Miratohen 2 kontratat e Milotit e Orikumit me vlerën 307 milionë euro. Kostoja për 1 km kap shifrat 16 milionë euro

761
Sigal

Kalojnë përfundimisht kontratat për dy PPP, Milot-Balldren, Orikum-Dukat

 

Kontratat për ndërtimin e rrugëve përmes skemës së Partneritetit Publik Privat, që “përplasën” qeverinë me Presidencën, kanë kaluar fazën fundit të legjitimimit, që është publikimi në Fletoren Zyrtare. Bëhet fjalë për kontratën e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si Autoriteti Kontraktor, dhe “Gjikuria” sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum–Llogara” sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – by pass Orikum–Dukat (Ura e Shën Elizës)”. Po kështu për koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si Autoriteti Kontraktor, shoqërisë “ANK” sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh Konstruksion” sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren. Kontratat u miratuan fillimisht në Parlament, por u kthyen nga Presidenti i Republikës së bashku me një sërë ligjesh të tjera, ndërkohë që në seancën e fundit Parlamenti i rivotoi ato, duke ju dhënë fuqi ligjore sipas përcaktimeve të bëra në vendimet përkatëse.

Kostot e larta të rrugëve me PPP

Kontrata për Milot-Balldren Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, ose 15 milionë euro për kilometër, rishikimin në rritje të saj në raport me ofertën fillestare që ishte 161 milionë euro, rinegocimin pa garë të interesave. Për më tepër që kompania nuk kishte kapacitetet financiare që të ndërtonte një projekt të tillë. Ndërsa ANK premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci i 2017-s tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Ndërkohë që kontrata për projektin e rrugës “Porti i jahteve – by pass Orikum–Dukat (Ura e Shën Elizës)” parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra dhe në total kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro.