Monedhë e përbashkët Shqipëri-Kosovë: ëndërr apo realitet?

998
Sigal

Forumi: 100 vjet Pavarësi dhe Kombi shqiptar ende ka dy shtete, dy flamuj, dy ekonomi dhe monedha të ndryshme

Sikurse shekulli i 20-të solli krijimin e shtetit shqiptar, më 28 Nëntor 1912, shekulli i 21-të solli krijimin e shtetit shqiptar të Kosovës, më 17 shkurt 2008. Sfida historike tashmë shtrohet, kur, si Kombi shqiptar do të shtrihet në një shtet të përbashkët. A ka ardhur momenti që Shqipëria dhe Kosova të përdorin një monedhë të përbashkët? Përse Kosova akoma nuk ka monedhën e saj? Ekspertë të ekonomisë dhe politikanë, Florjan Mima, Pajtim Bello dhe Luan Shahollari, japin opinionet e tyre në këtë forum.

 – Është hapur një debat lidhur me prezantimin e lekut si monedhë kombëtare edhe në Kosovë. Cili është mendimi juaj rreth kësaj teze?

FLORJAN MIMA, ish-zv/ministër, deputet

 – E kam ndjekur me interes debatin e hapur në lidhje me prezantimin e lekut si monedhë kombëtare edhe në Kosovë dhe me këtë rast do të doja të shprehja edhe publikisht simpatinë për tezën e hedhur fillimisht nga deputetja Doda. Është tezë madhore, ashtu siç duhet të jenë të gjitha tezat, që në thelb të tyre kanë përparimin dhe prosperimin e kombit shqiptar dhe të shqiptarëve, kudo që ata janë. Siç edhe pritej, teza ka gjeneruar debat dhe ka ngjallur interes nga politikanë, ligjvënës, specialistë etj., të cilët kanë bërë publike qëndrimet dhe mendimet e tyre rreth saj, disa pro e disa kundër, disa optimistë e të tjerë më të rezervuar. Personalisht, duke theksuar qysh në fillim se po shpalos thjesht mendimin tim modest, mendim që nuk merr përsipër të përfaqësojë asnjë qëndrim apo opinion tjetër, duke pasur një njohje po ashtu modeste për shkak të 6 viteve të kaluara në Kosovë dhe duke lënë pas çdo shfaqje paternalizmi ndaj vëllezërve ekspertë dhe politikanë kosovare, jam i palëkundur në bindjen se Kosova do të duhej të kishte një monedhë të vetën. Kjo bindje më përforcohet edhe më shumë në këto kohëra të turbullta për ekonomitë dhe financat publike në Evropë e më gjerë, ku konsiderohet si një avantazh krahasues pasja e monedhës tënde kombëtare, çka automatikisht nënkupton dhe hartimin dhe zbatimin e politikave monetare, krahas atyre fiskale, ingranazh që Kosovës, për momentin, i mungon. Pra, në mënyrë figurative, trupi i Kosovës sot ka vetëm një krah, atë fiskal, i cili funksionon relativisht mirë dhe është i cunguar apo i paralizuar në krahun tjetër, atë monetar. Banka Qendrore e Kosovës  e ka të pamundur të transmetojë në ekonominë reale kosovare politikat e saj për lirimin a shtrëngimin e kostos së euros dhe e gjitha kjo bën që trupi të mos punojë me kapacitet të plotë dhe krahu që punon, lodhet më shpejt pasi i duhet të zëvendësojë deri diku edhe punën që do të duhej të bënte krahu tjetër. Edhe në këtë pikë debati ka shumë larushi dhe mendimet e shprehura janë nga më të ndryshmet dhe një pjesë e tyre janë në kundërshtim me opinionin tim, çka është e kuptueshme për shkak të kompleksitetit, që ngërthen materia. Për të ardhur te pyetja juaj, pra, do të duhej që fillimisht dhe parimisht të binim dakord që Kosova do të duhej të kishte një monedhë të vetën dhe vetëm atëherë do të mund të shtrohej pyetja pasuese: “A mundet që kjo monedhë të jetë Leku?”. Në këtë pikë edhe unë do të preferoja të isha më i rezervuar dhe të përpiqesha ta gjeja përgjigjen në disa aksione të tjera, që mund t’i paraprinin prezantimit të lekut në Kosovë. A jemi ne gati ta “shpartallojmë” kufirin në kuptimin figurativ dhe të heqim fare nga ekzistenca barrierat jotarifore në tregtinë e jashtme, pra që një faturë e lëshuar në Gjilan e që shoqëron mallin që shkon në Elbasan, të regjistrohej në librat e blerjes direkt, duke eliminuar deklaratat e eksportit nga Kosova dhe të importit në Shqipëri? A jemi gati që TVSH-ja e paguar në Gjilan, të kreditohej në Elbasan? A jemi ne gati të shpartallojmë të gjitha referencat doganore dhe të kthehemi në nxitës të tregtisë së ligjshme në të dy anët e kufirit? A jemi gati të lejojmë tregtarët e banorët e zonave kufitare shqiptare të blejnë mall te vëllezërit kosovarë, duke përdorur edhe lekun, si mjet shkëmbimi? Nëse po, a jemi gati të prezantojmë metoda të këmbimit valutor, që do t’i vendosë tregu, njëlloj si në Shqipëri? Nëse kjo ndodh, a jemi gati që një pjesë të deficitit korrent qeveria kosovare ta financojë me letra me vlerë të emetuara në lekë? Lista e pyetjeve mund te zgjatet pa fund dhe përgjigjet e tyre janë shumë komplekse, por secila prej pyetjeve duhet të marrë përgjigje dhe përgjigjet duhet të jenë të shoqëruara edhe me skenarë të mundshëm, se çdo të ndodhë në rast se ndiqet opsioni x apo ai y. Ky proces kërkon kohë dhe është i gjatë. Por, në të njëjtën kohë, ka edhe një proces tjetër, që ecën paralelisht me të dhe ky është procesi i anëtarësimit të Shqipërisë, por edhe Kosovës, në BE dhe padyshim që pyetja më madhore që ngrihet është: A ka një plan nga Banka e Shqipërisë, që t’i japë përgjigje pyetjeve, se a do të duhet dikur Shqipëria t’i bashkohet Eurozonës? Nëse po, kur? Si do të shkohet deri aty? Për të ardhur te pyetja më e vështirë, për të marrë një përgjigje sot: Cila është me siguri të mjaftueshme e ardhmja e euros? A do të ekzistojë ajo pas 10 vjetësh? Po pas 20 vjetësh?  Të gjitha këto pyetje më mundësojnë të them me një fjali të vetme se cila është zgjidhja: leku në Kosovë apo euro në Shqipëri.

PAJTIM BELLO, ekspert ekonomik, ish zv/ministër i Ekonomisë

Njësimi i monedhës duhet të paraprihet nga vendosja e disa sistemeve apo agregateve ekonomike të njëjtë për të dy vendet. Këto sisteme nisin që nga monitorimi dhe vlerësimi i situatave ekonomike, kuadri ligjor makro dhe mikro- ekonomik, politikat doganore, politikat fiskale, norma e inflacionit, niveli i lejuar për borxhin publik, politikat e kreditimit, politikat e pagave dhe shpërblimeve etj… Çështje të tilla nuk kemi parë që të trajtohen deri sot, kështu që ne këtë aspekt unë mendoj se nuk ka ardhur momenti i njësimit të monedhës për të dy vendet. Përveç sa më sipër, të dy qeveritë duhet të paraprijnë me studime dhe parashikime konkrete mbi ndikimin e këtij njësimi në ekonominë e secilit vend. Nuk ka dyshim se njësimi i monedhës do të japë ndikime në sfera të ndryshme të ekonomisë, përfshi edhe shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve. Nëse nuk bëhen parashikime serioze, mund të ndodhë që të kemi efekte negative me kosto jo të vogël për të dy vendet. Përfundimisht them se është një çështje që kërkon trajtim profesional, politik dhe ligjor nga qeveritë e të dy vendeve. Çështje tjetër është edhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, sepse ende nuk është arritur njohja e pavarësisë së Kosovës nga njëra anë dhe në Kosovë roli i organizmave ndërkombëtare është i ndjeshëm.

LUAN SHAHOLLARI-ish zv/ministër i Ekonomisë

Për të arritur në një përfundim sa më të saktë nevojiten studime të thelluara dhe komplekse nga institucionet financiare dhe bankare të të dy vendeve. Këto studime duhet të shmangin trajtimin e këtij problemi thjesht në këndvështrimin patriotik apo nacionalist. Nga ana tjetër, duhet të mbahen parasysh marrëdhëniet e të dy vendeve me strukturat e Bashkimit Europian, ku dhe synojmë dhe po punojmë për t’u integruar. Plotësimi i kushteve politike dhe ekonomike dhe pranimi në këto struktura shtron rrugën për përmbushjen e një varg kriteresh për t’u futur në zonën Euro. Duke mbajtur parasysh se aktualisht Eurozona është në krizë dhe faktin se ne jemi ende në fazën e  pritjes për të fituar statusin e vendit kandidat koha për të adoptuar euron si monedhë në Shqipëri, parashikohet mjaft e largët. Ndërkohë, Kosova përdor euron si monedhë të saj kombëtare, por pa ndonjë lidhje institucionale me eurozonën. Kurse propozimet për një monedhë të përbashkët si për Shqipërinë dhe Kosovën (që mund të ishte leku apo ndonjë emërtim tjetër) nuk do të ishte i nevojshëm dhe as i mundur. Të dy vendet tona kanë një peshë të vogël në Ballkan dhe aq më tepër në Europë. Por, edhe shkëmbimet tregtare midis dy vendeve  tona, edhe pse kanë ardhur në rritje ,janë ende në nivele të ulëta. Kështu, p.sh në vitin 2011 eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës zinin vetëm 7.4 për qind të volumit gjithsej, kurse importet vetëm 0.8 për qind. Kurse me BE-në, si eksportet dhe importet zënë mbi 80 për qind të volumit gjithsej . Prandaj, perspektiva  e monedhës shqiptare është euzro, edhe pse kjo ditë do të jetë e largët.  Por kështu edhe për Kosovën.