Miratohet kartëmonedha 10 mijë lekë, ja si do të jetë

1912
Shqiptarët do të përdorin së shpejti një kartëmonedhë të re me vlerë 10 mijë lekë. Kjo do të jetë prerja më e madhe e kartëmonedha në Shqipëri, ndërsa deri më tani maksimumi i emetuar ka qenë 5 mijë lekë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e djeshme një vendim të posaçëm mbi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10.000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si Himni i Flamurit “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”. Krahas kësaj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore miratoi edhe tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës. Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi shtypjen e monedhave metalike përkujtimore, për qëllime numizmatike, në vitin 2018. Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të miratojë emetimin e një serie monedhash përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”. Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë. Prodhimi i monedhave numizmatike përdoret nga Banka Qendrore në raste përkujtimore, ndërsa emetimi i tyre në ar është diçka e veçantë.
Sigal