Misioni i FMN-së në Tiranë, takime me krerë të lartë të financave publike

659
Sigal

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili mbërriti të hënën në Tiranë për të vijuar bisedimet që u lanë përgjysmë në shtator, po zhvillon takime me krerët më të lartë të financave publike, përfshirë këtu ministrin e Financave, zv/ministrin si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive të ministrisë.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave diskutimet po përqëndrohen në dy tema kryesore, buxheti i vitit 2015, si dhe realizimi i kritereve të performancës, që do të mundësojnë lëvirimin e këstit të prapambetur të kredisë së FMN-së dhe këstit të radhës, disbursimi i të cilave pritet të bëhet shumë shpejt.

Misioni i FMN-së u largua në shtator, pa arritur në një marrëveshje me qeverinë shqiptare, çka shtyu disbursimin e transhit të tretë të huasë prej rreth 26 milion euro. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi në fund të muajit shkurt të këtij viti marrëveshjen 36-mujore prej rreth 330.9 milion euro me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve.