Ministrja Ikonomi, hedh hapin kryesor reformues në procedurat dhe ringritjen e turizmit

435

Zhvillohet Takimi i Pestë i Komitetit Këshillimor të Sektorit privat të Turizmit (KKSPT), ja fokusi i çështjeve kryesore

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi mblodhi sot anëtarët e Komitetit Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit, për të adresuar çështjet kryesore dhe sfidat e këtij sektori të rëndësishëm për vitin 2017.

Ky komitet u mblodh për të diskutuar disa çështje të rëndësishme që duhet të zgjidhen para fillimit të sezonit turistik 2017, si dhe për të marrë mendimin e grupeve të interesit lidhur me këto procese në zbatim të Ligjit të Turizmit. Fillimisht duke qenë dhe takimi i parë i vitit, Ministrja Ekonomi bëri një përmbledhje të vijueshmërisë dhe rezultateve të sezonit turistik veror 2016, i cili ka qenë një vit shumë pozitiv për Shqipërinë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë treguan që sipërmarrja turistike arriti të rriste kontributin e vet në ekonomi me 25 % në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015. Ndërsa numri i vizitorëve u rrit me 19.7 % më shumë se në 2015. Lidhur me zbatimin e ligjit të turizmit, Ministrja theksoi se tashmë janë miratuar të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave në zbatim të Ligjit të Turizmit 93/2015 si: ai për miratimin e rregullores për kushtet kriteret, tarifat, afatet dhe procedurat për klasifikimin e strukturave akomoduese; për miratimin e kërkesave dhe kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë së udhëtimit, për miratimin e kërkesave dhe kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së operatorit turistik, për miratimin e rregullores për pajisjen me certifikatë të veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, etj si dhe disa urdhra dhe udhëzime të Ministres në zbatim të ligjit në fjalë. Fokusi i diskutimeve u vu në dy çështje kryesore:

1. Certifikimi i rreth 70 udhërrëfyesve të pare deri në fund të muajit shkurt, në mënyrë që ata të jenë të certifikuar për të nisur punën e tyre në sezonin e ri turistik.

2. Klasifikimi i strukturave akomoduese, i cili është një proces që do të startojë në 20 janar, përmes një platforme online të ngritur tashmë, (në e-albania) ku çdo hotel, guest house etj, do të vetë-deklarojë standardet që përmbush dhe kapacitetet e tij dhe më pas një komision i posaçëm do të verifikojë, nëse kjo strukturë i plotëson kriteret e vetë-deklaruara apo jo.

Ministrja Ekonomi theksoi se procesi i licencimit të operatorëve turistikë dhe agjencive të udhëtimit do të nisë menjëherë pranë QKB, pasi të gjitha aktet nënligjore të nevojshme për nisjen e këtij procesi janë miratuar. Këto subjekte ftohen të aplikojnë menjëherë për t’u licencuar. Anëtarët e KKSPT vlerësuan Ministrinë e Ekonomisë dhe posaçërisht Ministren Ekonomi, për përpjekjen e parë serioze në 25 vjet për të rregulluar tregun e turizmit. Ministrja theksoi, se takimi i radhës i KKSPT do të mbahet në fillim të marsit, për të parë si janë realizuar deri në shkurt këto objektiva dhe për të diskutuar çfarë do bëhet në vazhdim, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për sezonin e ri turistik 2017.