Ministrja Denaj në Forumin e Ekonomik Mbarëshqiptar: Bashkëpunimi na bën konkurrues në Rajon

629
Sigal

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte e pranishme në Forumin Ekonomik Mbarëshqiptar “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë.

Ministrja Denaj vlerësoi se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë shënuar rritje në periudhën e parë të vitit 2019 dhe se pritshmëritë e përbashkëta janë që rritja e shkëmbimeve tregtare të arrijë potencialin maksimal dhe të ruajë në periudhë afatgjatë nivelet e kërkuara.

Në takimin e dytë kordinues të grupeve të punës të Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë janë përcaktuar detyra të qarta. Ministrja Denaj tha se objektivi është thjeshtimi i procedurave dhe burokracive, i cili ka nisur të përmbushet, pasi aktualisht janë thjeshtuar shumë procedura në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Megjithatë, znj. Denaj tha se ka akoma shumë punë për të bërë, për të mundësuar përdorimin e të njëjtit sistem informatik mes dy vendeve, për të cilin ka një angazhim maksimal nga pala shqiptare për të rishikuar bazën ligjore dhe pengesat që ekzistojnë.

Përsa i përket çështjes së skanimit në dogana, Ministrja tha se kjo do të diskutohet me kompaninë që ofron shërbimin koncensionar, ndërkohë që do të rishikohet edhe analiza e riskut për skanimin e mjeteve.

Znj. Denaj tha se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar nxitjes së procesit të përfitimit të statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) për sipërmarrjet nga Shqipëria dhe Kosova, pasi mundëson lehtësi jo vetëm në tregtinë mes dy vendeve, por edhe mes vendeve të rajonit dhe më gjerë.

Ministrja u ndal edhe nëçështjen e investimeve të huaja direkte dhe qasjes që dy vendet duhet të kenë ndaj IHD-ve, madje duke bashkuar forcat në këtë drejtim. “Mendoj se po të bashkojmë forcat ne jemi një treg dhe më i madh ndaj investitorëve të huaj, të cilët mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, në ato sektorë ku duhet të jemi të fokusuar, te të cilët ne kemi avantazhe dhe ku konkurrueshmëria nuk shkon në kundërshtim me sektorin vendas, i cili absolutisht duhet mbështetur », u shpreh Ministrja.