Sigal

Të gjithë qytetarët që zotërojnë ndërtime para vitit 1991 pa certifikatë pronësie, mund të aplikojnë tashmë për legalizimin bashkë me truallin e tyre funksional. Përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar institucionet përgjegjëse dhe procedurat e legalizimit. Janë objekt trajtimi i këtij vendimi ndërtimet e ngritura deri më 10.8.1991 dhe trojet funksionale të tyre, për të cilat nuk ka akte të fitimit të pronësisë, Përjashtimisht, nëse për truallin ka dokumentacion pronësie, procedurat e kalimit të pronësisë kryhen vetëm për ndërtesën.

Procedurat e legalizimit do të nisin me kërkesë të subjekteve, me kërkesës të hipotekave, gjatë procesit të përditësimit të informacionit kadastral, apo nga institucione shtetërore në rastet e nevojave për shpronësim. Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të ALUIZNI-t tarifën e shërbimit, në vlerën 8 mijë lekë për çdo kat ndërtimi.

Në përcaktimin e sipërfaqes ALUIZNI bazohet në kufijtë faktikë të sipërfaqes së poseduar, pa tejkaluar masën prej 300 metrash katrorë. Por me kërkesë të posaçme, subjektit mund t’i kalohen në pronësi pjesët e sipërfaqes shtetërore, deri në 500 metra katrorë.