Moody’s vlerëson Shqipërinë me B1 Progres në luftën ndaj korrupsionit

680
Sigal

Konsolidimi fiskal i ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe marrëveshja 3-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë balancuar përkeqësimin fiskal të vendit në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Qershor të vitit 2013.

Ky është raporti i analizës vjetore për kreditin e Shqipërisë të publikuar nga Agjencia Moody’s. Masat e reja ofrojnë një përgjigje të rëndësishme kundrejt rënies së forcës fiskale, veçanërisht në lidhje me gjenerimin e të ardhurave, ku Shqipëria vazhdon të përformojë më dobët se fqinjët e rajonit.

Agjencia Moody’s ka mbajtur të pandryshuar nivelin B1 për Shqipërinë, me këndvështrim të “qendrueshëm”. Analiza kreditore e Moody’s është një raport vjetor dhe nuk përbën një veprim përsa i përket vlerësimit. Në Qershor të këtij vit, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për antarësim në Bashkimin Europian dhe Moody’s e cilëson si një zhvillim pozitiv.

Sipas agjencisë, Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe në reformën gjyqësore, edhe pse procesi i “konvergjencës” me standardet e Bashkimit Europian është ende i gjatë. Moody’s pret efekte të tjera pozitive me integrimin në Bashkimin Europian, që ka vërtetuar se është një faktor i rëndësishëm i flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Sfidat kryesore të kreditimit të Shqipërisë kanë të bëjnë me raportin e lartë të borxhit me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që parashikohet të rritet në 73% në vitin 2015, me nevojën e lartë për huamarrje në vitin 2015 dhe me maturimin e Eurobondit 300 milionë euro në Nëntor të vitit 2015.

Qeveria Shqiptare po punon ngushtë me institucionet ndërkombëtare për të përmirësuar elasticitetin e strukturës së brendshme të borxhit, që përbëhet nga një maturitet mesatar afatshkurtër dhe nga një varësi e madhe nga sistemi bankar vendas.

Gjithashtu, sistemi është i ngarkuar me vëllime të mëdha të kredive me probleme. Për më tëper, reformat gjithëpërfshirëse të Shqipërisë në sektorin energjetik, që do të zbatohen me mbështetjen e Bankës Botërore, janë thelbësore në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në parandalimin e “grumbullimit” të borxheve.

Opinion për nivelin B1 të Shqipërisë është “i qendrueshëm”. Progresi në lidhje me reformat strukturore, veçanërisht në trajtimin e korruspionit, forcimi i të drejtave të pronësisë dhe efikasiteti i gjyqësorit, do të rezultojë në përmirësimin e konkurrencës dhe në rritjen e tërheqjes së bizneseve. Nga ana tjetër, Moody’s paralajmëron se një dështim për të stabilizuar deficitin fiskal dhe nivelin e borxhit do të ushtrojnë presion për një ulje të vlerësimit për Shqipërinë.