miliardë lekësh gjatë tremujorit të dytë, dhe u luhat në intervalin 28-46 miliardë lekë në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit, duke qenë prezentë në një numër më të madh bankash. Banka referon se përqendrimi i likuiditetit të tepërt në 1-2 banka të sistemit, megjithëse më pak i dallueshëm se në vitet e kaluara, ka ulur presionet për tregtim nën normën bazë të interesit. Në përgjigje të nevojës së sistemit bankar për likuiditet, Banka e Shqipërisë ka rritur likuiditetin mesatar të injektuar nëpërmjet operacioneve në tregun e hapur në rreth 39 miliardë lekë në vitin 2018, nga 24-34 miliardë lekë dy vitet e kaluara. Rritjes së mungesës së likuiditetit, Banka e Shqipërisë i është përgjigjur me rritje të peshës së injektimeve të gjata deri në 46%, vlerë kjo në rritje nga 19.3% dhe 39.4% në vitin 2016 e 2017. Por BSH vlerëson se rreziku i likuiditetit vijon të mbetet i ulët dhe i kontrolluar. Prova e rezistencës së likuiditetit që realizohet një herë në vit, tregon se sektori bankar dhe bankat individuale kanë rezerva të mjaftueshme në tërësi dhe në secilën nga tri monedhat kryesore (Lek, Euro, USD) për të përballuar goditje ekstreme ndaj likuiditetit gjatë një horizonti kohor dy vjeçar. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit kreditues përfaqësohet nga depozitat e publikut, të cilat janë rreth dy herë më të larta nga teprica e kredisë, si për monedhën vendase ashtu edhe për valutën. Gjatë dy viteve të fundit pesha e depozitave pa afat dhe llogarive rrjedhëse ndaj totalit të depozitave u rrit nga 40% në 44%. Pesha dhe vëllimi i depozitave me afat kanë vijuar të bien, në përgjigje të normave të ulëta të interesit. Pesha e konsiderueshme e llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat i detyron bankat që nga njëra anë të mbajnë nivele të larta aktivesh likuide, dhe nga ana tjetër, të nxiten drejt investimeve afatgjata ose me koeficient të lartë rreziku në mënyrë që të sigurojnë kthime më të larta./Monitor